E Diel, 1 Nëntor 2026

Petro Koçi: Kodi, duhet korrigjim kombëtar sipas formulës 100 plus 40

Kryetari i PSV91, Petro Koçi shpjegon projektin politik me Gjinushin e Milon në krijimin e një federate brenda së majtës. “Propozimet tona, të cilat ia dërguam komisionit të Reformës Zgjedhore, risjellin frymën pluraliste në përfaqësimin parlamentar”. Përjashtimi i Islamit? U legalizua një divorc i hershëm mes tij dhe PS

Intervistoi: Ermira Mrruku

Kreu i PSV91 dhe njëri prej aleatëve të opozitës së bashkuar, Petro Koçi, në një intervistë për gazetën “MAPO” ka komentuar takimet e shpeshta që janë zhvilluar së fundmi mes tij, Skënder Gjinushit dhe Paskal Milos. Koçi është shprehur se këto takime janë bërë në kuadër të krijimit të një federate, e cila sipas tij do të jetë dinamike dhe e suksesshme në sfidën ndaj planit financiar dhe politik të aleatëve pranë PD.

Para disa ditësh keni pasur një takim me Gjinushin dhe Milon, ku keni deklaruar se keni krijuar një koalicion tjetër opozitar. Çfarë është kjo lëvizje?

Është një iniciativë që konsiston në bashkimin dhe shkrirjen e veprimit politik,organizativ dhe sidomos atij elektoral të tri partive të majta aleate të PS, të PSD, PDS e PSV91. Besoj se do ketë formën e një federate të bashkuar, ku partitë përbërëse ruajnë identitetin, por që garanton dinamizëm të sigurt në betejën politike. Federata jonë kompenson realitetin politik përballë ku PD-ja ka aleatë të fortë në planin financiar dhe politik si LSI, PDIU etj. Ky bashkim ia arrin të sfidojë politikën oligarkike që po luajnë grupet e fuqishme financiare në vend e që janë përqendruar rreth mazhorancës aktuale. Duke llogaritur numrin e votave në raundet e fundit zgjedhore, federata e bashkuar shndërrohet automatikisht në forcën e tretë elektorale në vend.

Bëhet fjalë vetëm për një bashkëpunim në kuadër të fushatës zgjedhore, apo nuk përjashtohet edhe mundësia për të dalë të vetëm në zgjedhjet e ardhshme?

Deri tani nuk ka ndonjë pikëpyetje ndaj qenies sonë në koalicionin “Aleanca për të Ardhmen”, pra në bashkëpunimin strategjik me PS-në. Ky koalicion funksionoi më mirë se më parë në zgjedhjet vendore, pavarësisht se ka vend për përmirësime. Gjithsesi, në përputhje me Kodin Zgjedhor ne do të marrim vendimet përkatëse, por gjithmonë në funksion të fitores së të majtës në sfidën e ardhshme elektorale. Ne e ftojmë LSI-në që për t’u ribashkuar me koalicionin tonë të ndërmarrë veprimin politik të rrëzimit të qeverisë ‘Berisha’. Mendoj se ky hap mund të ngushtonte në afërsinë e duhur hendekun e krijuar mes koalicionit tonë dhe kësaj partie.

Kryeministri Berisha deklaroi para disa ditësh se PD është kundër ndryshimit të sistemit zgjedhor. Nga PS keni marrë garanci lidhur me këtë çështje?

