Berisha dhe Meta prezantojnë kandidatin e “Bashkë Fitojmë” në Sarandë: Kandidati i Ramës do sjellë mafian e Durrësit

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i PL-së, Ilir Meta kanë prezantuar në Sarandë kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 majit, Ardit Cikulin.
Në fjalën e tij, Berisha nuk la pa “sulmuar” kandidatin socialist Oltion Caci, ndërsa u shpreh se “ai vjen në Sarandë për të sjellë mafian e Durrësit”.
“Po marrim kandidatët, ja ku është zoti Cikuli, ja ku është zoti Shero. Ku është ai kandidati i Sarandës, a e dini ju kush është ai? Ju se njihni asnjë, nuk e njeh asnjë socialist. Ju them unë kush është ai. Asnjë socialist nuk e njeh. Ai vjen nga Durrësi, ai vjen me mision të kobshëm, ai vjen për të sjellë këtu mafian e tmerrshme të Durrësit. Sepse e shofin se Durrësi po u ikën, Igli Cara do të fitojë dhe tani kërkojnë zona për veprimtarinë e tyre kriminale dhe mendojnë se mund të mashtrojnë sarandiotët”, tha Berisha.
Meta u ndal te alternativa e Cikulit, teksa tha se vizioni i tij për qytetin bregdetar të Sarandës është një vizion “realist dhe i një profesionisti të nivelit më të lartë”.
“Vizioni i Ardit Cikulit është një vizion i mrekullueshëm, është një vizion realist, është një vizion i një profesionisti të nivelit më të lartë, nisur edhe nga formimi i tij intelektual, profesional, por mbi të gjitha është një vizion që ka themele të forta, sepse në themelet e këtij vizioni është dashuria e tij për Sarandën, për qytetin e tij. Dhe kjo është shumë e rëndësishme, dhe është një mundësi të cilën duhet ta përqafojnë të gjithë sarandiotët, pavarësisht nga partitë, sepse Saranda duhet të jetë më e rëndësishme se çdo lloj partie. Kjo është edhe fuqia e koalicionit tonë “Bashkë Fitojmë”, sepse qëllimi ynë ka qenë pikërisht ky: të paraqesim kandidatë, të cilët do të mbrojnë në radhë të parë interesin e qytetarit kudo në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Meta.
/rtsh.al/