Berisha e quan Pirgun "superstar"

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, së bashku më bashkëshortën e tij, Lirie Berisha, ndoqi mbrëmë Fesivalin e Këngës së RTSH-së, në ish Pallatin e Kongreseve.
"Festivali i 51 i këngës të RTSH-së, ishte në nivelin më të lartë të traditës së tij", ka vlerësuar Berisha nëpërmjet rrjetit social Facebook.
Në komentet e tij, ai vlerëson se "ishte një homazh vërtetë dinjitoz për Shqipërinë në 100 vjetorin e pavarësisë dhe për të gjithë ata këngëtarë që interpretuan për 51 vite me rradhë në këtë festival. Në garën e një cilësie të admirueshme, merrnin pjesë këngëtarë nga të gjitha trevat shqiptare, zëra të rinj të talentuar dhe interpretues të sukseseve të mirënjohura".
Në këtë spektakël të mrekullueshëm, shprehet kreu i ekzekutivit, u këndua live shoqëruar me virtuozitet nga orkestra e RTSH nën drejtimin e mjeshtrave të shquar të muzikës sonë.
Ai thekson se organizimi, regjia, skenografia, produksioni, paraqitja ishin shkrirë harmonishëm si në një simfoni të vërtetë duke shtuar se juria, që përbëhej nga personalitete të shquara kombëtare, por për herë të parë me shumë ndërkombëtare, përzgjodhi fituese këngën e dyshes Lulgjuraj - Sejko, e cila me ritmin, interpretimin, përmbajtjen "ndezi " sallën.
"Jashtë gare interpretuan superstari dhe virtuozi Saimir Pirgu, të cilit Zoti i ka dhënë të gjithë mirësitë e zërit shqiptarë dhe atij njerzore i shoqëruar nga një talent i rrallë në violinë Shkelzen Doli, si dhe cifti i famshëm azer Niki - Eli që zuri vendin e parë ne Eurosong 2011 elektrizoi sallën me dy interpretime të tij", transmeton BW komentin e Berishës.
Kryeministri shprehet më pas Rona Nishliu interpretoi më zërin e saj mahnitës e të pafund një variant të ri anglisht të të famshmes "Suus" ( nuk mund të mos ju rrefej se Ronen në familjen time e duam shumë të gjithë duke filluar nga unë tek Arti 2 vjeç që sapo fillon të këndojë Rona "Suus" ai lë lodrat dhe "ngrin" para televizorit deri sa mbaron kënga).
Duke përgëzuar përzemërsisht të gjithë organizatorët, prezantuesit dhe të gjithë pjesëmarrësit për suksesin spektakolar të këtij festivali dhe uruar atyre miqësisht festat e fundvitit, Berisha përfundon duke u shprehur që "le t'ju urojmë së bashku dyshes së mrekullueshme Lulgjuraj - Sejko suksese në Eurosong 2013"./Indeksonline/