E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, fermerëve: Aplikoni për projekte në bujqësi, qeveria do t’ju mbështesë

21-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës Llongo – Koshovicë, në Dropull të Sipërm
 
Kryeministri Berisha inauguroi dje rikonstruksionin e rrugës Llongo – Koshovicë, në Dropull të Sipërm, në qarkun e Gjirokastrës, me gjatësi 5.3 kilometër, investim me vlerë 85 milionë lekë, financim i OFID dhe qeverisë shqiptare. Pjesë e këtij investimi ka qenë edhe një segment prej 270 metër që lidh fshatin Koshovicë me pikën kufitare me Greqinë, si dhe tre ura të vogla që ndodhen në këtë aks. Rruga u vjen në ndihmë 1150 banorëve të kësaj zone dhe meqenëse shumica e banorëve të zonës punojnë në zonën kufitare me Janinën, rruga e re do të lehtësojë dhe shkurtojë lëvizjen e tyre në drejtim të punës dhe shtëpive. Rruga do të përdoret njëkohësisht edhe për promovimin e turizmit malor në këtë zonë, e cila është e njohur për burimet e shumta ujore dhe pyje masive drurësh. Në këtë ceremoni përshëndeti edhe një banor i Koshovicës, i cili tha se banorët e prisnin prej vitesh këtë investim. “Ju e premtuat katër vite më parë këtë rrugë dhe tani e bëtë realitet. Gjithashtu, ju na premtuat atëherë se do të vinit vetë dhe do ta inauguronit këtë rrugë. Ne kishim frikë mos nuk do vinit, sepse politikanë të tjerë na kanë gënjyer për dekada të tëra”, tha ai. Kryeministri Berisha i falënderoi banorët e Koshovicës për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, si dhe shprehu kënaqësi për rrugën që inauguroi, e cila zhvillon edhe më shumë këtë zonë, u krijon mundësi banorëve të kësaj komune të lidhen më shpejtë me qendrat urbane, por edhe atyre që jetojnë në emigrim, të kthehen dhe të zhvillojnë aty projektet e tyre. Kryeministri i bëri thirrje fermerëve të Gjirokastrës, të aplikojnë për projekte në bujqësi, pasi qeveria do t’i mbështesë ata. “Unë do të vlerësoja shumë aplikimin tuaj për projekte, në mënyrë që t’ju mbështesim për ato projekte. Shumë bijë dhe bija tuajat janë në Greqi edhe shumë prej tyre punojnë në bujqësi. Unë u bëj thirrje të vijnë, të aplikojnë dhe t’i financojmë. Të mos lëmë djerrë asnjë pëllëmbë tokë. Ju garantojmë se do të bëjmë gjithçka. Siç bëmë rrugën, do të organizojmë edhe vaditjen, t’ju sigurojmë sistemin më të mirë vaditës. Në këtë mënyrë rrisim prodhimin, krijojmë vende pune dhe begatohemi”- tha ai. Kreu i qeverisë premtoi se mandatin e ardhshëm s’do ketë arsimtarë me pagë nën 700 dollarë në muaj, ndërsa u zotua edhe për rritjen e pagave dhe pensioneve. “Sot rrogat dhe pensionet nuk janë në nivelin që do të donim të ishin, por ato janë rritur më shumë se në çdo vend tjetër. Ishin 34 dollarë dhe tani janë mbi dyfishuar. Ne kemi rritur rrogat e mësuesve më shumë se dyfish. Ne ju garantojmë se do ta vazhdojmë ti rrisim pensionet dhe nuk do të ketë mësues që të marrë më pak se 700 dollarë në muaj”. Duke iu referuar alternativës tjetër, Berisha tha se ajo vetëm opozitë që s’mund të quhet. Sipas tij, z.Meta iku nga qeveria për të marrë kreun e PS-së. “Jemi në zgjedhje. Këta të quajturit opozitarë, çdo gjë tjetër janë, por opozitarë nuk janë. Zoti Rama ka qenë për 11 vjet personi i dytë më i rëndësishëm në fuqinë ekzekutive të vendit, kryetar i bashkisë së Tiranës. Zoti Meta qëndroi 4 vjet si Zv/kryeministër dhe ministër në qeveri edhe iku me qëllimin ose të marrë kreun e Partisë Socialiste ose të marrë karrigen time, që nuk do e marrë kurrë. Kjo është e vërteta. Këta janë këta të freskëtit opozitarë”- tha ai. Gjithashtu, Berisha premtoi për banorët e minoritetit respektimin e të drejtave të tyre. “Ju jeni minoritet në këtë zonë. Dua t’ju jap fjalën se do të bëjmë gjithçka që të drejtat tuaja të respektohen dhe të materializohen plotësisht. Qeveria, me angazhimin direkt të deputetit tuaj, kaloi vendimin për librat. Ato do t’i shtypë qeveria, pavarësisht nga kostoja e tyre dhe fëmijët tuaj do të kenë librat më të mirë”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›