E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e përuroi në 25 gusht, dalin sërish gropat në rrugë

TIRANE- E inauguruar në datën 25 gusht nga kryeministri i vendit, Sali Berisha, rruga që të çon në Parkun Kombëtar të Dajtit duket se i është kthyer gjendjes së saj të mëparshme. Gropat kanë filluar të dalin sërish në sipërfaqe e për shkak të tyre edhe vështirësitë në kalimin e automjeteve. Pas rikonstruksionit, u nevojit vetëm një javë e disa reshje shiu për ta kthyer këtë aks rrugor në "pamjet e origjinës".

RRUGA
Pjesa e rrugës, në afërsi të së ashtuquajturës Rruga e Teleferikut prej kohësh ishte shndërruar në një problem shqetësues për banorët e zonës. Gropa të thella vështirësonin mjaft kalimin e automjeteve, ndërsa radhë të gjata trafiku krijoheshin që nga godina e Institutit të Shëndetit Publik. Rehabilitimi i saj ndezi dritën jeshile, e në ditët e para u vu re që trafiku u lehtësua ndje-shëm. Në fakt, ashtu siç rrëfejnë edhe banorët e zonës punimet në këtë rrugë u kryen në një kohë rekord, ndërsa prania e kryeministrit në inaugurimin e saj, sipas tyre, i dha shpjegim punimeve gjithë situatës. "Punimet filluan shumë shpejt dhe u mbyllën, në mos gaboj, për dy-tre ditë. Na u bë qejfi sepse gropat e rrugës ishin kthyer në shqetësim, jo vetëm për mua që kaloj përditë këtu, por për të gjithë. Po, tani duket që puna e shpejtë që u bë, i dha edhe rezultatet e saj. Shikojini gropat që kanë filluar të dalin. Është e tmerrshme që rruga të prishet brenda një jave", - shprehet një drejtues automjeti. 

INAUGURIMI
Kryeministri Berisha mori pjesë paraditen e datës 25 gusht në ceremoninë e përfundimit të rikonstruksionit të segmenteve rrugore Uzina e Autotraktorëve - Lanabregas dhe Ura e Surrelit - Farkë. Sipas njoftimit zyrtar të kryeministrisë, rruga është ndërtuar sipas standardeve më bashkëkohore, me gjatësi totale 6.4 km, gjerësi 6 metra, përbën një investim me vlerë 157.2 milionë lekë dhe lidh tre fshatra të komunave Dajt dhe Farkë, duke shkurtuar distancën e tyre me kryeqytetin dhe duke lehtësuar komunikimin për 20 mijë banorë të zonave përreth. Këto rrugë i japin një frymëmarrje dhe zhvillim harmonik kryeqy-
tetit me komunat fqinje. Po sipas të njëjtit njoftim, rruga e re do të lehtësonte transportin dhe shitjen e produkteve bujqësore dhe blegtorale të këtyre fshatrave në tregun kryeqytetas. "Një impakt të rëndësishëm këto segmente rrugore kanë edhe në zhvillimin e turizmit, pasi lehtësojnë ndjeshëm udhëtimin drejt Parkut Kombëtar të Dajtit, Liqenit të Farkës, si dhe frekuentimin e hoteleve dhe restoranteve të zonës", - thuhej në njoftim.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›