E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha flet nga Brukseli: Integrimi i Shqipërisë është bllokuar

Nga Brukseli ku po merr pjesë në 50 vjetorin e krijimit të Partive Popullore Europiane, Sali Berisha deklaron se Shqipëria ka ngelur në klasë përsa i përket procesit të integrimit. Sipas kryedemokratit bllokimi vjen për shkak të dosjeve korruptive të qeverisë.

“Paralajmërime shumë serioze dhe faktikisht, në qoftë se dje u votua me unanimitet Mali i Zi, Shqipëria mbeti në klasë dhe është në labirintet në të cilat e futi Edi Rama për shkak të dosjeve të tij të tmerrshme me korrupsionin. Pra, Shqipëria është peng i korrupsionit të Edi Ramës”, tha ai.

Berisha foli për mbështetjen që Partitë Popullore po i japin Partisë Demokratike.

“Raporti i PD me Partinë Popullore është i shkëlqyer. Janë disa rezoluta që kanë shprehur mbështetjen e plotë për PD dhe dënimin e hapur të farsës elektorale dhe të regjimit të Edi Ramës. PPE mbështet plotësisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por një proces të bazuar në meritë, siç është edhe kërkesa jona”, theksoi ai.

PD është anëtarësuar në grupimin e PPE tre vite pas krijimit të kësaj force në Shqipëri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›