Berisha dhe demokracia shqiptare
Siç dihet, ditët e 2-3 muajve të parë të çdo viti, në të gjithë Shqipërinë përkujtohen përvjetorët e krijimit të degëve të Partisë Demokratike në rrethe të ndryshme të vendit. Këtë vit, përshembull, u përkujtua 19-vjetori i një ngjarjeje të tillë, e shndërruar tashmë në një traditë të bukur. Ky është një rast, ku më shumë se çdo herë tjetër, demokratët risjellin në kujtesë ngjarjet dhe protagonistët e atyre ditëve të vështira.
Në kuadër të organizimit të këtyre ceremonive, fundjavën që shkoi, së bashku me dy miqtë e mi, Tomorr Xhani dhe Adem Berisha udhëtuam drejt Tepelenës për të marrë pjesë në festën e 19-vjetorit të themelimit të PD-së së këtij rrethi, me ftesë të kryetarit të kësaj dege, z. Bujar Kapllani. Ishte hera e parë që rrugën Tiranë-Tepelenë, nuk e kam ndjerë fare, për shkak se gjatë gjithë kohës së udhëtimit tregonim kujtime të atyre ditëve historike për fatet e vendit dhe popullit tonë. Këto kujtime ishin të pranishme edhe në drekën e organizuar me këtë rast nga dega e PD-së Tepelenë. Në shumicën e tyre këto kujtime tregojnë për rolin dhe kontributin e veçantë të “Doktorit” në krijimin dhe shtrirjen degëve të PD-së në të gjithë vendin. Ndaj urimi i parë në çdo festë të tillë shkon për kryetarin Berisha, pa ta cilin zor se PD-ja dhe demokracia në përgjithësi do të kishin ndriçuar rrugën e zhvillimit dhe integrimit të të vendit në këto parametra që është sot. Në këtë kuptim lideri demokrat Prof. Dr. Sali Berisha do të mbetet, kohë pas kohe, simbol i demokracisë shqiptare, pasi para sesa të krijonte Partinë Demokratike, ai guxoi të shpalosë në shtypin shqiptar dhe forumet politike të kohës pikëpamjet e tij demokratike, duke filluar që nga muaji gusht i vitit 1990, në takimin e inteligjiencës krijuese të kryeqytetit me kreun e PPSH-së dhe kreun e shtetit të asaj kohe, Ramiz Alinë, ku ai flet për pluralizmin. Në atë takim ka patur edhe intelektualë të tjerë, por Berisha spikati për rolin aktiv më shumë se secili prej tyre. Por ajo ç’ka është e rëndësishme të thuhet lidhet me faktin se ai mbetet i vetmi pjesmarrës i këtij takimi që i çoi deri në fund dhe i shndërroi në realitet propozimet e tij për pluralizimin dhe demokracinë shqiptare, duke u krijuar kështu mundësi të shijojnë dhe ushqejnë politikën mjaft intelektuale të tjerë shqiptarë, përfaqësues të forcave të ndryshme politike në këtë vend.
Por roli dhe kontributi i Prof. Dr. Sali Berishës në demokracinë shqiptare vazhdon të komentohet gjerësisht, në forma të ndryshme nga aktorët tanë politikë dhe publiku i gjerë. Për një pjesë njerëzish ai është personi më problematik i viteve të tranzicionit, kurse për disa të tjerë simbol i zhvillimeve të ndryshme demokratike që ka pësuar vendi ynë këto 19-20 vitet e fundit. Lidhur me këtë çështje u diskutua edhe para pak ditësh në emisionin “opinion” të Blendi Fevziut, ku pjesmarrësit, si zakonisht, ishin të ndarë në dy grupe, që kishin pikpamje diametralisht të kundërta me njeri-tjetrin. Kësisoj përfaqësuesit e të majtës, jo vetëm që nuk i njohin atij asnjë meritë, por përkundrazi, i faturojnë edhe përgjegjësinë për mjaft ngjarje negative që kanë ndodhur pas viteve ’90, sidomos ato të vitit të zi ‘97. Ndërsa këto 4-5 vitet e fundit, duke qënë se dështuan në skenarin e tyre ogurzi për njollosjen e figurës së liderit demokrat me “revolucionin demokratik të vonuar” të ’97-ës dhe “grushtin e shtetit” të ’98-ës, e drejtuan objektivin e goditjes nga individi Berisha tek familja e tij, që ka përbërë pikën më të fortë, kohë pas kohe; si një model i familjes së rregullt shqiptare. Pjellë e këtyre mendjeve diabolike është edhe togfjalëshi: “familja kryeministrore”, duke e përdorur atë si kapak të shpifjeve dhe denigrimeve të shumta që prodhon kampi i kuq i politikës shqiptare. Duke qënë se rezultatet e punës si politikan dhe kryeministër janë publike dhe nuk mund të konstestohen aq lehtë në publik, të majtët e kanë përqëndruar sulmin tek cilësia e tij si kryefamiljar, për shkak të kofidencialitetit që përmban jeta familjare në përgjithësi. “Në se gjithëçka që thuhet për familjen Berisha është po kaq bllof, si ajo që unë kam dëgjuar për praninë e saj si aksionere në fabrikën e ujit “Trebeshina”, atëherë s’ka as një për qind të vërtetë në ato që thuhen lart e poshtë për familjarët e kryeministrit”, më thoshte një shok që e njeh mirë pronarin e këtij biznesi privat në Shqipëri. Faktikisht nuk ka investim serioz në Shqipëri, ku të mos përfshijnë si aksionerë djalin, vajzën apo të afërm të tjerë të kryeministrit Berisha. Mirë që nuk thonë se, edhe anëtarësimi në NATO, sjelljen në Tiranë të presidetit Bush apo marrja së shpejti e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në Bashkimin Europian janë favore që ndërkombëtarët i bëjnë Berishës për shkak se ai e blenë me para një mbështetje të tillë (!?).
