E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha flet për herë të parë mbi Albpetrolin: Pres konsulentët

Fatjona Mejdini

Kreu i qeverisë diskuton me deputetët mbi faktet që dolën pas garës

Kryeministri Sali Berisha ka folur dje në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të Partisë Demokratike për herë të parë në lidhje me procesin e bujshëm të privatizimit të kompanisë së naftës Albpetrol. Duke i paraprirë ndonjë komenti të deputetëve në lidhje me këtë çështje, kreu i qeverisë ka theksuar se ai do të vijonte me heshtjen publike për sa i përket këtij privatizimi, për shkak se deklaratat e tij në këtë fazë mund të influenconin në procesin e përzgjedhjes së kompanisë fituese. Burimet brenda grupit theksuan se Berisha bëri të qartë që do të prononcohej për këtë çështje vetëm kur ky proces të përfundonte, pavarësisht se Albpetroli konsiderohet një nga privatizimet më strategjike që është bërë ndonjëherë në vend. Kreu i qeverisë i informoi deputetët e PD-së se, pavarësisht rëndësisë së çështjes, komisioni i ngritur pranë Ministrisë së Ekonomisë për shqyrtimin e dokumentacionit të kompanive kishte të gjitha mundësitë të bënte një zgjedhje të drejtë dhe konform ligjeve në vend. Po kështu, gjatë fjalës përpara deputetëve demokratë, Berisha i mëshoi faktit se konsultat që grupi i ngritur në ministri po bën me kompaninë amerikane të lobimit, Patton Boggs, janë një garanci më shumë se procesi do të jetë i drejtë dhe në interesin më të mirë të vendit. Ky është reagimi i parë publik që vjen nga Kryeministri i vendit, Berisha, për çështjen e privatizimit të Albpetrolit. Mesa duket, kreu i qeverisë kërkon që publikisht të qëndrojë larg kësaj çështjeje shumë të debatuar dhe të japë qëndrimin e tij vetëm në momentin kur kompania fituese të shpallet nga ana e komisionit të ngritur në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës. Në mënyrë të përsëritur, ditët e fundit përfaqësuesit e opozitës janë ankuar në lidhje me mungesën e transparencës në procesin e privatizimit të Albpetrolit dhe po kështu ata kanë kërkuar që edhe Kryeministri Berisha të përfshihej në këtë debat. Ende nuk dihet sesa do të zgjasë procesi i shqyrtimit të dokumenteve të kompanive, të cilat kanë paraqitur ofertat e tyre në privatizimin e kompanisë së vetme shtetërore të naftës në vend.

F.Mejdini 

Berisha flet për herë të parë mbi Albpetrolin: Pres konsulentët burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›