E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avni Ponari, Konsull Nderi i Japonisë në Shqipëri

TIRANË- Avni Ponari, drejtori i Përgjithshëm i kompanisë së sigurimeve "SIGAL UNIQA Group Austria" emërohet Konsull i Nderi i Japonisë në Shqipëri për një mandat 5-vjeçar. Me këtë rast, ditën e Premte, u organizua një pritje në praninë e Ambasadorit të Japonisë me seli në Romë, Hiroyasu Ando, përfaqësuesve diplomatikë në vendin tonë, konsujve të tjerë të nderit në Shqipëri, zyrtarëve të lartë të administratës publike, etj. Autorizimin përkatës Ponari e mori nga ministria jonë e Punëve të Jashtme. Gjatë fjalës së tij, Ponari shprehu
nderin, kënaqësinë dhe privilegjin e një titulli të tillë, si dhe për përfaqësimin e një fuqie të madhe ekonomike dhe vendi mik si Japonia. "Ne të gjithë jemi në dijeni të mbështetjes së vazhdueshme të Japonisë në fusha si ekonomia, edukimi, shëndetësia, etj., përmes mbështetjes financiare të projekteve të ndryshme. Në mbështetje të kësaj, ky emërim është jo vetëm një nder, por edhe një detyrim i madh dhe unë përfitoj nga rasti t'iu them autoriteteve Japoneze të pranishme këtu se do të marr përsipër këtë angazhim me të njëjtin
përkushtim dhe përgjegjësi, me të cilin krijova kompaninë që unë drejtoj", - tha ai. Nga ana e tij, ambasadori japonez Ando uroi dhe falënderoi atë për pranimin e kësaj detyre të re si dhe shprehu bindjen për kontributin që konsulli i ri i nderit do të japë në vijimësinë e marrëdhënieve të suksesshme midis Japonisë dhe Shqipërisë dhe përforcimin e mëtejshëm të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›