Berisha: Çdo kërkesë veç kutive. Rama: Dialog, pas plotësimit të kushteve
TIRANË - Mazhoranca dhe opozita janë përfshirë së fundi në një lojë nervash e fjalësh, ku secila shprehet e gatshme për të dialoguar, por duke mos lëvizur aspak nga qëndrimet që kanë mbajtur deri tani për hapjen e kutive. Kështu, ndërsa opozita, e cila po proteston në çdo qytet të Shqipërisë për hapjen e kutive, ka konfirmuar vullnetin për tu ulur në bisedime, por me kushtin nëse mazhoranca hap kutitë e votimit, shumica qeverisëse nga ana tjetër ka siguruar se pranon çdo kërkesë të saj, por që ajo të mos prekë çështjen e hetimit të zgjedhjeve. Ashtu si edhe në qëndrimet e mëparshme, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka përsëritur sërish dje në një dalje për mediat se është i gatshëm për të pranuar çdo kërkesë të opozitës, por jo kërkesën për hapjen e kutive të votimit, duke e garantuar atë se shumica që ai drejton do të pranojë çdo kërkesë legjitime të saj. "E hapur gjithnjë ndaj opozitës. E garantoj që do të pranoj të plotësoj çdo kërkesë legjitime të saj. Edhe një herë e garantoj se do të pranoj çdo kërkesë. Unë jam këtu i zotuar për të pranuar çdo kërkesë legjitime, të ligjshme të opozitës", - tha dje Berisha, duke e konsideruar katastrofike çdo hap që do të prekte vendimin e gjykatës për zgjedhjet.
Ndërkohë, lideri socialist Edi Rama përsëriti edhe një herë nga Shkodra e Lezha gatishmërinë e PS-së për të dialoguar me mazhorancën, vetëm nëse kjo e fundit do të pranojë kushtet e opozitës. "Ne nuk jemi kundër dialogut, s'kemi qenë kurrë dhe s'do të jemi kurrë, por më parë të marrin mbrapsht akuzat e turpshme dhe shpifjet monstruoze ndaj opozitës dhe të heqin dorë nga kushti i mos hapjes së kutive, duke i dhënë fund gënjeshtrës së gënjeshtrave, që medemek hapja e kutive qenka në kundërshtim me vendimin e gjykatës", - tha Rama, duke garantuar edhe një herë se është i vendosur për t'i shkuar deri në fund kësaj beteje.
********
Felaj: Meta, hap kutitë, ose ik me Saliun
'Ilir Meta që deri para 6 muajsh thoshte se kush bën dialog me Berishën harron Gërdecin, bën mirë të fshihet në kutitë e mbyllura të Saliut dhe jo te dalë me maskën e radhës për të bërë talljen e radhës me votuesit e tij, që e votuan të hiqte Sali Gërdecin jo të bënte bashkë me Saliun, Gërdecët e frikshëm të kutive e të tunelit të Kalimashit, apo Gërdecët e ministrave të tij, me çmimin e energjisë dhe pagesave në spitale'
Kjo eshte pergjigja e sotme e selise roze, bere nga deputetja Ermonela Felaj ne pergjigje te deklaratave te bera nga zv.kryeministri Ilir Meta lidhur me domosdoshmerine sipas tij te nje takimi Rama-Berisha.
"I themi Ilirit të Sali Gërdecit lëri bllofet se s'të beson më as lëkura jote.Sot është koha për veprim, ndaj hap kutitë ose largohu bashkë me Saliun - tha Felaj.