Asnjë nga palët me të drejtë vetoje nuk mund të marrë garanci për ndryshim të Kodit, sepse garancia mund të jepet vetëm në formë bipartizane. Vetoja është një e drejtë disaprovuese dhe jo aprovuese. Por PS-ja ka nënshkruar me gjithë opozitën vendimin për korrigjim kombëtar të proporcionalit rajonal aktual. Ajo ka përshëndetur edhe tryezën e përbashkët të partive aleate të të dyja kampeve, pra të PD-së edhe PS-së. Duket që Berisha ka frikë nga ndryshimet drejt demokracisë dhe pluralizmit të këtij Kodi përjashtues dhe monopolist që fatkeqësisht mban firmën konsensuale të PS-së e PD-së. Mendoj se demokracia dhe parlamentarizmi janë në udhëkryq. Me këtë Kushtetutë dhe Kod Zgjedhor do të kemi riciklim krizash të rënda politike edhe sikur zgjedhjet të zhvillohen të pastra e të ndershme.

Në rast se nuk arrini të bindni partitë e mëdha të ndryshojnë sistemin zgjedhor, do të vazhdojë bashkëpunimi juaj me PS-në?

Ne do shohim në vijim qëndrimin hap pas hapi të PS-së. Nuk besoj se PS ka interes të bëjë hile në marrëdhëniet me opozitën për sa i përket reformës zgjedhore. Në politikë nuk ka engjëj, por funksionojnë interesa. Mjerisht, interesat e ngushta i mundin interesat e gjera publike dhe kombëtare. Demokracia po bën hapa mbrapa për shkak të këtij morali të fëlliqur politik që sundon një pjesë të madhe të klasës politike. Duhet kuptuar se ndryshimi në Kod nuk duhet bërë për interesat e partive dhe kryetarëve të tyre, por për rritjen e pushtetit të qytetarit mbi qeverisjen dhe politikën, për garantimin e një pluralizmi real në funksionimin e parlamentit.

A keni bërë propozime konkrete për përmirësimin e sistemit zgjedhor?

Tri partitë e majta, PSD, PDS e PSV i kanë dërguar komisionit të Reformës Zgjedhore propozimet e tyre të përbashkëta për përmirësimin e sistemit zgjedhor dhe të Kodit Elektoral. Në shkresën përkatëse, këto tri parti propozojnë korrigjim kombëtar të proporcionalit rajonal nëpërmjet formulës 100 plus 40, si një formulë që risjell frymën pluraliste në përfaqësimin parlamentar, limiton monopolet politike, sjell në parametra objektivë përfaqësimin e votës popullore në mandate parlamentare dhe garanton moderacion antikrizë në funksionimin e parlamentit. Krahas propozimeve për sistemin, tri partitë kanë kërkuar edhe reforma në procesin e identifikimit të zgjedhësve nëpërmjet teknologjisë biometrike, në numërimin e votave nëpërmjet skanimit elektronik, në përbërjen e administratës zgjedhore, si edhe në çështje të tjera si financimi i subjekteve elektorale e pasqyrimi mediatik i fushatës zgjedhore të këtyre subjekteve. Dokumenti i përbashkët është produkt i takimeve të shpeshta mes kryetarëve Gjinushi, Milo e Koçi në ditët e fundit.

Ditët e fundit, PS ka përjashtuar nga grupi parlamentar Kastriot Islamin, si një nga ish-deputetët e kësaj force. Si një aleat i saj, si do ta komentonit këtë veprim?

Është një ngjarje negative, që mund të shmangej me investimin e të dyja palëve. Mendoj se u legalizua një divorc i hershëm mes PS-së dhe zotit Islami. Edhe vetë Islami nuk u përpoq ta shmangte këtë gjë. Nuk po them të hiqet dorë nga pikëpamjet politike, por mund të ndiqej një rrugë e ndryshme në etikën e shprehjes së qëndrimeve. Më bëri përshtypje që zoti Islami mbeti vetëm në këtë histori. M’u kujtua ajo çka ndodhi me mua. Veçse unë ndoqa një rrugë tjetër. Zbatova vetë statutin, kur nuk iu binda vendimit të grupit për të votuar atë kushtetutë të rrezikshme për vendin dhe demokracinë. Uroj që zoti Islami të mbetet në të majtë dhe në opozitë në sjelljen e tij politike deri në zgjedhjet e reja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›