E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nënë Tereza” bekon fitoren e Berishës

22-06-2013 / Gazeta 55

Demokratët mbajtën dje mitingun më të madh, të tubuar në sheshin “Nënë Tereza”. Prova e forcës ka paralajmëruar triumfin e ditës së nesërme, vendimin për vazhdimësinë e projekteve të rëndësishme si TAP, Rruga e Arbrit apo Boshti i Jugut. Vota e shqiptarëve do jetë për projektin e Shqipërisë së zhvilluar me demokratët dhe Sali Berishën, 2013-2017
Tirana Blu mbledh 500 mijë veta në shesh

Nga “Nënë Tereza”, fitorja e Partisë Demokratike dhe Sali Berishës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të ditës së nesërme, merr përmasa epike dhe bekohet nga entuziazmi i atyre gjysmë milionë mbështetësve demokratë në shesh. Mbi 500 mijë njerëz iu bashkuan dje entuziazmit dhe emocionit të fitores së PD, duke e shndërruar kështu datën 21 qershor, një festë më vete, para festës së madhe. Si asnjëherë më parë në këto 22 vite pluralizëm politike, Tirana nuk gjëmonte dhe nuk i lëshohej ovacioneve entuziaste të partive politike, por dita e djeshme kishte një specifikë të veçantë; shqiptarët si dhe tiranasit i shprehën besnikëri alternativës së ndryshimit dhe lartësuan fort “flamurin e fitores”. Kjo sepse ndryshimi është i prekshëm. Shqipëria po ecën përpara në rrugën drejt Europës së Bashkuar. Shqiptarët duan vazhdimësinë e projektit të zhvillimit me Partinë Demokratike dhe jo alternativat eksperimentale të autobusit mavi që mbi gjithçka ka si qëllim të vetëm bllokimin e Shqipërisë, përmbysjen e të gjitha arritjeve dhe njollosjen e imazhit të vendit në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. Tirana i tha “Po” zhvillimit, i tha “Po” pagave dhe pensioneve më të larta, i tha “Po” integrimit. 500 mijë njerëz në shesh ishin një zë i fuqishëm për vazhdimin e kursit, një zë i fuqishëm që refuzon me neveri alternativën e ngecjes së Shqipërisë. Dita e nesërme është një ditë historike. Ajo do të memorizohet tek shqiptarët si dita e ndarjes përgjithmonë nga segmentet e bllokut dhe bllokmenëve. Nga dita e nesërme, falë votës së shqiptarëve, Shqipëria do të ecë gjithnjë e më shumë përpara, drejt realizimit të projektit Shqipëria vend i zhvilluar, Shqipëria vend evropian, 2013-2017.

Berisha: Përtej bindjeve politike, të bashkohemi për ta bërë Shqipërinë vend të zhvilluar

Kryeministri: Votoni programin e PD për 250 mijë vende të reja pune, rritje të pagave dhe pensioneve, marrjen e statusit të vendit kandidat në BE si dhe për liberalizimin e vizave me SHBA

