Berisha dhe Imami nuk ndalen, vijojnë ankandet për shitjen e pronës shtetërore
Ministritë shqiptare dhe drejtoritë rajonale, pavarësisht faktit se po kalojnë një periudhë transitore të dorëzimit të pushtetit, po vijojnë me shpejtësi procesin e shitjes së pronës shtetërore.
Ministria e Mbrojtjes mban edhe numrin më të madh të pronave që po kalon tek sektori privat përmes ankandeve që po realizon.
Siç shkruhet në gazetën Shqip, bie në sy kalimi tek privati i pronave ushtarake, ofiçinave, të cilat janë në vende të lakmuara bregdetare, në Ksamil dhe në Vlorë.
Megjithatë procesi është shtrirë edhe te fabrikat shtetërore, postat e policisë, madje edhe objekte si teatro të kukullave.
Vetëm për muajin korrik Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave ka përcaktuar dy data ankandi për tetë objekte që dalin në shitje, katër prej të cilave i takojnë Ministrisë së Mbrojtjes.
Në Ksamil kjo ministri ka nxjerrë në ankand një sipërfaqe prej 3000 metra katrorë, me vlerë fillestare ankandi prej 12 milionë lekësh.
Në Babicë ka nxjerrë për shitje një sipërfaqe prej 625 metra katrorë, me vlerë ankandi fillestare 2 milionë lekë.
Po ashtu në ankand do nxirren grup depo municioni, Berat, fabrikë dhe depo luledielli në Delvinë, Posta e policisë Kufitare në Fier dhe ish- teatri i kukullave në Kukës.
Edhe pse ministri i Mbrojtjes Arben Imami është akuzuar vazhdimisht nga PS për shitjen e pasurisë dhe pronës shtetërore, duket se ai nuk ka ndërmend të ndalet./A.XH