E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedimi disiplinor, në pyetje prokurori i Beratit

Sokol Çobo

Hetimi 

Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme ka filluar procedimin disiplinor ndaj ish-kryeprokurorit të Beratit, Xhemal Saliasi. Objekti i këtij procedimi është dalja publike e Saliasit kundër sistemit të prokurorisë. Sipas ligjit Për prokurorinë, një prokuror nuk lejohet të japë konferenca apo deklarata shtypi pa marrë më parë leje në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Dje, në Prokurorinë e Përgjithshme, ish-prokurori i Beratit është marrë në pyetje nga anëtarët e këshillit, duke e pyetur për bazën ligjore të deklaratave në publik. Saliasi ka pretenduar se nuk ka shkelur asnjë ligj, urdhër apo udhëzim të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm dhe ka vepruar në bazë të postit që mbante, atë të kryeprokurorit të Beratit. Seanca e pyetjeve zgjati dhjetëra minuta. Konflikti mes Saliasit dhe prokurorisë ka ardhur pas një çështjeje në Prokurorinë e Beratit, ku i implikuar ishte shoferi i Saliasit. Akuza qendrore vlerësoi se delegimi i çështjes së shoferit të Xhemal Saliasit në Prokurorinë e Lushnjës ishte i gabuar. Me një vendim të kryeprokurores Ina Rama, Saliasi u largua si drejtues në Berat, ndërsa i proceduari doli në një konferencë për shtyp në Ministrinë e Drejtësisë, duke akuzuar krerët e Prokurorisë së Përgjithshme. Madje, depozitoi edhe një padi në Gjykatën e Tiranës, ku akuza qendrore, sipas Saliasit, kishte vepruar gabim me një urdhër. s.ç.

Procedimi disiplinor, në pyetje prokurori i Beratit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›