E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha fjalim para anëtarëve të OKB-së

Gjatë fjalim para kryeministrave të shumë të shteteve të botës, kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar zhvillimet e fundit në vendin tonë, me theks të veçantë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit si dhe për krizën ekonomike.

 “Qeveria e re e sapo formuar ka përcaktuar si shtylla kryesore të programit të saj ndërtimin e një infrastrukture të re e moderne për vendin, çuarjen e Shqipërisë ne moshën dixhitale, reformimin e sistemit të shëndetësisë, arsimit, luftën me përparësi të madhe kundër varfërisë dhe punësimin e qytetarëve shqiptarë”, tha ndër të tjerash. Berisha tha se Shqipëria i përjetoi pasojat e krizës financiare, krizë e cila ishte më e keq që bota ka njohur që prej Depresonit të Madh.

Duke folur për reformat e ndërmarra në fusha të ndryshme, veçanërisht në ekonomi, Berisha tha se tashmë Shqipëria ofron mundësi të shumta për investime të huaja, lidhur me faktin se vendi ka barrën fiskale më të ulët në Evropë. “Dëshiroj të shfrytëzoj rastin të ftoj investitorë nga vendet tuaja ta konsiderojnë vendin tim për projektet e tyre, që patjeter do të kthehen në  histori suksesi për ta dhe për Shqipërinë”, tha shefi i qeverisë shqiptare.

Berisha ka nëvizuar se Shqipëria është një vend me shumë besime fetare, të cilat jetojnë në harmoni midis tyre. “Në kuadër të Aleancës së Civilizimeve dhe në përputhje me Strategjinë Kombëtare të dialogut ndërkulturor, ne po ofrojmë shembullin tonë në bashkëjetesën dhe harmoninë fetare, si një ndër trashëgimitë më të shkëlqyera shpirtërore të kombit tonë, si një kontribut ndaj qëllimeve të kësaj iniciative të OKB-së”, tha Berisha para delegatëve nga e gjithë botë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Një vend të veçantë në fjalimin e kryeministrit shqiptar ka pasur edhe Kosova, duke theksuar se ky vend në një periudhë kohore të shkurtër, është shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajonin e Evropës Juglindore.

“Në këtë vend që ka shpallur pavarësinë rreth 20 muaj më parë, janë ulur ndjeshëm tensionet ndëretnike, serbët nuk po largohen më nga Kosova, po ndodh e kundërta, shumë familje serbe po kthehen në Kosovë, për të ndërtuar aty të ardhmen e tyre. Qeveria ime është e vendosur të ndihmojë dhe asistojë qeverinë e Kosovës në projektet e saj për të lehtësuar kthimin e të larguarve në vend”, tha Berisha.

Me këtë rast dëshiroj të theksoj-vijoj Berisha-se të gjitha vendet, që kanë njohur Republikën e Kosovës dhe institucionet ndërkombëtare që e kanë pranuar atë në gjirin e tyre, si vend anëtar i pavarur e kanë bërë sepse mbi te gjitha ata janë të bindur se pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj ndërkombëtare sjell një kontribut madhor në paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit.

“Ju bëj një thirrje të veçante të gjithë atyre vendeve që  14 vjet më parë, përmes rezolutës nr. 49/204, kërkuan me votën e tyre qe vullneti i popullit të Kosovës të njihet dhe të respektohet duke dhëne kështu një kontribut të madh në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë: Sot, 14 vite me vonë, ky vullnet është njohur nga 62 vende që asokohe e votuan ketë rezolute. Shpresoj dhe besoj se edhe vende të tjera që votuan këtë rezolutë historike do të rikonfirmojnë vullnetin që shprehën 14 vite më parë, por kësaj here për të njohur shtetin më të ri evropian, Republikën e Kosovës”-deklaroi kryeministri i Shqipërisë.  

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›