E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimet e Kadriovskit, Edi Rama takon kryeprokuroren Ina Rama



Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka takuar dje në zyrën e saj prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Burimet kanë bërë të ditur se qëllimi i takimit ka qenë informimi i kryeprokurores në lidhje me kërcënimet që kanë ardhur ditët e fundit në drejtim të Partisë Socialiste nga një emër i njohur i krimit, si Daut Kadriovski. Mësohet se Rama ka qëndruar gati një orë në zyrën e kryeprokurores Ina Rama. Ndërsa një ditë më parë, deputeti socialist Erion Braçe, bëri kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës. Dje është vërejtur se provat e depozituara janë të mjaftueshme për të nisur procedimin penal. Mësohet se kryesocialisti ka marrë mbështetjen e kryeprokurores për hetimin e kësaj çështjeje. Rama ka informuar rreth kësaj çështjeje edhe Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Ndërsa deputeti Braçe, vetëm një ditë më parë e akuzoi kryeministrin Berisha për kërcënimet e ardhura në drejtim të tij dhe të kryesocialistit Rama.
Kërcënimi
Gjatë një deklarate për mediat, Braçe publikoi një zarf që kishte ardhur në adresë të Partisë Socialiste, në të cilin gjendej një kartolinë dhe një CD. Në zarfin ku ndodhej CD-ja shkruhej një mesazh: “Keni 24 orë kohë, ndryshe të gjitha kanalet televizive do ta publikojnë”. Zarfi mbante një numër telefoni me prefiksin e Maqedonisë dhe emrin e të shumëkërkuarit Daut Kadriovski. Sipas deputetit socialist, në CD paraqiteshin prova të rreme nëpërmjet të cilave akuzohej kreu i PS-së Rama dhe deputeti Braçe për vrasje dhe për trafik droge. Braçe e cilësoi këtë një shantazh të kryeministrit Berisha ndaj opozitës. Ai tha se pavarësisht këtyre kërcënimeve, Partia Socialiste nuk do të heqë dorë nga kërkesa për transparencë. “Berisha, në cilësinë e kryeministrit, është angazhuar drejtpërdrejt në relativizimin e kësaj fushate historike transparence dhe në ndërprerjen e saj duke sulmuar, atakuar e shpifur. Ai ka njësuar struktura të veçanta të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit kundër përfaqësuesve të opozitës. Të hënën, pas një mbledhjeje pune, personeli më ka dhënë në dorë një zarf të dorëzuar nga Posta e Tiranës. Brenda tij është një kartolinë dhe brenda saj është një CD, ku nga ana e pasme shkruhet: ‘Ke 24 orë kohë, ndryshe të gjitha kanalet televizive do ta publikojnë’. Në fund ka emrin e shtetasit nga Maqedonia, Daut Kadriovski. Në përmbajtje të kësaj CD-je flitet për mua dhe kreun e PS-së, Edi Rama, që nga personi i kërkuar nga më shumë se 13 shtete akuzohemi se jemi përfshirë në përdorim dhe trafik droge dhe në vrasjen e dy shtetasve, njërin në Tiranë dhe tjetri që është hedhur nga kati i dytë në një ndërtesë në Maqedoni. Në këto akuza përfshihen edhe krerë të tjerë të politikës, si Hashim Thaçi apo Jakup Krasniqi”, - është shprehur Braçe. Ai ka sjellë në vëmendjen e mediave një fjalim të kryeministrit Sali Berisha në seancën e 25 nëntorit të këtij viti, ku kreu i Ekzekutivit përmend emrin e Kadriovskit. “Të njohur me këto fakte gjykuam se po kalojmë nga një fazë e shpifjeve politike, në një fazë të re, ku Berisha po përdor dhe zëvendëson krimin e organizuar jo për akuza banale, por akuza të rreme penale në vend dhe rajon. Kjo do të thotë se Berisha po prek fundin dhe po bëhet i rrezikshëm për çdo shqiptar që refuzon aktet korruptive të tij”, - tha Braçe. Ai theksoi se për këtë çështje është takuar një ditë më parë me Presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe dje në mëngjes ka vënë në dijeni edhe Prokurorinë e Tiranës. “Pas këtyre kontakteve do të bëjmë kallëzim penal për të gjithë këtë histori, që kulmon me angazhimin serioz dhe konkret të politikës kundër krimit të organizuar. Qëllimi i kësaj është që opozita të ndërpresë fushatën kundër korrupsionit. Berisha është në dijeni të publikimeve shumë të rënda dhe serioze që nuk e mbajnë më dot në këmbë qeverinë e tij. Shprehim neverinë e qartë përkundrejt këtyre akteve që refuzojnë t’u nënshtrohen këtyre praktikave kriminale dhe mafioze dhe që garantojnë çdo shqiptar se fushata jonë e transparencës nuk do të ndalet. Ne nuk jepemi dhe do ta çojmë deri në fund këtë fushatë”, - përfundoi Braçe.

