E Diel, 1 Nëntor 2026

Transparency Albania: Të bëhen transparente financat e partiveNga TemaTashmë fushata po shkon drejt pikut të saj, por sërish si në të gjitha zgjedhjet e kaluara parlamentare transparenca financiare ngelet në nivelet zero. E vetmja gjë që dinë shqip

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Transparency Albania: Të bëhen transparente financat e partiveNga Tema

Tashmë fushata po shkon drejt pikut të saj, por sërish si në të gjitha zgjedhjet e kaluara parlamentare transparenca financiare ngelet në nivelet zero.

E vetmja gjë që dinë shqiptarët është thjesht sa pará kanë marrë partitë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Për këtë arsye Transparency International Albania u ka bërë thirrje partive të bëjnë transparente çdo faturë financiare të çdo aktiviteti elektoral. TIA ka kërkuar që të regjistrohen dhe të publikohet regjistri me çdo person që ka dhënë më shumë se 100 mijë lekë të vjetra dhe të sigurohet që ai njeri nuk ka marrë pará nga fondet publike.

“TI Albania vëren se është shqetësues niveli i ulët i transparencës financiare të kësaj fushate zgjedhore dhe për të rritur nivelin e transparencës kërkojmë prej partive politike publikimin e faturës financiare të çdo aktiviteti elektoral (mitingje dhe aktivitete të tjera masive), menjëherë pas përfundimit të tij.

Në respektim të Kodit Zgjedhor, të publikojnë regjistrin e posaçëm, ku do të regjistrohen personat që dhurojnë më shumë se 100 mijë lekë, si dhe të bëjnë publik numrin e llogarisë bankare ku do të depozitohen këto financime.

TIA i kërkon qeverisë publikimin e listës së personave juridikë që kanë përfituar fonde publike ose kanë qenë partnerë me fonde publike gjatë 4 viteve të shkuara, në mënyrë që të verifikohet, nëse këto subjekte po kontribuojnë në fushatën zgjedhore në shkelje të ligjit.

TIA vlerëson se rritja e transparencës gjatë fushatës zgjedhore rrit mundësinë për të patur një parlament më cilësor, të përbërë nga deputetë që për mandatin e tyre iu detyrohen vetëm qytetarëve që i kanë zgjedhur”, - thuhet në deklaratën e TIA.

Një tjetër shqetësim për Transparency Albania është dhe programi elektoral i partive dhe mungesa e transparencës në hartimin e listave zgjedhore.

“TIA vëren se publiku është njohur në mënyrë krejt sipërfaqësore me programet elektorale, ku jo rrallë është vënë në dyshim dhe ekzistenca e tyre. Ne vlerësojmë se është shumë e rëndësishme që publiku të njihet me programin e partisë, për të cilën do të votojë, prandaj iu kërkojmë partive politike që të publikojnë programin e elektoral, me të cilin ato synojnë të qeverisin vendin.

TI Albania ka konstatuar se hartimi i listave të kandidatëve pa konsultime me publikun, pa pjesëmarrjen e strukturave vendimmarrëse të partive, pa debat brenda partive dhe/apo me elektoratin, si dhe dorëzimi i tyre në prag, apo përtej afateve ligjore ka demonstruar hapur dobësinë e këtij sistemi të ri zgjedhor, si dhe dobësimin e demokracisë pjesëmarrëse brenda partive më të mëdha në vend.

TIA iu kërkon partive politike që, në kuadër të transparencës përballë publikut, të publikojnë CV e kandidatëve, me të cilët garojnë në këto zgjedhje. TIA vlerëson se, transparenca me të kaluarën e kandidatëve, përveçse iu jep mundësi qytetarëve të zgjedhin në Kuvendin e ardhshëm përfaqësues me kontribute sociale dhe akademike, krijon edhe mundësinë e verifikimit, nëse ka në lista kandidatë që garojnë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën e vendit”, - thekson deklarata.

TIA ka nënvizuar problemin e papajtueshmërisë së kandidatëve për deputetë me postet që ata mbajnë dhe ka kërkuar që ata të japin dorëheqjen.

“Duke rikujtuar nenin 69 të Kushtetutës, i cili sqaron papajtueshmërinë e kandidatit për deputet dhe shprehet për pavlefshmërinë e mandatit të fituar në kundërshtim me këtë nen, gjejmë vendin t’iu bëjmë thirrje partive politike që t’iu kërkojnë kandidatëve të tyre të japin dorëheqjen nga postet e papajtueshme me mandatin e deputetit, duke mos përdorur pushtetin për të ndikuar në fushatën zgjedhore”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›