E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha fton investitoret Shqiperia ka 2/3 e potencialeve hidrike pa shfrytezuar

Shqipëria është vendi me mundësitë më të mëdha për prodhimin e energjisë hidrike. Deri më tash janë shfrytëzuar vetëm 1/3 e potencialeve dhe mbetën edhe 2/3 për t’u shfrytëzuar, kjo është një mundësi e mirë për investitorët, për ndërtimin e HEC-ve me koncesion. Kështu deklaroi sot Kryeministri Sali Berisha, në konferencën "Hydro Power Oportunities in Albania", e organizuar Banka për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Në konferencën “Energji hidrike, mundësitë në Shqipëri”, kryeministri Sali Berisha ka falënderuar veçanërisht financuesit e BERZH, që i ka cilësuar një nga partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë. BERZH tha Berisha në këto vite ka investuar në të gjitha fushat, në dhjetëra e dhjetëra projekte të sektorit privat e publik, që kanë ndikuar në zhvillimin e vendit. “Investimet bëra në fushën energjike janë të suksesshme. Po kërkohen mundësi për hapjen e horizonteve të reja. Ne kemi potenciale për të ecur në rrugën jeshile. Ne mund të bëhemi një vend me 100 % prodhim të energjisë së rinovueshme. Jemi të vendosur për ecur në këtë rrugë. Potencialet e vendit janë shfrytëzuar 1/3, ka ende mundësi për tu shfrytëzuar edhe 2/3 e këtyre potencialve. Ne kemi mundësi për tu bërë superfuqi energjetike”, ka deklaruar kreu i qeverisë.

Kryeministri nënvizoi se një mundësi zhvillimi në fushën energjetike ka dhënë edhe ligji “Për Koncesionit”. “Koncesionet në hidrocentrale janë një ndër arritjet më të suksesshme. Falë këtij ligji shpërtheu një garë e paparë në historinë e tregut të vendit. Rezultati i garës është se qeveria ka nënshkruar 110 kontrata për ndërtimin 300 HEC-ve. Ligji i cili nuk lejon qeverinë të negociojë me investitorët parandalon edhe dështimin. Por ligji jep bonus për projektin më të mirë dhe përzgjedhjen me pikë mes investitorëve për këtë garë”, ka deklaruar kreu i qeverisë.

Kreu i qeverisë ka vënë theksin se kigji shërbeu si një nxitë i madh për investitorët. Nevojë e investitorëve në ndërtimin e hidrocentraleve ka qenë mbështetja me financime nga bankat, kërkesë kjo e ngritur herët prej tyre. Ndaj kreu i qeverisë i ka bërë thirrje bankave të nivelit të dytë ët mbështetin me financime investitorët e energjisë. “Bankat duhet të japin kredi të buta për energjinë e rinovueshme”, tha kreu i qeverisë.

Kryeministri ka siguruar investitorët se qeveria është e vendosur për të instaluar kuadër ligjor nxitës. “Ne jemi të vendosur për të krijuar fondin për energjinë jeshile. Ne do të inkurajojmë edhe prodhimin e energjisë së erës. 650 milionë euro janë investuar në hidrocentrale, qindra milionë të tjera janë në investim e sipër. “, deklaroi kryeministri.

Ai përmendi faktin se shumë projekte janë në investim e sipër, duke veçuar Kaskadën e Devollit, me një vlerë prej 1 miliardë euro që është një nga projektet më të rëndësishme dhe më të mëdhatë në Europë, cili është në investim e sipër.

Kreu i qeverisë tha se, ndërsa e gjithë bota është duke përballur nga kriza të ndryshme, si ajo e ndryshimit të klimës, mungesës së energjisë dhe nga kriza e borxheve, Shqipëria i ka dalë për të ecur në një rrugë jeshile të zhvillimit të qëndrueshëm.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›