Dilema e Arabisë Saudite lidhur me Jemenin
Në Jemen, Arabia Saudite është shndërruar në një përkrahës i status quo-së për largimin e presidentit Ali Abdullah Saleh. Por me ikjen e Saleh, mundësitë e Riadit për të ruajtur ndikimin vështirësohen gjithnjë e më shumë. Arabia Saudite, gjithnjë nën frikën e kaosit dhe paqëndrueshmërisë, është një forcë kryesuese për kundërrevolucionin kundër Pranverës Arabe. Si një mburojë e vetë-identifikuar stabiliteti dhe konservatorizmi, Riadi dëshiron të mos ketë ndryshime në strukturat politike apo në ekuilibrat e pushtetit në Lindjen e Mesme dhe është e kërcënuar nga format potenciale të pushtetit, që përfaqësohen nga vendet fqinje.
Kjo politikë ka qenë e qartë me Bahreinin: në shkurt, familja mbretërore saudite i kërkoi dinastisë al-Khalifa të mos bënte kompromis me opozitën dhe të shtypte demonstratat.
Riadi e ka parë mundësinë e mazhorancës së shiitëve të Bahreinit që kërkojnë pushtet si një kërcënim, që mund të çojë në dominimin iranian – një perspektivë që është tërësisht e papranueshme për Arabinë Saudite.
Në sytë e Arabisë Saudite, qëndrimi i Saleh në pushtet po vjen e po bëhet gjithnjë e më shumë i dobët dhe i pambrojtur pas disa muajsh protesta dhe Riadi e ka kuptuar se është bërë një kërcënim për stabilitetin më shumë se një mjet mbrojtës.
Në Jemen, aktorët politikë janë më të shumtë në numër, autonom, më të rrëmbyer dhe më të armatosur sesa ato në vendet e gadishullit arabik.
Jemeni nuk mund të stabilizohet nga taktikat që ka përdorur kudo Riadi: një shfaqje e vogël e forcës, lartësimi i spektrave të sektarizmit dhe dora e poshtër e Iranit. Arabia Saudite historikisht është përpjekur ta mbajë qeverinë e Jemenit sa më të dobët dhe aktorët e tij politikë të ndarë.
Mendimi për një Jemen të fortë dhe të bashkuar e bën të heshtë pushteti mbretëror saudit: Jemen është vendi më i populluar në gadishullin arabik, me 24 milionë banorë, një popullsi që është e armatosur deri në dhëmbë, por ama edhe i varfër. Për të ruajtur ndikimin për shumë dekada rresht, Riadi ka kultivuar marrëdhënie të veçanta me shumë liderë të Jemenit (që janë në qeveri) dhe sheikë fisnorë (që formojnë një kundërpeshë për qeverisjen qendrore). Riadi nuk ka hezituar ta ndëshkojë Sanan duke ndjekur një politikë të pavarur. Për shembull, gjatë Luftës në Gji, kur Saleh u bashkua me Sadam Hussein kundër Kuvajtit, Arabia Saudite dëboi emigrantët e Jemenit dhe ndërpriti ndihmat zyrtare për Jemenin.
Ky moment shënoi nisjen e rënies së ekonomisë së Jemenit, e cila sot është harmonizuar.
Pak vite më vonë, më 1994, gjatë luftës civile të Jemenit, Riadi vazhdoi ta ndëshkonte Salehun duke mbështetur socialistët separatistë në Jemenin jugor. Lidershipi saudit u shqetësua nga fakti që, në sytë e Wahhabit, socialistët ishin të pabesë, në krahasim me natyrën pragmatiste të politikës së jashtme të Arabisë Saudite.
Për dekada me radhë, politika e Arabisë Saudite kundrejt Jemenit ishte e prirur nga kreu i “komitetit special” saudit, një organizatë administrative që menaxhonte marrëdhëniet e Mbretërisë me aktorët politikë të Jemenit, duke përfshirë edhe shpagimin e pagesave monetare të rregullta me liderët më të pushtetshëm të Jemenit. Por, këto vitet e fundit, shëndeti i Princit Sulltan është përkeqësuar (ai vuan nga problemet mendore) dhe komiteti special nuk funksionon më. Politika e Arabisë Saudite kundrejt Jemenit tashmë është drejtuar nga Princi Nayef, ministri i brendshëm saudit për të luftuar kundër al Kaedës në gadishullin arabik. Princi Nayef ka aparatet e tij të preferuara në Jemen, ku përfshihen një numër i caktuar Salafish dhe Islamikësh. Lidershipi saudit ka lidhje shumë të forta me grupe të tjera në Jemen, siç janë Hamid dhe Sadiq al-Ahmar, dy vëllezërit që kryesojnë konfederatën fisnore Hashid dhe që janë angazhuar në një betejë të hapur me forcat e Saleh javën që shkoi; sheikët fisnorë nga konfederata Bakil, vendi më i largët; si dhe me disa familje me influencë në jug. Problemi është të gjendet personi apo një koalicion liderësh, të cilët të mund të sjellin sadopak stabilitet, i pranueshëm ky edhe për forcat opozitare. Rinia anti-regjim mund të ketë një numër të madh nëpër rrugë, por ata kanë liderë që nuk ia njohin pushtetin.
