EUROSTAT: Shqipëria ofron çmime të ulëta për investitorët
Ervin KOÇI
Shqipëria renditet si vendi i dytë në rajon pas Maqedonisë fqinje, për çmimet e ulëta sidomos në sektorin e ndërtimit. Këto fakte pranohen nga “EUROSTAT” (Instituti Europian i Statistikave) i cili në një studim të radhës të tijin e ka renditur vendin tonë si të dytin për çmimet dhe për leverdisshmërinë e investimit në të. Ndryshe nga një muaj më parë, ku ishte pikërisht EUROSTAT-i që e rendiste Shqipërinë si vendin me koston më të lartë të jetesës në Europë, përsa i përket çmimeve të artikujve të konsumit dhe kryesisht ushqimeve, këtë herë Instituti prestigjioz na ka renditur të dytët në rajon por për mirë. Sipas EUROSTAT-it, të investosh në Shqipëri, do të thotë të kesh një kosto më të ulët se sa në disa vende të tjera në rajon. Raporti thotë se: “Shqipëria ofron mundësi dhe çmime shumë më të ulëta për investitorët e huaj”. Vendi ynë renditet i dyti pas Maqedonisë për nivelin e ulët të çmimeve që kanë lidhje me investimet. Të dhënat e publikuara nga, Zyra Europiane e Statistikave, “EUROSTAT”, që i përkasin vitit të kaluar, tregojnë se Shqipëria ofron çmime të ulëta për investitorët në tërësi në sektorin e ndërtimit.
Kostoja e jetesës
Kostoja e jetesës në Shqipëri renditet ndër më të lartat në Europë, në një kohë që kostoja e ushqimeve është realisht më e larta po të krahasohet me të ardhurat për frymë. Këtë konkluzion dha një muaj më parë “EUROSTAT”, sipas të cilit Shqipëria është një nga vendet me koston më të lartë të jetesës në rajon. Të dhënat e publikuara nga EUROSTAT, që krahasojnë çmimet në 27 vendet e BE-së dhe 4 vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor, tregonin se për produktet bazë, shqiptarët paguajnë më shumë se fqinjët me ekonomi të ngjashme edhe pse të ardhurat e tyre janë më të ulëtat në Europë. Sipas EUROSTAT, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë sa 70 për qind e mesatares së vendeve të BE-së, në një kohë që ky tregues për Maqedoninë është 52 për qind, për Bullgarinë 67 për qind dhe për Rumaninë dhe Serbinë, respektivisht 65 dhe 69 për qind. Shqipëria i ka çmimet më të larta se fqinjët e saj edhe për pijet alkoolike dhe ato joalkoolike. Sipas EUROSTAT, shqiptarët i paguajnë këta produkte gati njëlloj sa konsumatorët e BE-së, që i kanë të ardhura 4 herë më të larta. Vaji dhe produktet e tjera të ngjashme, shiten në tregun shqiptar me një çmim sa 93 për qind e mesatares së BE-së, kur konsumatorët e vendeve fqinje paguajnë për këtë produkt dukshëm më pak. E njëjta tendencë është edhe për mishin apo dhe bulmetrat. I vetmi produkt ku Shqipëria ka çmimet më të ulëta se rajoni është duhani, i cili shitet me një çmim sa 30 për qind e mesatares së BE-së. Ndërsa për të gjitha produktet e tjera më të domosdoshme, shqiptarët paguajnë çmime më të larta se sa fqinjët e tyre, edhe pse sipas EUROSTAT i kanë të ardhurat më të ulëtat në rajon vetëm sa 27 për qind e BE-së.
Ushqimet
Ushqimet janë grupi i dytë i mallrave që Shqipëria merr më shumë nga importi me një vlerë prej rreth 670 milionë dollarë. Edhe pse sipas Ministrisë së Bujqësisë, importet e ushqimeve përbëjnë vetëm 30 për qind të konsumit në vend, ekspertët thonë se ato janë faktori kyç që përcakton çmimin në tregun e brendshëm. Kjo pasi prodhimi vendas në pjesën dërrmuese të tij shkon për vet-konsum dhe nuk del fare në treg. Vitet e fundit, çdo rritje e çmimit të ushqimeve në tregjet e huaja është përcjellë menjëherë në tregun e brendshëm, siç tregoi kriza e vitit 2008, por edhe rritja e papritur e drithërave gjatë kësaj vere. Pas krizës së vitit 2008, çmimet e ushqimeve në botë ishin në fillim të këtij viti sipas Bankës Botërore, 25 për qind më të ulëta. Por për të njëjtën periudhë, në tregun e brendshëm, sipas INSTAT-it, ato jo vetëm që nuk kishin rënë, por përkundrazi ishin shtrenjtuar me 16 për qind, duke shtuar dyshimet për një treg i cili në jo pak raste është parë si i kontrolluar nga kompani të caktuara.
