Al Qaida përgjegjëse për vrasjen e agjentëve të CIA-s

Dega e Al Qaidës në Afganistan ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin e javës së kaluar kundër një baze amerikane në Afganistan, me ç’rast një agjent i dyfishtë, i shndërruar në sulmues vetëvrasës, vrau shtatë agjentë të CIA-s.
Al Qaida theksoi se ky sulm ishte hakmarrje për udhëheqësit e vrarë të kësaj organizate.
“Ai aktivizoi bombën e tij, të fshehur nga sytë e të pafeve, gjatë takimit me pjesëtarët e shërbimeve amerikane dhe jordaneze të inteligjencës”, theksoi Mustafa Abul Yazid, kryesues i Al Qaidës në Afganistan, në porosinë e publikuar sot në një faqe të internetit, e cila shfrytëzohet nga organizatat e lidhura me Al Qaidën.
Ish-zyrtarët për inteligjencë kanë theksuar se Khalil Al Balavi, një mjek, ishte rekrutuar nga shërbimi jordanez i inteligjencës, me qëllim që të infiltrohej në radhët e Al Qaidës dhe të talebanëve.
Balavi ndërmori sulmin në brendi të bazës Chapman, një kompleks i fortifikuar në provincën Khost, në kufijtë juglindor të Afganistanit me Pakistanin.
“Ai është hakmarrë për martirët tanë. Është hakmarrë për Beitullah Mehsudin dhe udhëheqësit tjerë”, shtoi Yazid.
Mehsud, udhëheqës i talebanëve në Pakistan, është vrarë nga një raketë amerikane në gusht të vitit të kaluar.