E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Çdo paketë ndihme nga FMN do të sillte trazira socialeNga Adam Tanner, Reuters Kryeministri shqiptar, që shpreson të rizgjidhet më 28 qershor, tha të martën se çdo paketë e re ndihme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar mund të sjellë tr

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha: Çdo paketë ndihme nga FMN do të sillte trazira socialeNga Adam Tanner, Reuters

Kryeministri shqiptar, që shpreson të rizgjidhet më 28 qershor, tha të martën se çdo paketë e re ndihme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar mund të sjellë trazira, por drejtuesi i opozitës tha se, nëse do të fitonte, ai do t’i rikthehej Fondit.

Në dy intervista veçmas, kryeministri, Sali Berisha, kontrastonte me liderin e opozitës, Edi Rama, kryebashkiak i Tiranës, në lidhje me shëndetin e ekonomisë shqiptare dhe nevojën e Fondit Monetar Ndërkombëtar në muajt në vijim.

“U kam thënë atyre se shumë miq të mi dhe kolegë nuk duan të punojnë me ata. Pse?” - pyet Berisha. “FMN tremb biznesmenët; nuk është i shëndetshëm për biznesin.”

“Çdo program për ndihmë mund të inkurajojë trazira sociale.”

Ish-vendi komunist stalinist po shijon një rritje të fortë ekonomike në vitet e fundit, duke rënë poshtë 5% rritje vetëm një herë gjatë dekadës së fundit.

Por tani është vënë nën presion, për shkak të rënies së eksporteve, sepse shqiptarët që jetojnë jashtë po dërgojnë më pak pará në shtëpi dhe për shkak se çështjet ekonomike botërore do të kenë ndikim në vendin e Adriatikut.

“Ne jemi totalisht kundër vendimit të qeverisë për t’u tërhequr nga programi i asistencës i FMN, për shkak se në këto kohë ne absolutisht kemi nevojë për ndihmën dhe për prezencën e FMN”, - tha Rama për Reuters.

Kryetari i bashkisë tha se do të nisë bisedimet me FMN menjëherë, nëse del fitues në zgjedhjet e këtij fundmuaji, në atë që sondazhet e cilësojnë një garë shumë të ngushtë në lidhje me drejtimin e ardhshëm të vendit.

“Mund të them që prioriteti ynë absolut është rihapja e negociatave me FMN”, - tha Rama.

Shqipëria nuk ka rinovuar këtë vit një marrëveshje të mëparshme me FMN, dhe qeveria e Berishës ka injoruar sugjerimet e FMN për të mos rritur pagat e pensionet më 1 maj.

Mes vendeve fqinje ish-komuniste në Ballkanin Perëndimor, Serbia dhe Bosnja kanë negociuar tashmë kredi nga FMN dhe Maqedonia dhe Mali i Zi po i marrin në konsideratë marrëveshje të tilla. Kosova, në të cilën shumicën e përbëjnë shqiptarët, u bashkua së fundmi me FMN.

Disa zyrtarë vendas dhe ndërkombëtarë presin që vendi të mbajë bisedime me FMN, pavarësisht se cili do jetë rezultati i zgjedhjeve.

“FMN do të vijë, ne do të shohim se cila do jetë marrëveshja”, - tha një zyrtar shqiptar, i cili dëshironte të mbetej anonim. “Ne kemi nevojë për FMN, për besueshmëri, statistika dhe reforma strukturale.”

Parashikimi optimist i kryeministrit

Berisha, një ish-kardiolog, i zgjedhur kryeministër në vitin 2005, thotë se ekonomia shqiptare po rritet tani në nivelin 4%, edhe pse ai shtoi se është e pamundur të thuhet se si do të jetë në fund të vitit pas sezonit të rëndësishëm turistik.

FMN parasheh një rritje ekonomike prej 0.4 deri në 0.5% në vitin 2009, megjithëse disa ekonomistë të jashtëm thonë se zero mund të jetë një skenar pozitiv nisur dhe nga presioni i krizës ekonomike botërore.

Kreu i opozitës, Rama, nuk pranoi të jepte një parashikim për rritjen ekonomike në vitin 2009.

Disa zyrtarë ndërkombëtarë gjithashtu parashikojnë se Shqipëria do të ketë një deficit buxhetor prej 6%, por Berisha thotë se vendi nuk do e kalojë nivelin e 4.1% të GDP.

“Nuk do të shkojë më shumë se kaq, - tha ai. - Unë i mbaj premtimet”.

Kriza financiare botërore ka goditur gjithashtu vlerën e valutës vendas, lekut, duke e rrëzuar atë me 5% në muajt e fundit përkundrejt euros, pas një periudhe të gjatë stabiliteti.

“Kjo nuk më shqetëson fare. - thotë Berisha. - Ardhja e turistëve këtë verë do të forcojë valutën tonë”.

