Meta: Dera e LSI-së për Islamin është e hapur
TIRANË Pas takimit të zhvilluar me Lëvizjen e Gruas për Integrim në qytetin e Elbasanit, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaron se dera është e hapur për Kastriot Islamin, i cili u përjashtua nga radhët e grupit parlamentar të PS-së. “Aderimet në çdo forcë politike bazohen në dëshirën dhe në vullnetin e çdo individi. Natyrisht që kjo nuk është pyetje e përshtatshme për mua, por për z.Islami . Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike e cila pranon gjithkënd i cili është në harmoni të plotë me statutin e saj dhe me qëllimet e saj programore”, - tha Meta. Kryetari i LSI-së shtoi se rasti “Islami” është një precedent negativ dhe i pa pranueshëm për standardet demokratike, por edhe një fenomen i panjohur edhe për vetë Partinë Socialiste në të kaluarën: “Për më tepër, duke pasur në konsideratë të vetë z.Islami, që ka pasur që nga themelimi dhe transformimi i partisë, pra që nga Partia e Punës në Partinë Socialiste dhe njëkohësisht dhe në pozicionet e ndryshme që z.Islami ka përfaqësuar këtë forcë politike, por dhe profili i tij tepër i lartë intelektual dhe shkencor, që ka qenë një vlerë e shtuar e asaj partie”. Sa i përket debatit të hapur për çështjen e Presidentit, kryetari i LSI-së shprehet se është ende herët. “Mendoj se jemi tepër herët për të folur për këtë çështje, kështu që unë nuk dua të bëhem pjesë e spekulimeve, por natyrisht ne do të punojmë si LSI për të qenë gjithnjë pjesë e zgjidhjes”,- tha ai. Duke iu referuar konsensusit të arritur për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Meta u shpreh se kjo frymë duhet të vijohet për të plotësuar reformat që kërkon procesi i integrimit europian me qëllim përmbushjen e të gjitha rekomandimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat.