Berisha dhe Alibeaj, 2 lista me anëtarët e KZAZ, Celibashi: Po verifikojmë dokumentet! PD rrezikon të mos regjistrohet në zgjedhje

Partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike, rrezikon të mos regjistrohet në zgjedhjet vendore të 14 majit, për shkak të konfliktit se kush e drejton atë. Kështu ka deklaruar kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, në një kohë kur PD, e ndarë nga njëra anë me grupimin e Sali Berishës dhe nga ana tjetër ai i Enkelejd Alibeajt, ka dorëzuar 2 lista të ndryshme me anëtarët e KZAZ-ve.
“Do duhet të angazhohet tani për të gjetur zgjidhje. Nuk mund të bëjmë sikur ska ndodhur asgjë. PD mund edhe të mos regjistrohet”, tha Celibashi.
Ai deklaroi se ata kanë nisur verifikimin e dokumentacionit, ku pritet të bëhet vlerësimi i legjitimitetit mbi propozimet, teksa shtoi se vendimmarrja do të jetë në respekt të ligjit. Celibashi u kujdes të theksonte se institucioni që ai drejton nuk ka asnjë lloj droje për të vendosur në përputhje me ligjin dhe se do të ishte naivitet të mendohej se vendimarrje mund të bazohet nga urdhërat e dikujt tjetër.
“Nëse do e bënim formale do isha formal në përgjigjet e mia. Do e merrni vesh kur të vendoset se cila prej listave do pranohet. Por nuk do bëj hipokritin dhe të them se nuk e njohim realitetin politik të momentit. Është ky fakt, pra kemi 2 propozime për anëtarë të KZAZ-ve nga z. Indrit Sefa përfaqësues i PD në KQZ që prej marsit të vitit të kaluar, kemi dhe një propzoim për anëtar të KZAZ-ve të sjellë nga Flamur Noka, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të PD. Formalisht kemi 2 kërkesa dhe do na duhet të bëjmë vlerësimin e legjitimiteteit. Do e bëjmë, jemi në proces verifikimi të dokumentacionit mbi propozimet e anëtarëve të KZAZ-ve, edhe të partive të tjera. Është procedurë që rëndom KQZ e ka bërë dhe për rastin konkret e njejta procedurë do ndiqet por ka edhe këtë të shtuar si aspekt vlerësues se kush është ai që ligjërisht ka të drejtën. Ne do vendosim për këtë. Por, sikurse thashë, ky është realiteti dhe realisht mua më vjen keq që gjendemi në këtë situatë, nuk kemi asnjë interes politik. Do duhet të vendosim, kjo vendimarrje do jetë në respekt të ligjit. Do ishte naivitet nëse dikush do mendonte se kjo vendimarrje bazohet nga urdhërimet e dikujt tjetër, dhe po kaq keq nëse kjo vendimarrje do ishte rrjedhojë e simpatisë politike të KQZ. Nuk kemi asnjë lloj droje për të vendosur në përputhje me ligjin”, u shpreh Celibashi.
/rtsh.al/