BSH: Leku pritet të forcohet në fund të vitit
Kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit, pritet të ndikojë në forcimin e lekut ndaj euros në tregjet e këmbimit valutor vendas. Eksperti i ekonomisë, Artan Gjergji, u shpreh se duke pasur parasysh eksperiencat e viteve të kaluara, efekti sezonal i kthimit të emigrantëve për festa do të ndikojë ndjeshëm në kursin e këmbimit. Sipas tij, forcimi i lekut ka filluar te ndihet që prej fundjavës së kaluar, ku euro ka humbur pikë, duke u këmbyer nga 138,7 leke (të shtunën) në 138 lekë dje (e enjte). Nga ana tjetër, vlerëson ai, liberalizimi i vizave nuk pritet të japë ndikim të mëtejshëm në kursin e këmbimit valutor. Agjentët e tregut janë të mendimit se njerëzit që kanë planifikuar të udhëtojnë jashtë e kanë siguruar valutën e nevojshme dhe nuk pritet që kjo kategori të peshojë në balancat e kursit të këmbimit këtë fundviti. Sipas Gjergjit, euro gjendet në sasi të mjaftueshme në tregun e brendshëm dhe nuk ka arsye për të pritur vlerësim të mëtejshëm të monedhës europiane. Përkundrazi, edhe në muajt e parë të vitit 2011 është më i pritshëm një forcim i monedhës vendase dhe një rënie e euros poshtë vlerës së 138 lekëve.
Shkurt////////////////////////////
“KfW”, marrëveshje me Financat për 67.5 milionë euro për infrastrukturën
Infrastruktura dhe shërbimet sociale pritet të modernizohen me një kosto të ulët financimi, nëpërmjet kredisë me terma të buta të dhëna nga qeveria gjermane. Ministri i Financave, Ridvan Bode dhe drejtuesja e zyrës sё “KfW”-së nё Tiranё, nënshkruan marrëveshjet që përmbajnë 65.7 milionë euro fonde. Këto fonde janë të destinuara për t’u përdorur nga pushteti lokal në disa qarqe të vendit, të cilët do të zbatojnë një sërë programesh. Sipas ministrit të Financave, nga këto fonde do të përfitojnë 10 bashki të vendit. Interesi i kredive është i volitshëm për qeverinë shqiptare pasi kostoja financiare e ulët e kredisë kontribuon në uljen e mëtejshme të borxhit publik.
Demiri: “Në vitin 2011, gati eurobondi i dytë për qeverinë”
Qeveria mund të emetojë përsëri një eurobond në vitin 2011, në varësi të treguesve të buxhetit të këtij viti. Drejtori i Përgjithshëm i Menaxhimit të Borxhit Publik, në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiri, u shpreh për mediat se teknikisht është e mundur emetimi i një tjetër eurobondi, ndërsa vendimmarrja i takon qeverisë. Të ardhurat nga eurobondi i parë i emetuar vetëm 2 muaj më parë, janë përdorur për zëvendësimin e kredisë sindikale dhe huamarrjen e brendshme. Shqipëria doli për herë të parë në tregun financiar ndërkombëtar, në muajin tetor, duke emetuar një eurobond me prerje 300 milionë eurosh dhe një çmim kuponi prej 7.5%.
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.24 %
1Ë njëjavor 3.53 %
1M 1-mujor 4.75 %
3M 3-mujor 5.08 %
6M 6-mujor 5.97 %
12M 12-mujor 6.51 %
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
o/n njëditor 5.09 %
1Ë njëjavor 5.67 %
1M 1-mujor 6.46 %
3M 3-mujor 6.83 %
6M 6-mujor 7.27 %
12M 12-mujor 8.00 %
24 Dhjetor 2010