Fati i Salehut është vulosur efektivisht më 22 maj, kur ai kundërshtoi - për herë të tretë - të nënshkruante planin e Këshillit të Bashkëpunimit në Gji, që mbështetej nga sauditët, që do ta bënin atë të dorëhiqej dhe të ruante imunitetin nga ndjekja penale. Saleh më pas sulmoi kundërshtarët e tij fisnorë dhe më pas u plagos rëndë më 3 qershor nga një sulm me bombë. U kurua në një spital të Riadit. (Edhe pse Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një kohë të gjatë kanë preferuar destinacionet e Jemenit për trajtime mjekësore, Saleh nuk i frikësohej ndjekjes kriminale në Arabinë Saudite, ashtu siç bën me vendet e tjera).
Problemi themelor tashmë është nëse sauditët do ta lejojnë atë t’i kthehet Sanas apo t’i ofrojë azilin atij dhe familjes së tij, sidomos në Arabinë Saudite dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku nuk mund të refuzohet.
Fati i Jemenit varet nga vendimi i tij – kthimi i Salehut ka shumë të ngjarë të rezultojë në një luftë civile.
Kjo zor se mund të ndodhë në fakt, sido që të jetë.
Pjesëtarët me ndikim të madh në familjen mbretërore saudite e njohin mirë Salehun dhe e dinë që kthimi i tij mund të jetë i vrullshëm, një skenar që ata duan ta shmangin me çdo kusht.
Një ish princ saudit kohët e fundit më tregoi që Saleh ishte shkaku kryesor i problemeve të Jemenit dhe e përshkroi atë si një “batakçi mashtrues”, të cilit nuk mund t’i besohej.
Tashmë mjaft personazhe të opozitës në Jemen, duke përfshirë këtu edhe vëllezërit Ahmar, publikisht po i ushqejnë vetes shpresat se mund të zgjidhen si të preferuarit e Mbretërisë, në mënyrë që Saleh të korrë sukses. Vëllezërit Ahmar, për shembull, e kanë lavdëruar lidershipin saudit dhe deklaruan se do t’i nënshtrohen një armëpushimi të negociuar nga Sauditët. Do të jetë e vështirë të ekuilibrohen interesat saudite me kërkesat e Jemenit. Gjenerali Ali Muhsin (një prej kushërinjve të Saleh, i cili kohët e fundit u bashkua me opozitën) dhe sheikët Ahmar janë krejt të papranueshëm për maxhorancën e Jemenit. Jo vetëm janë nuhatur që kanë bashkëpunuar me Salehun për korrupsion dhe për sistemin e tij autoritar, por nuk do të lejohen të shfaqin një rend politik që është demokratik, i përgjegjshëm dhe përfaqësues.
Vëllazëria Myslimane ka luajtur një rol të rëndësishëm në demonstratat dhe po shijon legjitimitetin mes opozitarëve në Jemen. Ka shumë të ngjarë që Arabia Saudite do të dëshirojë dikë si sheiku al-Zindani, një lider në Jemen i Vëllazërisë Myslimane, me një pozitë të spikatur. Parë nga perspektiva e Riadit, Vëllazëria Myslimane – si në Jemen dhe kudo – ka rezultuar si e dyshimtë dhe është një sfidues potencial për legjitimitetin islamik të regjimit saudit. Ashtu si homologët në Tunizi dhe Egjipt, demonstruesit që dolën nëpër rrugë këto muajt e fundit në Jemen, dëshirojnë një sistem të ri politik. Ata dëshirojnë një qeveri të unitetit kombëtar tranzicional, e përbërë prej teknokratëve, që do të funksionojnë deri në krijimin e parlamentit të ri dhe zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen më vonë. Kjo, në të vërtetë, do të thotë krijim i një sistemi demokratik – një rezultat që Riadi do të ngurrojë ta përmbushë, për arsye ideologjike dhe praktike.
Kjo e lë Arabinë Saudite midis dy politikave kontradiktore: të ruajë ndikim në Jemen dhe ta paraqesë vendin në një gjendje të qëndrueshme, që të mos përbëjë kërcënim.
Në Jemen, Riadi po ballafaqohet me zgjidhje të vështira dhe aspak të lehta.
Përktheu Rudina Dahri