Për të mbledhur fonde pa u rikthyer te FMN Shqipëria shpalli muajin e fundit se kishte marrë një kredi sindikatë prej 250 milionë eurosh nga Alpha Bank e Greqisë dhe Deutsche Bank me euribor +9.65%.

“Është kohë krize dhe interesat janë të influencuara nga kriza”, - tha kryeministri në zyrën e tij, ulur pranë flamujve të Shqipërisë, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Berisha: Parimi “Heshtja është miratim” do jetë mbizotërues

Kryeministri shqiptar premtoi para përfaqësuesve të biznesit se parimi “Heshtja është miratim” do mbizotërojë në administratën e tij gjatë katër viteve të ardhshme.

“Këtë vit ne jemi vendi i vetëm në botë, asnjë vend tjetër nuk është 100% elektronik në prokurime si Shqipëria. Është rritur shumë pjesëmarrja në garë. Statistikat e fundit tregojnë se në çdo garë elektronike mesatarja është 5-6 pjesëmarrës dhe sërish do të rritet e do të përmirësohet. Unë ju garantoj se shumë shpejt të gjitha blerjet e kësaj qeverie, edhe ato të vogla, të gjitha ankandet do të zhvillohen në mënyrë elektronike. Transparencë e plotë.

Në mënyrë që ju të mos rendni javë e muaj të tërë pas kësaj apo asaj lejeje, ju siguroj se parimi “Heshtja është miratim” do të tejshkojë të gjithë veprimtarinë e kësaj administrate. E nisëm me lejet e ndërtimit dhe këtë jo si një akt kundërshtie apo karshillëku ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Jo, por sepse praktikat e tij janë unike në botë”, - tha Berisha.

Kryeministri tha se do të punësojë një nga ekspertët më të mirë të Harvardit për të punuar për konkurrencën e lirë.

“Ka edhe një fushë tjetër ku ne do të punojmë bashkërisht, fusha e konkurrencës. Ne kemi bërë hapa të mëdha në klimën e biznesit dhe tani do të punojmë me përkushtim të madh të rrisim në maksimumin e mundshëm, të ngremë në zenit lirinë e konkurrencës në këtë vend. Unë mendoj të kontraktoj një kompani. Për këtë kam filluar përpjekjet për të kontaktuar babanë e kësaj doktrine, profesorin e Harvardit, Paul. Ai do të vijë në Shqipëri dhe do të punojmë bashkërisht. Shqipëria do të bëhet vendi i konkurrencës më të lirë”, - u shpreh kryeministri.

Ai tha se do të ketë lëvizje preferenciale të sistemit fiskal. “Katër vitet që shkuan, ne nuk bëmë lëvizje preferenciale, selektive dhe bëmë mirë, sepse i ulëm ato për të gjithë. Tani disa sektorë e kanë më të domosdoshëm”, - tha Berisha.

Rama: Berisha e do votën për të mbajtur biznesin e tij

Kryetari i PS, Edi Rama, tha në një takim me qytetarë të Pogradecit se Berisha kërkon votën për të mbajtur bizneset e tij. “Sali Berisha ua kërkon votën e vetme që keni, pasi ka një biznes për të mbajtur me qeverinë. Të tjerë ish- kryeministra ua kërkojnë votën e vetme që keni, për të qëndruar në opozitën e opozitës, për një deputet të vetëm, që ta nxjerrë pastaj mandatin e marrë nga ju, në pazarin e vjetër të numrave dhe interesave personale, për të mbajtur peng qeverinë tuaj edhe 4 vite të tjera, si këto 18 vjet, në duart e një grushti kryetarësh, që bashkë me një grusht shërbëtorësh kanë vetëm në themel interesin e oborreve të tyre familjare dhe klanore, me kurrizin e kthyer nga ju. Kurse unë ua kërkoj votën për programin e ri për Shqipërinë, që shkruam së bashku dhe për skuadrën e re të Partisë Socialiste, e cila do të garantojë programin tonë”, - tha Rama.

“Unë nuk do të jem kryeministri i një qeverie që bën biznes për një familje të vetme dhe ndan pasuritë e vendit me klientët e pushtetit të kryeministrit, por do të jem thjesht kryeministri juaj. Unë do të jem një kryeministër për ju, për t’u dhënë bashkë me ju zgjidhje të reja problemeve të vjetra, për të qenë bashkë me ju kudo që janë sfidat dhe duhen përballuar vështirësitë, për të bërë bashkë me ju gjëra që për 18 vjet me radhë na i kanë bërë padrejtësisht të pamundura. Karrigia e deputetit pas 28 qershorit do t’i duhet atij, Sali Berishës, që të ulet, kur të jetë në opozitë. Ndërsa mua nuk më duhet një tjetër karrige, por një tjetër mandat për të qenë në këmbë, në krye të punëve, në çdo qytet e në çdo fshat, ku do ta çoj qeverinë pas 28 qershorit, për të realizuar programin që realizuam së bashku dhe për të ndërtuar së bashku Shqipërinë si gjithë Evropa”, - vijoi më tej drejtuesi i opozitës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›