Lideri demokrat, Prof. Dr. Sali Berisha është në mandatin e dytë si kryeministër i vendit, në përfundim të të cilit pritet anëtarësimi i plotë i vendit në Bashkimin Europian. Gjatë mandatit të parë, në vitet 2005-2009, Shqipëria shënoi arritje historike në procesin e integrimit euro-atlantik. Nënshkrimi i MSA-së, ratifikimi i saj nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe aplikimi për statusin e vendit kandidat përbëjnë ngjarjet më të rëndësishme drejt anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Po kështu gjatë mandatit të parë qeverisës të Berishës, brenda një kohe të shkurtër, kanë ndodhur të gjithë hallkat e anëtarësimit të vendit në NATO. Nëse do të heqim aktin e çeljes së negociatave për MSA-në, që u krye në vitet e mandatit të dytë të socialistëve, të gjitha etapat e tjera të integrimit tonë euro-atlantik janë realizuar nga dy qeveritë e demokratëve. Këto procese të rëndësishme do të mbeten në histori si një protagonizëm eskluziv i të djathtëve me në krye Sali Berishën, sikundër ka qënë i tillë për të majtët rrebelimi dhe dëmtimi komunist i hapave tanë integrues, herë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe herë indirekte, duke filluar nga “molla e pabërë” tek frytet e tjera të papjekura të qeverisjes së tyre nga hija e rëndë e krimit dhe korrupsionit apo pushteti personal i Edvin Ramës, këto kohët e fundit. Sidoqoftë ne nuk mund t’i vlerësojmë realisht përpjekjet integruese të bëra nga Sali Berisha dhe qeverisjet e demokratëve, nëse nuk sjellim ndërmend gjithë rrugën e përshkuar deri tani duke filluar nga koha vendimtare dhe hapi i parë që u hodh në këtë drejtim, këtu e 19 vjetë të shkuara, në mesnatën e 8 dhjetorit 1990, ku studentët e ngritur kundër regjimit komunist artikuluan për herë të parë thirrjen: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Qysh nga 22 marsi i ’92-shit, kur shqiptarët votuan në mënyrë plebishitare për të djathtën, Partia Demokratike e Sali Berishës asnjëherë gjatë viteve të pushtetit të saj nuk i zhgënjeu shqiptarët e etur për liri dhe demokraci, pavarësisht situatës së vështirë në të cilën e morri për herë të parë drejtimin e pushtetit dhe stërkëmbshave komunist që iu vendosën asaj në ato vite. Ishte gati utopi ta mendoje Europën në një kohë kur alarmi komunist për “6 ditë bukë” i Ylli Bufit jehonte ende në veshët e qytetarëve shqiptarë. Inflacioni ishte treshifror, kurse ekonomia e vendit mbahej me ndihma humanitare. Të ashtuquajturat fabrika, uzina dhe ndërmarrje të tjera prodhuese të monizmit po falimentonin njera pas tjetrës, bujqësia ishte paralizuar dhe papunësia kishte arritur shifra rekord. Karvanët e emigrantëve shqiptare vërrshonin çdo ditë në të gjithë drejtimet, përtej kufijëve tanë shtetror dhe vendi i ngjante një gërmadhe gjigande. Kishte shumë nga ata që mendonin se kishin përfunduar nga “shiu në breshër”. Por qeveria e Partisë Demokratike operoi më shpejtësi për të ndryshuar situatën, duke ndërmarrë reforma të shumta për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe instalimin e ekonomisë së tregut si e vetmja rrugë për zhvllimin dhe integrimin e vendit. Dhe rezultatet nuk munguan të vinin më shpejt se sa ishte parashikuar nga eksepertët vendas e të huaj. Kështu që qysh në vitin ’94, Shqipëria arriti të realizojë rritje ekonomike dyshifrore, ndërsa një vit më vonë nivelin më të lartë të