Mes leksionit të Balliut dhe trashëgimisë së pamerituar të ’97-s
Për çdo shqiptar, takimi i Kryeministrit Berisha me analogun e vet italian, Silvio Berluskoni, përbën një eveniment historik domethënës. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, pas mbështetjes që i kanë dhënë liderë politikë të BE-së kërkesës së Shqipërisë për t’u pranuar anëtare me të drejta të plota në atë bashkësi shtetesh demokratike, takimi Berisha - Berluskoni është një tregues i prekshëm në këtë drejtim, që na mbush me krenari dhe, njëherësh, me shpresa për të ardhmen e vendit tonë në gjirin e Europës së Bashkuar. E dyta ngjarje me rëndësi që nuk mund të mos linte tragë në jetën e përditshme të shqiptarëve, ishte tryeza e thirrur nga Presidenti Topi për të tejkaluar ngërçin politik në të cilin e ka zhytur vendin e majta e papërgjegjshme e udhëhequr nga lideri i PS-së, Edvin Rama.
Por, ndërsa takimi i parë u kurorëzua me sukses, siç mund të gjykohet nga deklarimet e të dy kryeministrave, sipas do gjasave, e dyta mund të katandiset si kokoshi një thelë. Bonsensi i kreut të shtetit shqiptar dhe i liderit të shumicës po përplaset me nonsensin e liderit socialist, i cili kërkon dhe gjen të pamundshmen në një mori të pakufizuar të mundshmesh.
Gjithsesi, lumin e ngjarjeve shqiptare nuk e mbushin dot vetëm dy rrjedha, sado të fuqishme të jenë prurjet e tyre. I përmenda të mësipërmet si më të qenësishmet për çastet që po kalojmë. Mirëpo ka edhe ca ngjarje që, ndonëse rrëke ose rrëkeza, nuk mund të mbeten jashtë vëmendjes së opinionit. Në këtë kontekst, përmend leksionin e botuesit të gazetës 55 në Universitetin e Lirë Ndërkombëtar të Brukselit, për çka e përditshmja në fjalë u prononcua dje gjerë e gjatë. Në këtë kontekst, po përmend edhe një ngjarje, gjithashtu në Bruksel, për fat të keq jo e këndshme, ndonëse e bujshme. Të enjten, më 11 shkurt, shtypi i këtushëm njoftonte për një arsenal të vërtetë lufte në zotërim “të mafies shqiptare” në kryeqytetin belg dhe në provincën e Valonisë. është me të vërtet e hidhur, tepër-tepër e dhimbshme të mendojë njeriu se atë çka njerëzit së mbari ndërtojnë me mund e me durim për vite, madje për dekada me radhë, ta prishë një grusht të mbrapshtësh që njohin për zot vetëm paranë e fituar me rrugë të paligjshme dhe me çdo mjet. Nga njëra anë, mbrëmje akademiko-përuruese në një nga tempujt e dijes të kryeqytetit belg, tubim njerëzish të kulturës, të shkencës, të artit, por edhe të sakrificës për të mbijetuar, pse jo, edhe për t’u pasuruar me mënyra të ndershme. Nga ana tjetër arsenal i vërtetë lufte në zotërim të një grushti bashkatdhetarësh që fati i ka hedhur në të njëjtin skaj të rruzullit tokësor me të parët.
***
Me ndodhinë tronditëse, u njoha pasi u ktheva prej takimit me zotin Fahri Balliu. A e keni vënë re se si çahet qelqi i nxehur, po ta kredhësh në ujë të ftohtë? Pak a shumë, të njëjtën krismë do të ketë marrë truri i secilit pjesëmarrës në tubim, me të mësuar lajmin. Nga krenaria për fjalët që u thanë prej intelektualëve me peshë të botës frëngjishtfolëse në adresë të kulturës shqiptare, te bubullimat dhe te shkreptimat e titujve të gazetave, të radiove e të televizioneve.
