E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e Rama prezantojne kandidatet ne rrethe

12/04/2011  Paralajmërimi i Dokles

“Berisha të qëndrojë larg votave të popullit”

Deputeti i PS-së Namik Dokle reagoi dje lidhur me deklaratën e kreut të FNSH-së Shemsi Premçi. “Ai bëri kallëzim penal në Prokurori ndaj zv.ministrit të brendshëm Avenir Peka për urdhrin e tij të paligjshëm dhe antikushtetues “për të shtypur militantët e PS-së në Bathore”. Duke përkrahur dhe mbështetur cilindo punonjës të rendit që zbaton me korrektësi ligjin dhe kushtetutën, Partia Socialiste njëherësh denoncon dhe dënon me indinjatë dhe përkushtim ligjor të gjithë ata që kërcënojnë, organizojnë dhe urdhërojnë veprime policore dhe jo policore të kundërligjshme”, - vlerësoi Dokle. Sipas tij, ky zv.ministër, që guxon të dalë mbi ligjin, duhet të japë urgjentisht dorëheqjen apo të shkarkohet nga detyra. “Paralajmërojmë Sali Berishën të mbajë larg nga vota e lirë e popullit Pekat dhe purtekat e tij, Bashat dhe mashat, Ponet dhe Alkaponet”, - deklaroi Dokle lidhur me një çështje të tillë.

Prezantohen kandidatët e PS-PD në Elbasan e Shkodër

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama vijoi takimet e tij elektorale duke e përqendruar axhendën me prezantime në Tiranë, për të kaluar më pas në rrethe. Kështu, gjatë paradites së djeshme kryetari i socialistë u ndal në njësinë bashkiake nr. 10, e konkretisht në tregun çam, ku hodhi poshtë pretendimet e kundërshtarit politik lidhur me efektin negativ për shkak të taksave të larta lokale. Ndërkohë pasdite Rama iu drejtua qytetit të Elbasanit, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie Qazim Sejdini.

Prezantimi

Partia Socialiste prezantoi dje kandidatin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” në qytetin e Elbasanit, Qazim Sejdini. Ishte vetë kreu i PS-së Edi Rama që parashtroi përpara mbështetësve të PS-së në këtë qytet arsyet pse duhet të votohet alternativa e majtë më 8 maj. “Ne jemi e vetmja rrugë ku çdo qytetar t’i friket qeverisë, të sjelljes së tij, e vetmja rrugë ku çdo mos nëpunës të humbasë rrogën për shkak të bindjeve të tij, e vetmja rrugë ku çdo sipërmarrës të mos marrë gjoba për bindjen e tij. Rruga jonë është e vetmja rrugë ku çdo polic të mos vihet nën urdhra të paligjashëm për bukën e gojës”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij. Po kështu Rama nuk harroi të ndalej tek incidentet e ndodhura gjatë ditëve të fundit mes simpatizantëve të forcave politike, e konkretisht në Kamëz. “I kërkoj prokurorisë të reagojë menjëherë për këtë skandal, që është në vazhdën e rrugës kriminale, dhe kjo tregon se Saliu, Luli dhe i gjithë drejtimi i politikës, që e ka trysnuar Policinë e Shtetit, e cila është përgjegjëse për 21 janarin dhe për çdo gjë që ka të bëjë me shkeljen e ligjit dhe të kushtetutës”, - vlerësoi Rama.