këtij treguesi në shifrat 13,3%. Institucionet e ndryshme ndërkombëtare shpreheshin atëherë me superlativa për “mrekullinë shqiptare”, duke e konsideruar Shqipërinë “vendin e suksesit suprizë”. Më skeptikët prej tyre mendonin se, “me këtë ritëm zhvillimi, Shqipërisë nuk i duhej më shumë se një dekadë për të arritur nivelin e vendeve më të zhvilluara të Europës Qëndrore dhe Lindore”, gjë e cila do të thotë që sot vendi ynë do të ishte në BE, përkrah Polonisë, çekisë, Sllovakisë, Hungarisë, Sllovenisë, Letonisë, Estonisë, Lituanisë, etj., qysh në maj të vitit 2004. Por vlerësimi dhe inkurajimi i ndërkombëtarëve nuk ishte vetëm i natyrës verbale. Në kancelaritë perëndimore po përgatitej stimulimi konkret i këtij progresi mbreslenës, ku akti i parë domethënës në këtë drejtim ishte pranimi i Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Europës në 29 qershor 1995; një shpërblim i merituar ky sa për rezultatet spektakolare të reformave ekonomiko-shoqërore aq dhe për plotësimin e disa kushteve të tjera më shpejt se shumica e vendeve ish-komuniste të Europës Lindore. Social-komunistët e treguan menjëherë fytyrën e tyre antiperëndimore, pasi menjëherë dolën kundër anëtarësimit të vendit tonë në këtë organizëm të rëndësishëm, me teorinë e tyre maoiste të “mollës që ende nuk ishte pjekur”. Ngjarjet e mëvonshme, sidomos ato të ’97-ës treguan se ky qëndrim nuk ishte “për inat të sime vjehrre…”, po për shkak të strategjisë së tyre antiintegruese, duke dëshmuar kështu hapur origjinën dhe psikologjinë e tyre marksiste-leniniste, si mënyra e vetme bolshevike për rikthimin e pamerituar në pushtet.
Natyrisht, nuk ka asnjë mëndyshje se hapat e hedhura deri tani në rrugën e integrimit perëndimor të shqiptarëve janë meritë eskluzive e qeverisjes së demokratëve në vitet ’92-’96 dhe kryesisht ato pas vitit 2005. Po të mos ishte futur si pykë në mes qeverisja tetëvjeçare e të majtistëve, këto procese do të kishin përfunduar para vitit 2005, mbase dhe më shpejt. Ritmi i hapeve integrues këto 4-5 vitet e fundit, pse jo dhe arritjet apo vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare për realitetin e viteve ’92-’96 janë dëshmia më e mirë në këtë drejtim. Sigurisht, asgjë nuk është arritur me “frymën e shenjtë” por me punë e reforma të mëdha. Qysh në ditët e para të konstituimit të kabinetit qeveritar, kryeministri Berisha riktheu seriozitetin dhe përgjegjësinë institucionale të qeverisjes, manifestoi vullnet të hekurt për të goditur pa mëshirë krimin dhe korrupsionin, arriti të përmbysë tablonë e mjerë ekonomike dhe të ndërmarrë reforma mbreslënëse me efektivitet të lartë në konsolidimin e ekonomisë së tregut, demokracisë dhe shtetit ligjor. “Kjo është mrekulli e lirisë”, siç tha Berisha në Samitin e NATO-së në Bukuresht, por aq sa ç’është dhe mrekulli e përgjegjësisë qeverisëse të Liderit demokrat, i cili në të gjitha postet e larta drejtuese si kryetar i Partisë Demokratike dhe President e Kryeministër i vendit u bë dhe vazhdon të jetë protagonisti “Number One” i integrimit euro-atlantik të Shqipërisë. Faktet dhe historia e pluralizmit shqiptar këtë dëshmojnë, ndaj asnjë kritizerë sado i indoktrinuar dhe robëruar që të jetë s’ka rrugë tjetërveçse t’i jap PD-së dhe Berishës atë që u takon për lirinë dhe integrimin tonë. Historia nuk mund të mohohet dhe aq më pak të injorohet e deformohet kaq shumë.