Po sjell përmbledhtazi fraza dhe pjesë të shkëputura nga mediat e këtushme. “Një arsenal i vërtetë me eksploziv dhe armë zjarri është zbuluar në Belgjikë gjatë 22 bastisjeve të ndërmarra të mërkurën ndaj personave me prejardhje shqiptare... - shkruante në faqen e vet të internetit rrjeti i njohur televiziv RTL. - ...Dhjetë vetë janë arrestuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, për trafik dhe armëmbajtje... U zbuluan 15 armë të lehta me gjithë municion, 7 kg eksploziv “C4”, 1,5 kg dinamit, një kallashnikov me gjithë municion, një granatë, xhirrofarë (fenerë ndriçues që vendosen mbi veturat e policisë, EB), uniforma të policisë shqiptare...”
Në aksionin policor, morën pjesë “180 policë, 60 prej të cilëve pjesëtarë të njësive speciale të ndërhyrjes...”, shkruante gazeta e njohur “Le Soir”. ç’rastësi: afërsisht aq policë në një eveniment policor, sa veta ndoqën evenimentin e kulturës shqiptare. Dy evenimente me domethënie krejtësisht të papajtueshme, brenda 24 orësh dhe në të njëjtin vend: në Bruksel!
E rëndë, por e vërtetë: e zeza mbi të bardhë. E rëndë për aktorët e ngjarjes policore që do të përballen me drejtësinë; e rëndë për ne të gjithë, si shqiptarë në dhe të huaj, që marrim njollën e pamerituar dhe që, duam-s’duam, na dhimbsen sepse i kemi vëllezërit tanë.
***
A ka gisht ’97-a në këtë njollë të zezë? Them se është një prej rrjedhojave të pafund të zezonës së frymëzuar dhe të udhëhequr prej mbeturinave të komunizmit. Ku mund të gjenden aq lehtë armët me të cilat ndonjë bashkëkombësi ynë shëtit jashtë kufijve të vendlindjes? Pakkush në Shqipëri, nëmos vetëm ushtarakët, e kishte njohur emrin Kallashnikov përpara atij viti të zi. Sot, përkundrazi, të dëgjosh atë emër të ngjan se flitet për një të njohur. Po gomonet e famshme që niseshin vargan prej gjirit të Vlorës në drejtim të Italisë, kush i zotëronte përpara se Kryeministri Berisha të vendoste bllokimin e tyre pa afat? Edhe në takimin e fundit, lideri shqiptar e përsëriti vullnetin e vet të palëkundur që ta frenojë trafikun e paligjshëm të qenieve njerëzore prej brigjeve të Shqipërisë.
Shtypi, tashmë, ka përfolur mjaft emra, madje edhe liderësh të së majtës, si trafikantë të paskrupuj. Po kujt i ka hyrë një gjemb në këmbë? Përkundrazi, ndonjë syresh, sot numërohet si milioner, ndonjë si lider politikan, ndonjë i sillet botës rreth e qark, si sheik, ndërsa prokuroria jeton mes dosjesh, jep e s’merr, fle për shtatë palë qejfe.
Në këtë tymnajë që s’dihet kur dhe si do të shpërndahet, me gjithë përpjekjet titanike të qeverisë, opozita, nga ana e saj, bën lojën e kutive. Kësaj i thonë fshati digjet, kurva krihet. është kjo arsyeja që, në hyrje të këtij shkrimi, u përpoqa të gjeja një fill për t’i lidhur ca ngjarje, në dukje pa lidhje, por që në thelb janë pjesë e botës shqiptare.
Ja, më në fund, edhe pyetjet që lindin natyrshëm: A do të ketë të ardhme ecuria e rinisur nga e djathta në vitin 2005, kur interesat e vendit kërkojnë reforma, madje të cilësuara, që s’mund të arrihen pa pjesëmarrjen e opozitës në Parlament? Do t’i lërë politika kutitë në botën e tyre inerte, apo do të merret me shërimin e plagëve që një ditë mund të bëhen vdekjeprurëse?
Bota po na e kërkon. Zërin e Berluskonit e kemi ende në veshë. Mirëpo, nëse opozita do të kushtëzojë fundin e bojkotit me vogëlsira kutish, tryeza e bisedimeve e thirrur nga Presidenti Topi, aq shumë e pritur prej të gjithë faktorëve politikë kombëtarë e ndërkombëtarë, prej gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, do të katandiste, si thotë një fjalë, korr e mos shì. Projektet e reformave që kërkojnë edhe vullnetin politik, edhe votën e opozitës, do të zënë pluhur në sirtarët e administratës së Kuvendit.