Berisha e Ruçi, debate për komisionin hetimor dhe opinionin e KE-së
Në një seancë maratonë, maxhoranca dhe opozita kanë diskutuar dhe debatuar në lidhje me kërkesën e PS-së për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe për mocionin me debat për opinionin e KE-së për mosdhënien e statusit kandidat në BE. Deputetët e opozitës fajësuan maxhorancën dhe qeverinë për dështimin në mosmarrjen e statusit të vendit kandidat, ndërsa theksuan se opozita ka bërë disa oferta për ta nxjerrë vendin nga kriza politike. Por, kulmi i debatit në seancë u shënua gjatë debatit midis kryeministrit Berisha dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Gjatë fjalës së tij Berisha akuzoi kryetarin e PS-së se prej një viti ka bërë përpjekje për të penguar liberalizimin e vizave. Më tej, duke iu referuar kërkesës së PS-së për mocionin me debat për statusin, Berisha e cilësoi këtë një vetëvrasje për opozitën pasi, sipas tij, opozita pengoi lëvizjen e lirë. Përsa i përket kërkesës për komisionin hetimor, Berisha tha se pranon çdo hetim që bazohet në fakte e prova dhe jo në dyshime.
Por, kryeministri Berisha është marrë gjatë me figurën e kreut të PS-së, Rama, duke komentuar kostumet e tij dhe duke e akuzuar për korrupsion me lejet e ndërtimit. Nga ana e tij, kryetari i Grupit të PS-së, Ruçi, e akuzoi qeverinë për dështimin me statusin e vendit kandidat dhe kërkoi zbatimin e rezolutës së PE-së përsa i përket transparencës së zgjedhjeve. Ruçi tha se nëse Kuvendi nuk miraton transparencën e zgjedhjeve, kjo vërteton përpjekjen e Berishës për t’i vjedhur sërish zgjedhjet.
Opozita
“Opozita kërkon hetimin e zgjedhjeve dhe e dyta, implementimin e raportit të KE-së. Një orë dëgjuat kryeministrin, i cili nuk tha asnjë fjalë për këto të dyja. Është unikale që një shteti i kundërshtohet statusi kandidat dhe maxhoranca të mos ketë as më të voglin reflektim. Kryeministri mungon gjithë ditën dhe kur gjen kohën vjen e tallet, gënjen dhe lëshon dokrra. Ky lloj sundimtari është unikal. Edhe kur opozita ofron propozime, maxhoranca i kundërshton. Një shteti i refuzohet statusi i vendit kandidat dhe maxhoranca në vend të kërkojë ndjesë dhe në vend që të ulet e të nxjerrë përgjegjësi, në vend që të ketë kulturën e institucionit të dorëheqjes, në vend që të korrigjojë dhe të fitojë kohën e humbur, shpif, shantazhon dhe akuzon opozitën e vendit”, - është shprehur Ruçi, ndërsa theksoi se opozita kërkon që të nxirren përgjegjësi nga dështimi për statusin. “Ne kërkojmë që të realizohen rekomandimet e BE-së. Ne ofrojmë mirëkuptimin dhe gatishmërinë të bëhemi pjesë e implementimit të këtyre rekomandimeve. Përse kjo maxhorancë nuk miraton atë çka partnerët tanë ndërkombëtarë e shkruajnë të zezën mbi të bardhë: të shmanget kriza, të bëhet transparenca e zgjedhjeve, të ngrihet komisioni me shumicën e opozitës? Pse nuk bëhet ajo që pikërisht ju kryeministër në Parlament keni premtuar? Pse nuk bëhet ajo që ne kemi negociuar dhe ju kryeministër keni firmosur? Por komisioni nuk ngrihet sepse lepuri fle te vjedhja e votave, te ëndrra që keni për të vjedhur zgjedhjet e radhës”, - është shprehur Ruçi. Ai tha se opozita kërkon hetimin e materialeve zgjedhore pasi akuzon në mënyrë të drejtpërdrejtë kryeministrin për manipulimin e listave të zgjedhësve në qendrat e votimit. “Ne të denoncojmë personalisht ty që ke regjistruar njerëz që nuk ekzistojnë në qendrat urbane. Ne kërkojmë të shikojmë saktësinë e kartave të identitetit. Ne kërkojmë të hetojmë pse është shkelur ligji dhe mbi 500 qendra votimi janë vënë në qendra private të PD-së. Pse kriminelë, në mënyrë të jashtëligjshme, janë përdorur në fushatë elektorale. Ne kërkojmë të hetojmë akuzat konkrete për administratën tënde, për shpërdorimin dhe tutelën që ke përdorur ndaj kësaj administrate. Këto janë tërësia e fakteve dhe akuzave që ne kemi”, - është shprehur Ruçi.
