Rënia në sektorin e ndërtimit theu rekorde më 2010
Rënia në sektorin e ndërtimit ka thyer rekorde vitin që shkoi, me plot 23 për qind, duke shënuar kështu nivelin më të lartë të rënies në dy dekadat e fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, përkeqësimi i aktivitetit të këtij sektori kontribuoi negativisht në Prodhimin e Brendshëm Bruto me -3.4%. Mirëpo Banka e Shqipërisë vërën se, ndonëse aktiviteti në këtë degë ra ndjeshëm, korrektimi i çmimit në tregun e banesave ishte i ngadaltë. Gjatë periudhës 2003-2008, ndërtimi njohu një rritje dyshifrore në terma të vlerës së shtuar, e mbështetur kryesisht nga prirja rritëse e lejeve për ndërtime private, nga kërkesa e lartë për banesa, nga lëvizjet dinamike demografike, si dhe nga mbështetja e favorshme për financim. Duke nisur nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2009, aktiviteti i degës së ndërtimit ra ndjeshëm, sipas analizës së Bankës së Shqipërisë për këtë sektor. Kjo rënie është reflektuar në rënien e ndërtimeve të reja, me më shumë se 22.5 për qind, në qëndrueshmërinë ose në tendencat rënëse të çmimeve të banesave, ashtu si dhe në rënien e vlerave të ndërtimeve inxhinierike, apo edhe rënien e nëndegës së rrugëve dhe autostradave. Rënia e vëllimit të shtuar në sektorin e ndërtimit gjatë dy viteve të fundit është kushtëzuar edhe nga rënia e kërkesës për ndërtesa rezidenciale, për investime publike, apo për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të bizneseve, si dhe nga mbështetja më e ulët me kredi, dhënë kësaj dege gjatë dy viteve të fundit, në krahasim me vitet e mëparshme. Banka e Shqipërisë vlerëson se, në veçanti kërkesa për banesa është ngadalësuar në përgjigje të pasigurive të konsumatorit për të ardhmen dhe pritjeve të tyre për korrektim të çmimeve me tendencë ulje. Nga ana tjetër, shoqata e ndërtuesve e ka pranuar krizën në sektor duke bërë të ditur se kanë falimentuar edhe dhjetëra kompani, si rezultat i situatës së krijuar. Nga ana tjetër, shoqata ka pranuar se, janë bërë ulje çmimeve, por që nuk kanë përfshirë të gjitha zonat.
Drejtuesit e shoqatës së ndërtuesve shpjegojnë se, oferta dhe uljet që bëhen, janë në varësi të zonave ku ndodhen banesat. Qendra e ish bllokut rezulton se, ka më shumë shitje. Çmimet në këtë zonë variojnë nga 1300 – 1800 euro metri katror. Zona e ‘Astirit’ sipas të dhënave nga agjencitë imobiliare rezulton se ka një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2009 prej 35 %. Në këtë zonë çmimet variojnë nga 600 – 650 euro për metër katror, ndërsa një vit më parë çmimet, po në këtë zonë, kanë qenë 480 – 500 euro për metër katror. Po ashtu edhe ‘Zona e Freskut’ ka rritje në shitje me 15 %, në lidhje me vitin e kaluar. ‘Shitje më të larta rezultojnë në zonën e Astirit, Kasharit, Dajtit sepse çmimet janë më të lira’ – konfirmojnë agjentët imobiliarë në kryeqytet. Sipas ndërtuesve, materialet e ndërtimit kanë pasur një farë rritjeje, sidomos materiali bazë që ka qenë hekuri, i cili dy vitet e fundit ka pasur rritje të konsiderueshme. Gjithashtu ata argumentojnë se janë edhe taksat, të cilat nuk ndjehen, dhe ligjet në mënyrë të pavullnetshme e fusin ndërtimin të jetë subjekt i ligjit, që krijojnë kosto.
Sipas Bankës së Shqipërisë, përkeqësimi i aktivitetit të këtij sektori kontribuoi negativisht në Prodhimin e Brendshëm Bruto me -3.4%.
Rriten interesat për kredinë afatshkurtër, bien afatgjatat
Rriten interesat për kreditë afatshkurtra dhe ulen ato për kreditë afatgjata. Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë treguan se për muajin shkurt, bankat rritën në mënyrë të fortë interesat për kreditimin afatshkurtër deri në 6 muaj, kategori që përfshin kryesisht financimin për kapital qarkullues të bizneseve. Norma e interesit për këto kredi u rrit në shkurt në 21%, nga 14% që ishte në muajin janar. Më e stabilizuar është tendenca për financimet me afat më të gjatë. Kreditë me afat shlyerjeje, deri në një vit, janë disbursuar me një normë mesatare interesi prej 12%, po aq sa në muajin janar, ndërkohë që kreditë me afat më të gjatë kanë shfaqur një rënie të normave të interesit. Kreditë me afat maturimi deri në 3 vjet janë dhënë me një normë mesatare interesi 15%, ato me afat deri në 5 vjet me interes 14% dhe ato me afat mbi 5 vjet me një normë interesi 10%. Të treja kategoritë e mësipërme kanë njohur një rënie me 1% të normës së interesit, krahasuar me muajin janar. Nëse krahasojmë normat e interesit me të njëjtën periudhë të vitit 2010, në përgjithësi ato paraqiten më të ulta. Politika monetare çliruese e ndjekur në dy vitet e fundit duket se ka dhënë efekte. Por, vendimi i papritur i muajit mars, për të rritur normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje duket se shtron perspektiva të reja për të ardhmen e çmimit të kredive. Rritja është reflektuar menjëherë në interesat e Bonove të Thesarit dhe pritet të transmetohet edhe në interesat e kredive në lekë. Pas stepjes së muajit janar, kur portofoli i kredisë kishte ngelur në vendnumëro, shkurti risjell shpresat se, kredia do të vazhdojë gjallërimin që kishte filluar në dy muajt e fundit të vitit 2010. Rritja e kredisë erdhi pothuajse e gjitha në segmentin e biznesit, ku portofoli preku vlerën e 321.3 miliardë lekëve, 5 miliardë lekë ose 1.6% më shumë se në muajin janar.