Deklarata

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, njëkohësisht kandidat për një post të tillë, hodhi poshtë të gjitha pretendimet e kandidatit demokrat Lulzim Basha, i cili akuzoi se taksat e larta lokale kanë ndikuar në rritjen e çmimit të bukës. Sipas Ramës, është qeveria me politikën e saj monopol dhe taksat e larta që po varfëron shqiptarët. Kështu, në takimin elektoral të zhvilluar në zonën e tregut çam në njësinë bashkiake nr. 10 Rama sqaroi se një familje e zakonshme e kryeqytetit paguan 5500 lekë të vjetra në muaj për gjithë çfarë bëhet për të mirëmbajtur dhe ndërtuar qytetin. “Gjithë pemët që sot janë kthyer në kurora në rrugët e kryeqytetit, i gjithë pastrimi, ndriçimi, shkolla, rrugët janë përfshirë në këtë kontribut prej 5500 lekë të vjetra në muaj. Ndërkohë që çdo familje paguan 50 herë më shumë detyrime ndaj qeverisë dhe vetëm lekët që qeveria i merr një familjeje të zakonshme për TVSH-në e bukës në muaj janë më shumë sesa kontributi për gjithë punët e qytetit”, - vuri në dukje Rama.

Albana Lika

Kryeministri Sali Berisha përmes një turi të ngjeshur elektoral ka bërë dje prezantimin e disa kandidatëve të koalicionit të djathtë për krerë të njësisë së qeverisjes vendore për zgjedhjet e 8 majit. Fjalën e tij e kryesonte mbështetja për punën e çdo kandidati në katër vjetët e ardhshëm, reformat e qeverisë shqiptare deri tani për këto njësi vendore, shoqëruar me premtimet për mandatin e radhës, si dhe sulmi ndaj kundërshtarit politik Edi Rama, si një kandidat që nuk afron asnjë alternativë përveç asaj të të atit të tij shpirtëror. “Së bashku këta 4 vjet do të nisin ndërtimin e Shkodrës së shekullit të ri, do të investojmë në qytet më shumë se 20 vjetët e marrë së bashku, do ta bëjmë Shkodrën epiqendrën kulturore të Veriut e më gjerë; bota akademike e Shkodrës do të njohë dimension të mëdha; do t’i japim fund fatkeqësisë ciklike natyrore, pasi Shkodra do të ketë bajpasin e saj përgjithmonë”, - premtoi kryeministri Berisha nga qyteti i Shkodrës gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit të djathtë, kreun aktual Lorenc Luka. Duke bërë krahasimet me katër vjetët që shkuan, ai garantoi gjithashtu se qeveria e tij do të ndërtojë dhe rindërtojë çdo rrugë të këtij qyteti, çdo shkollë, kopsht në të katër anët e këtij qarku; do të sigurojë 24 orë ujë për qytetarët shkodranë. Duke iu referuar edhe golit që realizoi për kombëtaren shqiptare Hamdi Salihi, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh i sigurt se më 8 maj do të jetë ai vetë që do të bëjë golin e radhës. “Le të përshëndesim Hamdi Salihin. Hamdi, golin tjetër e ka Saliu tjetër më 8 maj, -tha Berisha. Duke bërë krahasime alternativash, numri një i qeverisë shqiptare garantoi se rruga që ofron mazhoranca është e vetmja rrugë që shqiptarët duhet të zgjedhin përballë asaj të kundërshtarit të tij politik, Ramës. “Krahas kësaj rruge bijtë e etërve na sjellin sërish rrugën e vetme. Le t’ua lëmë atyre rrugën e vetme. Më dhe t’i them shokut Edvin Rama se në të vërtetë në këtë fushatë nuk do të harxhoj as 30 sekonda me të, sepse ai që merret me shumë me Ramën është vetë Edvin Rama”, - nënvizoi kryeministri i vendit. Kryeministri Berisha i shoqëruar edhe nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ishte dje edhe në Laç ku prezantoi kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” për kryetar bashkie të këtij qyteti, Bardhi Rica. Kreu i qeverisë siguroi se në 4 vitet që vijnë, qeveria do të financojë çdo projekt për Kurbinin. Ndërkohë që pasditen e djeshme në komunën Qendër Librazhd, kryeministri prezantoi Firdus Kurtin si kandidat të koalicionit të mazhorancës për kryetar të kësaj komune. Po dje, Berisha mori pjesë në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit në Librazhd, ku prezantoi Shefki Çotwn si kandidat për kryetar të bashkisë së këtij qyteti.

Kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës takim pranë zonës së Liqenit

Bsha: Unaza e madhe do të gjenerojë mbi 5 mijë vende pune

Takimi në Sauk, pretim për një formulë të drejtë kompensimi për banorët

Investimet në infrastrukturë do t’i shërbejnë hapjes së menjëhershme të mijëra vendeve të reja pune, krahas zhvillimit të Tiranës. Kandidati për Bashkinë e Tiranës Lulzim Basha gjatë takimit me disa banorë pranë Liqenit, aty ku pritet të kalojë unaza e madhe e kryeqytetit, bëri të ditur se në programin e tij parashikohet mbështetje për ndërtimin e saj, e cila sipas tij do të gjenerojë hapjen e mbi 5 mijë vendeve të reja pune. Sipas Bashës, në 4 vjet do të asfaltohet çdo rrugë e Tiranës, do të hapen akse të reja, që tani nuk ekzistojnë, ndërsa vëmendje e veçantë do t’u kushtohet parkimeve. “Duke përfaqësuar interesat e çdo qytetari dhe gjithë komunitetit, do të bëjmë gjithçka që Unaza e Madhe të jetë një realitet i prekshëm sa më shpejt. Si pjesë e planit tim infrastrukturor për Tiranën do të fillojë hapja e akseve të tjera rrugore, që tani nuk ekzistojnë, bazuar gjithmonë në një plan afatgjatë zhvillimi të qytetit. Brenda 4 vjetësh të gjitha rrugët e Tiranës do të asfaltohen, do të shtrohen, duke përfshirë edhe trotuaret. Do të ndërtohen të paktën 4 vendparkime të mëdha publike, përmes një bashkëpunimi edhe me sektorin privat”, - theksoi Basha. Ai premtoi gjithashtu se çdo ndërtesë e re, çdo qendër tregtare, çdo bllok banimi, qoftë edhe një godinë e vetme, do të ketë si pjesë integrale e planifikimit dhe zbatimit vendparkime. “Si në çdo qytet europian, do të ketë vendparkime të dedikuara për personat me aftësi të kufizuar. Përveç efekteve të drejtpërdrejta që këto investime do të japin, do të krijojnë mijëra vende të reja pune për qytetarët e qytetit tonë. Vetëm projekti i unazës së madhe do të hapë mbi 5800 vende të reja pune. Nëse ne zgjedhim të kemi të gjitha këto, duhet patjetër të lëmë mënjanë betejat politike. T’i përkushtohemi punës për qytetarin, t’u përkushtohemi projekteve tona”, - vijoi Basha. Në vijim të turit të tij elektoral Basha zhvilloi takime edhe me banorët e Saukut si dhe studentët e Universitetit Politeknik.

Takimi në Sauk

Në një takim që zhvilloi me banorët e Saukut, kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për bashkinë e kryeqytetit, Basha, garantoi se do të kompensohen me vlerën e tregut për çdo metër tokë që do t’i shërbejë ndërtimit të veprave publike, siç është unaza e madhe. “Tokë apo truall, çfarëdo statusi që të kenë, do të vlerësohen me vlerë tregu”, tha ai.

Takim me studentët

Krahas korpusit të Universitetit të Tiranës Basha parashikon edhe ndërtimin e një korpusi për Universitetin Politeknik. Kjo u bë e ditur nga Basha në bashkëbisedimin me studentë të këtij universiteti. “Si kryetar i ardhshëm i Bashkisë, do të jem i përkushtuar 100 % për ndërtimin e kampusit universitar për Universitetin Politeknik të Tiranës”, - tha Basha.