Maxhoranca
Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha e akuzoi opozitën se bëri çdo përpjekje të mundshme për të penguar liberalizimin e vizave. “Si asnjë opozitë tjetër, ju u angazhuat në një proces të paimagjinueshëm. Në kokën e një njeriu u ngulit thellë ideja se po mori vizat pas NATO-s ky mbeti në pushtet. Ndaj, për hir të tij, duhet të bëjmë gjithçka që ta bllokojmë këtë proces. Duhet me çdo kusht të mos marrim pjesë në zgjedhje. Kryetari juaj bëri gjithçka që të mos marrë pjesë në zgjedhje. Greva e urisë ishte greva e vizave. Njëlloj si dajret e bilbilat ishin protesta për stabilizim-asocimin. Ju jeni keqpërdorur në mënyrën më të tmerrshme në jetën tuaj. Kurrë s’ka ndodhur që një njeri të keqpërdorë një grup politikanësh siç ju ka keqpërdorur ai juve”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka akuzuar kreun e PS-së, Rama.
Po kështu, kryeministri e akuzoi Ramën për korrupsion me lejet e ndërtimit. Ai tha se praktika abuzive që ai përdor do të marrë fund më 8 maj në zgjedhjet lokale që do t’i fitojë PD-ja.
Topalli: “Rama e pengoi PS-në të votojë për integrimin”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë fjalës së mbajtur në seancën e djeshme parlamentare gjatë debatit për mocionin për opinionin e KE-së për statusin e vendit kandidat, e akuzoi Ramën se e ka penguar PS-në që të marrë pjesë në votimet e rëndësishme. “Ti i përçmon qytetarët e Tiranës dhe ata që nuk të votojnë, ti nuk i do as ata që të shërbejnë, nuk do deputetët dhe as partinë tënde”,- iu drejtua ajo kryesocialistit Edi Rama, duke shtuar më pas se deputetët socialistë nuk kanë votuar në Kuvend pro vendimeve që do të ndihmonin lëvizjen e lirë, pasi mendonte se kjo i forconte pushtetin Sali Berishës. “Rama nuk i duron më shqiptarët, ai rëndohet kur nuk ka më krizë, ai është kundër rrymës së qytetarëve të tij, është i vetmi politikan që kur një anë e vendit përmbytet, shkon në anën tjetër të tij”, - tha mes të tjerash Topalli. Për kryetaren e Kuvendit, Edi Rama nuk di të bëjë gjë tjetër veçse të kërkojë kuti. “Problemi është se si nuk ka dashur kurrë kuti, se do të shkonte në Strasburg apo në Komisionin e Venecias. Vendimi i prokurorisë rrëzon çdo alibi të tij dhe rikonfirmon se zgjedhjet e vitit 2009 ishin më të mirat dhe se alibia e humbësit rrëzohet dhe vetëm rrëzohet”, - shtoi Topalli. Ajo iu drejtua më pas deputetëve socialistë duke iu thënë se nuk e di edhe për sa kohë ata do t’i binden kryetarit të tyre.