Mitingu përmbyllës i Partisë Demokratike, për zgjedhjet parlamentare të ditës së nesërme, nisi mbrëmë në orën 19:44 minuta, kjo si simbolikë e numrit që PD ka në fletën e votimit. I konceptuar si një koncert festiv, me pjesëmarrjen e këngëtarëve më të mirë në vend, sheshi “Nënë Tereza” mblodhi mijëra qytetarë të Tiranës, por edhe nga rrethet e tjera të vendit në mbështetje të forcës së tyre politike dhe aleancës së djathtë. Kryeministri Sali Berisha përshëndeti të pranishmit në këtë miting madhështor, si dhe foli për shpresën dhe mundësinë që ofron Partia Demokratike me programin për Shqipërinë e zhvilluar në katër vitet që vijnë. Kreu i selisë blu është ndalur në pikat kyçe të ofertës së demokratëve, te projekti i Shqipërisë vend i zhvilluar, në 250 mijë vende pune për shqiptarët, mbështetja për fermerët dhe biznesin, procesi i integrimit me statusin e kandidatit dhe çelja e negociatave në BE, si dhe me reformat për liberalizimin e vizave me Shtetet Bashkuara të Amerikës. Në saj të kësaj oferte, kreu i mazhorancës ka ftuar të gjithë shqiptarët, që të votojnë numrin 44  si alternativa që përmbush interesat e tyre. “Qytetarë dhe qytetare të Tiranës, popull shqiptarë, përshëndetjet më të përzemërta, më vëllazërore, mirënjohjen më të thellë, ndaj të gjithë atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, të gjithë qytetarëve  nga Gjirokastra, Vlora, Fieri, Berati, Korça, Elbasani, Durrësi, Lezha, Shkodra, Peshkopia, Kukësi nga të gjitha qarqet, të gjitha rrethet, të gjitha qytetet, të gjitha fshatrat,  kudo që jeni sonte përshëndetjet me vëllazërore. Populli i vendit tim. Uragani i fitore sot më gjigant se kurrë në sheshin e Tiranës është uragani i dashurisë, i respektit, i mirëkuptimit për çdo shqiptarë pavarësisht nga bindjet politike, është uragani i shpresës, i besimit tek njëri-tjetri, besimit tek e ardhmja, është uragani i forcës suaj”- iu drejtua Berisha gjysmë milion të pranishmëve në sheshin “Nënë Tereza”. Thirrja e kreut të qeverisë ishte përtej bindjeve politike; të gjithë të mbështesin rrugën e zhvillimit me Partinë Demokratike. “Qytetarë shqiptarë, të të gjitha bindjeve politike, të forcës suaj për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit, të forcës suaj për të ecur së bashku përpara në rrugën e mirëqenies,  të forcës suaj për të ecur së bashku përpara në rrugën e punësimit, të forcës suaj për të ecur bashkë përpara për të bërë Tiranë, për të bërë Shqipërinë, për të bërë qytetet dhe fshatrat e saj, Tiranë të zhvilluar, Shqipëri të zhvilluar, fshatra dhe qytete të zhvilluara. Ora e madhe po afron, le të bashkohemi ne, gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë, që i besojnë vetes, i besojnë njëri- tjetrit, i besojmë Zotit, i besojmë Shqipëri, se me punën tonë, me mundit tonë, me djersën tonë do të ecim përpara, do të ecim drejt zhvillimit, drejt integrimit në Bashkimin Europian. Sonte në këtë shesh jemi mbi gjysmë milioni, por me datën 23 duhet të jemi të gjithë së bashku dhe unë jam këtu për tu garantuar juve, se ne ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, ëndrrën e Shqipërisë vend i zhvilluar, Shqipërisë Zonjë, siç e quante Sami Frashëri, do ta bëjmë realitet, për çdo shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tij. Bashkohuni me Tiranën në uraganin e saj për të ecur përpara drejt mirëqenies, të shndërrojmë në realitet ëndrrën tonë, për një jetë më të mirë. Vota juaj do të jetë votë për mirëqenien, fitorja juaj do të jetë fitore për rroga më të larta, për pensione me të larta, fitore për vende pune, për të gjithë shqiptarët, fitore për të rejat dhe rinjtë e Shqipërisë, të cilët do të vendosin Shqipërinë në shinat e dijes, të cilët do të ndërtojnë Shqipërinë siç kanë ëndrrën e tyre të bukur, të cilët do të ndërtojnë shtëpinë e tyre në një Shqipëri të zhvilluar, Shqipëri Europiane. Të reja dhe të rinj shqiptarë, të të gjitha bindjeve, bashkohuni me ne, për një shkollim më të mirë, për shkollim më cilësor. Punësimi juaj, talenti juaj, energjia juaj do të jenë leva e Arkimedit për Shqipërinë