Kreu i LSI-së prezanton Kollozin

Meta: Koalicioni i integrimit zhduku skafet dhe fatkeqësitë në det

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë turit të tij elektoral u ndal dje në qytetin e Vlorës për të prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Vlorës, Ardian Kollozin. Kreu i LIS-së shprehu bindjen se me zgjedhjen e Kollozit në krye të Vlorës qytetarët vlonjatë do të hedhin një hap të rëndësishëm për qeverisjen e këtij qyteti. “Qytetarët e Vlorës do të shpërfillin arrogancën që kanë pasur këto vite ndaj jam i bindur se më 8 maj anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së do të votojnë për një alternativë të së ardhmes, për një alternativë që do të ketë në vëmendje të parë interesat e qytetarëve vlonjatë. Ndaj të gjitha votat për Adrian Kollozin dhe për LSI-në, në mënyrë që ajo të ketë një përfaqësim sa më shumë të fuqishëm në të gjitha këshillat bashkiake dhe vendore”, - këkroi Meta. Duke iu referuar arritjeve të deritanishme të koalicionit të mazhorancës qeverisëse, ai deklaroi se ishte ky koalicion që bëri realitet ëndrrën më të madhe të të gjithë qytetarëve, por edhe vlonjatëve, atë të heqjes se vizave. Duke përmendur prioritetin e të gjithë kandidatëve të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në këto zgjedhje, numri një i LSI-së deklaroi se motivi i koalicionit dhe LSI-së do të mbetet punësimi dhe investimi për kualifikimin profesional. Ndërsa vetë kandidati Kollozi, duke vlerësuar angazhimin dhe mbështetjen e LSI-së në garën e tij elektorale për zgjedhjet e 8 majit, premtoi se do t’i rikthejë dinjitetin Vlorës së nëpërkëmbur, së cilës, sipas tij, i është komprometuar e ardhmja. Në qarkun e Vlorës LSI-ja përfaqësohet në Bashkinë e Orikumit me kandidat Arben Sulaj, komunën e Kotës me Ardit Gjokajn dhe në Vranisht me Vilson Lalajn.

Kreu i PBLD-së, Starova, takim në Elbasan

“Votoni kandidatin e mazhorancës, Hushin”

Kryetari i partisë “Bashkimi Liberaldemokrat”, Arian Starova, zhvilloi dje një takim me banorët e qytetit të Elbasanit, ku kërkoi votën e tyre për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për këtë qytet, Durim Hushi. Duke e cilësuar atë si një përfaqësues tipik të zonës së Elbasanit, si një njeri me ambicie të mira, kapacitet e vlera të treguara në impenjimin e tij, Starova tha se duke votuar për kandidatin Hushi qytetarët e Elbasanit votojnë për një qytet me më shumë të punësuar, gjë që sipas tij mund të realizohet edhe sipas një bashkëpunimi me biznesin e qytetit, për një qytet më të pastër e më një infrastrukturë më natyrale të Elbasanit. “E djathta bashkon individët me vlera, bashkon familjet, bashkon projektet ambicioze, bashkon këdo që kërkon të jetojë si qytetar me dinjitet”, - tha kreu i PBLD-së, Starova. Ai tha gjithashtu se me qeverisjen e koalicionit të djathtë vendi, por dhe qytetarët e Elbasanit, si ata të të gjithë Shqipërisë, janë ridimensionuar si njerëz të lirë në lëvizjen jashtë vendit, por dhe brenda tij si pasojë e investimet në infrastrukturë. “Roli i Shqipërisë si faktor politik i moderuar sipas traditës së popullit tonë është sot një kontribut paqësor në rajon e botë, e lidhur kjo ngushtësisht me një koalicion të suksesshëm qeverisës në vend”, - deklaroi ai në takimin elektoral në Elbasan. Në këtë takim e mori fjalën edhe kandidati Hushi, i cili tha se “nuk duhet lënë Elbasani nën një menaxhim me 2 miliardë lekë borxhe si ky i këtyre viteve të fundit, por dhe nuk duhet humbur shansi që Elbasani të jetë pjesë e rëndësishme e zhvillimit të trekëndëshit Tiranë–Durrës–Elbasan përmes autostradës, universitetit dhe parkut të madh të qytetit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›