Berisha dhe Jahjaga takim për 100-vjetorin e Pavarësisë
TIRANË Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Presidenten e Republikës së Kosovës, Ahtifete Jahjaga. Gjatë këtij takimi Berisha shfrytëzoi rastin për t’i përcjellë presidentes Jahjaga dhe të gjithë krerëve të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve të Kosovës urimet më të përzemërta për festat e fundvitit. Nga ana tjetër, edhe presidentja Jahjaga i përcolli Kryeministrit dhe gjithë popullit shqiptar urimet më të mira për Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2012. Krahas urimeve reciproke, gjatë takimit, Berisha dhe Jahjaga shprehën bindjen se viti i ardhshëm do të jetë për qytetarët e të dy vendeve një vit edhe më i mirë, ku ata do të çojnë përpara projektet e tyre madhore për zhvillim dhe integrim europian. Në takim u rikonfirmua vullneti i të dy vendeve për të intensifikuar përpjekjet për konsolidimin e bashkëpunimit dypalësh, por edhe atë rajonal. Ky intensifikim do të arrihet në mënyrë që shqiptarët të shndërrohen gjithnjë e më shumë në një faktor për zgjerimin e bashkëpunimit e miqësisë me të gjithë popujt e rajonit. Duke u ndalur në 100-vjetorin e pavarësisë së vendit, Berisha dhe Jahjaga ripohuan se në këtë vit jubilar do të kremtohet duke nderuar me solemnitetin më të lartë qytetar dhe respektin më të thellë ngjarjet dhe figurat historike vendimtare që nga Lidhja e Prizrenit deri te Pavarësia e Kosovës.