E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha fton investitorët të investojnë në Shqipëri

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për institucionet financiare të OPEC-ut dhe Bankën Islamike për Zhvillim (IBD), të cilët bashkë me Bankën Botërore dhe FMN-në i kanë siguruar Shqipërisë një mbështetje shumë bujare dhe të rëndësishme.Sipas tij "projektet e financuara nga taksapaguesit e vendeve që aderojnë në këto institucione janë shtrirë në të gjithë vendin dhe kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për të ndryshuar jetën e shqiptarëve".

"Këto projekte të cilat vazhdojnë, ose janë përfunduar shtrihen në infrastrukturë, kujdesin shëndetësor, në arsim, në furnizimin me ujë të pijshëm. Nuk ka fusha në të cilat OPEC dhe IBD nuk kanë shtrirë dorën e tyre", tha Kryeministri Berisha. Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj konferencë, Kryeministri theksoi se "më shumë se 100 investitorë nga vende si Arabia Saudite, Kuvajti, Nigeria dhe shumë vende të tjera janë mbledhur në Tiranë për të parë potencialin dhe mundësitë e Shqipërisë".

Ekonomia e Shqipërisë, tha Kryeministri, ka nevojë për financime në projekte kombëtare dhe rajonale, të cilat do të rrisin hapësirën e tregut dhe do të krijojnë një klimë biznesi të favorshme. Në këtë drejtim, Kreu i Qeverisë shprehu besimin e plotë se "kompanitë e huaja do të gjejnë në Shqipëri një ekonomi vërtetë tërheqëse dhe dinamike, që ruajti rritjen edhe në kohët më të vështira të shekullit të fundit". Sipas tij "ekonomia e Shqipërisë është e vogël por e konsoliduar dhe dinamike".

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›