Kushtetuesja nis shqyrtimin e kërkesës së PD-së për mandatin e Beqjes

Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e kërkesës së Partisë Demokratike për mandatin e deputetit socialist Ilir Beqja. Gjatë mbledhjes së djeshme të Gjykatës Kushtetuese ishte i pranishëm vetë deputeti socialist Beqja, i cili shoqërohej nga avokati i tij, Genc Çifligu. Avokati i deputetit socialist i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të mos marrë parasysh votimin në Kuvend për heqjen e mandatit të klientit të tij, pasi sipas tij, ka shkelje të rënda procedurale dhe ligjore. Sipas tij, votimi i bërë në Kuvend më 21 tetor 2010, me një rezultat 70 vota pro dhe 67 kundër, ka qenë i parregullt pasi nuk është arritur vota 70+1. Ndërsa socialisti Beqja tha para trupit gjykues “se inicimi i kësaj çështjeje nga maxhoranca është politike dhe vjen menjëherë pasi ILDKP-ja kishte nisur hetimin e pasurisë së tij”.
Ndërsa përfaqësuesja e Kuvendit, Jonida Dervishi, mbrojti vendimin e marrë nga maxhoranca në seancë parlamentare për heqjen e mandatit të Beqjes. “Zoti Ilir Beqja është deputet i Kuvendit të Shqipërisë që prej datës 1 gusht 2009. Pjesëmarrja në procedurat e prokurimit dhe përfitimi i fondeve publike nga Bashkia Durrës u përkasin datave të mëvonshme. Pra, këto fonde janë përfituar nga zoti Beqja gjatë kohës që ky i fundit ka qenë deputet, duke rënë kështu në gjendje papajtueshmërie”, - është shprehur Dervishi. Ndërsa për avokatin mbrojtës të Beqjes, klienti i tij e ka fituar mandatin më 25 shkurt 2010, kur selia rozë theu bojkotin për t’u betuar në Kuvend. Kjo, sipas tij, e çliron Beqjen nga akuza e shkeljes së detyrës. “Kemi marrë betimin si momentin e vlefshëm, si momentin e vetëm procedural, i cili e konsideron deputetin me mandat për të ushtruar detyrën e tij. Deputeti para kësaj date nuk ka mandat dhe vetë Kushtetuta thotë pa bërë betimin s’ke mandat”,- tha Çifligu, avokat i Ilir Beqjes.
Deputetët e maxhorancës kanë votuar pro heqjes së mandatit të Beqjes pasi ai ka përfituar nga fondet publike në kundërshtim me ligjin gjatë kohës që ai ka qenë deputet. Por, fjalën e fundit për mandatin e deputetit Beqja do ta thotë Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj që pritet të dalë së shpejti.

Milo: “Maxhoranca të gjejë zgjidhje për krizën politike”

Opozita e Bashkuar i ka bërë apel maxhorancës të gjejë zgjidhje për krizën politike në vend. Në një konferencë për shtyp, kryetari i PDS-së, Paskal Milo, ka deklaruar se zgjidhja e krizës politike duhet të gjendet në seancën e Kuvendit. Sipas tij, opozita ka ofruar shumë kompromise, por maxhoranca refuzon, pasi kryeministri Berisha nuk do të zgjidhë krizën politike në vend. Gjithashtu Milo theksoi se nëse nuk do të gjendet një zgjidhje, atëherë Opozita e Bashkuar do të vazhdojë me protestat masive për të rrëzuar qeverinë.
Opozita e Bashkuar i bën thirrje kreut të qeverisë shqiptare të shikojë me seriozitet kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Kreu i PDS-së, Paskal Milo, në emër të Opozitës së Bashkuar tha se nëse kjo kërkesë refuzohet, do të pasohet nga protesta që do të synojnë rrëzimin e qeverisë. “Nëse do të dështojë arritja e kompromisit, opozita shqiptare do të organizojë një protestë popullore të fuqishme mbarëkombëtare, të panjohur deri tani, e cila do të çojë përfundimisht në rrëzimin e kësaj qeverie dhe në zgjedhje të parakohshme”,- theksoi Milo në emër të Opozitës së Bashkuar.

24 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›