e zhvilluar. Ju jeni energjia, ju jeni entuziazmi, ju jeni pasioni, ju jeni vizioni i Shqipërisë së viteve që vijnë. Bashkohuni me ne pavarësisht nga bindjet partiake, dinjiteti juaj është dinjiteti ynë, roli juaj është përparësia jonë, forca juaj është vendimtare për zhvillimin e  shoqërisë. Së bashku do të bëjmë betejën më të madhe, betejën legjendë kundër murit të patriarkisë, do të shembim mure do të ngushtojmë hendeqe, do të luftojmë si njerëz të lirë midis të lirëve për barazinë e gruas me burrin, e vajzën me djalin, e vëllait me motrën, e  nenës me babain. Progres të pamohueshëm kemi arritur këto vite, por progresi më i madh është i domosdoshëm, ndaj dhe të bashkohemi katër vitet që vijnë për të zhvendosur në një horizont tjetër rolin tuaj, për të bërë gjithçka për gratë tuaja, paprekshmërinë tuaj, për të bërë gjithçka për karrierën tuaj”- u shpreh Berisha.
Ai theksoi se alternativa e PD mbështet zhvillimin e biznesit, përmes modelit të taksave të ulëta i cili gjeneron vende pune. “Biznesmen dhe biznesmene të Shqipërisë, pavarësisht nga bindjet tuaja, me 23 qershor bashkohuni me ne, se bizneset tuaja i rriten. Ju gra dhe burra të mençur, guximtarë dhe punëtorë, por bizneset tuaja i rritët ju, sepse patët dhe do të keni gjithnjë e më të gjerë lirinë ekonomike, taksat e ulëta, taksa e të dhjetave është taksa, që do të mbetet përgjithmonë në Shqipëri. Katër vjeçari i ardhshëm do të jetë katërvjeçari i partneritetit të madh, midis jush dhe nesh, me të cilin ne do të shpejtojmë zhvillimin e Shqipërisë, krijimin e dhjetëra mijëra vendeve pune ne biznese e të gjitha kategorive në industri. Biznesmen dhe biznesmene shqiptarë, bashkohuni me ne Shqipërinë turistike, ta bëjmë vendin më të preferuar të turizmit në Europë. Taksa e industrisë turistike do të përgjysmohet menjëherë pas zgjedhjeve, fitorja është taksë  e ulët për ju”- tha Berisha.
Kryeministri iu drejtua edhe fermerëve ku premtoi trefishimin e granteve për bujqësinë gjatë mandatit të ardhshëm. “Bashkohuni me ne pavarësisht nga bindjet partiake, sepse ne do të bëjmë gjithçka për suksesin tuaj, të fermave tuaja, do të trefishojmë grandet do të paguajmë gjithçka me para në dorë, për gjërat materialet që ju përdorni për prodhimin. Me ne së bashku Shqipërinë ju do ta shndërroni në kopshtin më të bukur të Europës jug-lindore”.
Një mesazh të veçantë Berisha i drejtoi të rinjve dhe të rejave, ku theksoi se mandatin e ardhshëm do çelen negociatat e anëtarësimit në BE si dhe do liberalizohen vizat me SHBA. “Të rinj, të reja, studentë, studente, burra, gra, të moshuar, shqiptarë të të gjitha bindjeve politike, ky uragan ju fton vëllazërish, njerëzish, të bashkoheni me ne, në rrugën tonë drejt të ardhmes Europiane. Rruga drejt Europës është e ardhmja e ndritur për çdo shqiptarë, për fëmijët tanë për fëmijët e fëmijëve tanë. Le të bashkohemi ne së bashku të marrim statusin e vendit kandidat gjatë këtij viti me reforma e përpjekje të mëdha do të bëjmë gjithçka për të hapur negociatat. Ëndrrat tona janë ëndrra fisnike, janë ëndrra që bëhen gjithnjë e më shumë të vërteta, por shumë kemi për të bërë e për ti bërë ato realitet.
Zonja dhe zotërinj, qytetarë dhe qytetare shqiptarë, popull shqiptarë bashkohuni me uraganin e Tiranës, bashkohuni me ne, së bashku katër vitet që vijnë të bëjmë çdo reformë për të liberalizuar vizat me vendin e madh të lirisë, SHBA. Le të bashkohemi  ne me energjitë tona, entuziazmin tonë, të ecim përpara drejt zhvillimit të ecim së bashku drejt integrimit të bashkohemi me 44-ën, numrin e fatit, numrin e  bekuar të të ardhmes.
44 është viti i jetës sime, por unë bekimin më të madh të tij dhe të Zotit e konsideroj faktin se Zoti dhe 44 me dhanë mundësi mua të jem shërbëtori juaj, të jem shërbëtor  i përvuajtur, besnik i palëkundur i  interesave, i aspiratave, idealeve tuaja. Ky është bekimi më i madh i zotit dhe vitit 44 për Sali Berishën. Ndaj dhe le te ecim së bashku në rrugën e së ardhmes, rrugën e Zotit, rrugën e fatit”- përfundoi kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›