Basha: “Rezoluta e Partisë Socialiste është thjesht një farsë”
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, e ka cilësuar si një farsë kërkesën e PS-së për rezolutë, duke deklaruar se ajo është vetëm një diversion i opozitës për të mbuluar dështimin. Duke folur në seancën parlamentare, Basha është shprehur se deputetët e majtë po veprojnë në bazë të kapriçove të një njeriu të vetëm, që është dhe kryetari i tyre. “Sot, me kërkesë të PS-së, ndodhemi në këtë debat me mocion për të ashtuquajturën rezolutë. Unë nuk mendoj se kemi të bëjmë me një debat të rëndësishëm, por për një debat që është i shterpë, një vjedhje të kohës, sepse nuk shoh në këtë sallë vullnetin e vërtetë, por vullnetin e kapur rob nga një njeri që ka kapur peng deputetët e opozitës nga kryerja e detyrave të tyre”, - ka pohuar Basha. Sipas tij, opozita nuk ka qenë asnjëherë e gatshme për të bashkëpunuar me maxhorancën për interesat e vendit, por ka vepruar gjithmonë në bazë të interesave të saj. “Për heqjen e vizave nuk ka pasur asnjë vullnet që palët të bashkohen dhe të lënë mënjanë interesin e ngushtë partiak, apo më keq ato të një personi të vetëm”, - është shprehur Basha. “Nuk besoj se rezoluta e sotme vjen nga vullneti i lirë politik, transparenca e votave sot braktiset pas heqjes së vizave dhe pas numërimit nga një institucion i pavarur të votave të qarkut të Shkodrës, që vlerësoi se procesi i zgjedhjeve të 28 qershorit ka qenë më i miri”, - ka nënvizuar ai.
Leskaj: “Opozita nuk është përgjegjëse për mosmarrjen e statusit kandidat”
Deputetja socialiste, Valentina Leskaj, deklaroi se opozita nuk është përgjegjëse për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat. Ajo tha se arsyeja themelore pse Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste e ka kërkuar mocionin me debat në Parlament për raportin e Komisionit Europian, është se ai nuk është një raport i zakonshëm dhe as raport-progresi vjetor i radhës. “Ky dokument, përveçse një analizë realiste e situatës dhe zile alarmi, shërben si udhërrëfyes, të cilit Shqipëria duhet t’i referohet për arritjen e objektivave në procesin e integrimit europian”, - tha dje në seancë plenare deputetja socialiste, Valentina Leskaj. Sipas saj, për një muaj e gjysmë të gjithë shqiptarët, por dhe e partnerët, kanë pritur një reflektim mbi raportin e opinionit të BE-së, por, për fat të keq, kjo nuk ndodhi. “Ju mund të përpiqeni t’ia faturoni opozitës, mund ta bëni këtë, mund të gjeni dhe njerëz që ju besojnë, megjithëse e dyshoj se ju beson më njeri, po kjo qasje mund të vlejë për nevojat tuaja të pushtetit, jo për integrimin e vendit. Sot gjithkush e di se problemi nuk është opozita”, - tha më pas ajo. Duke përfunduar se Shqipëria ngeli jashtë statusit të vendit kandidat, jo për shkak të opozitës. “Ngeli jashtë për shkak se Parlamenti nuk funksionon si një institucion i pavarur, nuk ushtron mbikëqyrje dhe kontroll mbi qeverinë po funksionon si një departament i qeverisë”, - përfundoi Leskaj.
Marko Bello: “Dështimi me statusin, Berisha të japë dorëheqjen”
Deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello, kërkoi dje në seancë parlamentare që kryeministri Berisha të japë dorëheqjen për shkak të dështimit të qeverisë së tij për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Berisha se kanë vënë interesat e tyre personave mbi interesat e popullit. Ai tha se e tashmja e shqiptarëve është bërë e papërballueshme dhe se e ardhmja duket e pashpresë me këtë qeveri. Bello tha se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme dhe fitorja e Partisë Socialiste. “Më e pakta që duhet të bënte Berisha ishte të jepte dorëheqjen pas opinionit të Komisionit Europian që nuk i dha statusin e vendit kandidat Shqipërisë. Qeveria ka vendosur interesat e saj mbi interesat e shqiptarëve. E tashmja është bërë e papërballueshme dhe e ardhmja e pashpresë. Shkaku i vërtetë që e detyroi BE-në t’i thotë jo kërkesës së qeverisë për statusin është qeveria. Europa nuk mund të pranojë një qeveri të korruptuar, demagoge dhe që ka zhytur vendin në një krizë pa kthim. Zgjedhjet e parakohshme dhe një qeverisje e socialistëve është zgjidhja e vetme që do të shërojë vendin”, - është shprehur Bello.
24 Dhjetor 2010