Fokus/Kosova kërkon marrëveshje tregtare me BE
Duke nisur një marrëveshje të rregjimit të lirë tregtar me BE, si pjesë e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Shoqërimit, Kosova shpreson të rrisë sasinë e prodhimeve bujqësore që eksporton në 27 vendet anëtare me qëllim që të përmirësojë të ardhurat. Arta Istrefi, një këshilltare e ministrit të tregtisë së Kosovës tha se analiza e ministrisë në ndikimin ekonomik të marrëveshjes tregtare me BE pasqyron gjendjen e tanishme të ekonomisë dhe pasojat e mundshme të liberalizmit të tregtisë me Bashkimin. "Për herë të parë kemi një listë paraprake të sektorëve e produkteve të ndjeshme që duhet të kenë vëmendjen tonë ndërsa diskutohet marrëveshja me BE. Lista paraprake identifikon produktet bujqësore si më të rëndësishmet [për të maksimizuar] të ardhurat shtetërore [në kuadrin e] marrëveshjes," tha Istrefi. Analiza tregon se sipas marrëveshjes, të ardhurat shtetërore do të humbasin 65.7 milionë euro për shkak të ristrukturimit të fondeve në kuadrin e marrëveshjes, por qeveria pret që kjo sasi të kompensohet nga investimet e huaja të drejtpërdrejta të krijuara nga liberalizimi i tregtisë me BE. Kosova është tashme një përfituese e një marrëveshje të pavarur preferenciale me BE deri më 2015, që e lejon vendin të eksportojë produktet e saj në BE pa pagesë, me përjashtim të verërave me kuotë, mishit të lopës, mishrave të tjera e sheqerit. "Megjithatë, eksportuesit e Kosovës nuk po marrin avantazh të plotë nga ky përfitim [tregtie], kështu që gjendja nuk pasqyron kapacitetin e eksportit të Kosovës dhe nuk justifikon nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë me BE," tha Istrefi.
Vende të tjera në rajon kanë korrur përfitime nga nënshkrimi i marrëveshjes. Serbia nënshkroi marrëveshjen e stabilizimit dhe shoqërimit më 2008. Marrëveshje ka qenë tepër përfituese për ekonominë e shtetit, thanë analistët dhe zyrtarët. "Marrëveshja është baza për një shkëmbim tregtie të lirë me BE dhe marrëveshjet [tregtare] me Turqinë, vendet e [Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë] dhe [Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore]," tha Vladimir Medjak, ndihmës/drejtor në zyrën e integrimit të Serbisë në BE. Medjak shtoi se marrëveshja lejon produktet vendase të prodhohen në Serbi, ndërsa disa nga elementët e tyre prodhohen në vende të tjera.
Sipas ministrisë shqiptare të ekonomisë, më 2010 eksportet shqiptare u rritën me 32 përqind dhe importet me 7 përqind që më 2009. Komisioni Evropian rekomandoi që bisedimet e marrëveshjes për Kosovën të nisin në qershor, në pritje të vendimit të anëtarëve të BE-së.