Paskal Milo: Opozita drejt përçarjes, po rikthehen djajtë e së kaluarës

Rama dhe Meta, të dy pretendojnë karrigen e Kryeministrit – përçahen votuesit e majtë
Deklarata e kandidatit për deputet të LSI në qarkun e Beratit, Nasip Naço se nëse fiton e majta kryeministër do të jetë kreu i LSI, Ilir Meta, ka nervozuar jo pak kreun e PS Edi Rama, që u detyrua të qetësojë militantët socialistët me një justifikim të dobët se kryeministrin e vendos Kushtetuta. Të thuash këtë nuk ke thënë asgjë. “Të jeni të sigurt se asnjë lloj diversioni mbi fjalime apo fjali të thëna mes entuziazmit të fushatës elektorale nuk funksionon, Aleanca është kompakte, PS është në sintoni dhe sinkronizim me LSI dhe aleatët e tjerë dhe mos kini merakun më të vogël se kush do jetë kryeministri pas fitores është gjëja më e thjeshtë dhe më e shpejtë për t’u zgjidhur, bazuar në çfarë thotë Kushtetuta dhe vullneti i popullit”, iu përgjigj Edi Rama interesit të gazetarëve pas deklaratës së Nasip Naços se nëse zgjedhjet e 23 qershorit i fiton koalicioni i majtë ku bën pjesë bashkë me PS dhe 35 parti të tjera, kryeministër nuk do të jetë Edi Rama, por Ilir Meta. Në fakt, Edi Rama e quan diversion një plan të pashuar të Ilir Metës për të qenë kingmaker, pra njeriu që do të vendosë cili do të jetë kryeministri. Po të shikohet me kujdes ditën e djeshme Ilir Meta nuk përgënjeshtroj asnjë fjalë të Nasip Naços, kandidat për deputet në Berat që tha se: “ Ilir Meta “është kryeministri më i suksesshëm i së majtës” duke shtuar këtu se Meta “është lideri i së majtës”. Pra, një lider përpara Edi Ramës në të majtë. Kjo konkurrencë në të majtë ka shtuar edhe më shumë zërat e përçarjes së koalicionit të majtë. Pas ngritjes së zërave nga LSI në lidhje me postin e Kryeministrit, kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka paralajmëruar aleatët që të bëjnë kujdes. Sipas tij, deklarata të tilla në fushatë janë të dëmshme, dhe rrezikojnë kthimin e djajve të së kaluarës. Synimet e LSI-së për postin e Kryeministrit, i sheh si të rrezikshme për kohezionin e koalicionit. Paskal Milo paralajmëron aleatët të bëjnë kujdes nga djajtë e së kaluarës. Në ekuilibrin e fjalëve që e karakterizon, kreu i Partisë Demokracia Sociale jep edhe interpretimin e tij mbi zërat që ngrihen nga LSI. Milo uron që lokomotiva e Ramës të ketë fuqinë e nevojshme për të mos e lënë trenin e opozitës në rrugë. Për liderin e PDS, programi i tij është më pranë shtresave të varfra e në nevojë. Si shembull, sjell një propozim konkret për minatorët. “Të fitojmë të ardhmen” është slogani që ka zgjedhur për këtë fushatë. Pasi shpjegon se fitorja nuk vjen vetë. Për këtë, PDS po punon në shumë qarqe si Tirana, Vlora, Korça, Fieri, Lezha dhe Elbasani, përmes një përzgjedhje të kandidatëve që Milo e quan të vëmendshme.