E Shtunë, 31 Tetor 2026

Naço: Për deputetët e PS-së do të zbatohet Kushtetuta

Kështu ka deklaruar sot, nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço, i ardhur në këtë post nga radhët e LSI-së.

 "Si në Kushtetutë dhe në rregullore parashikohet që deputeti duhet të vijë të bëjë betimin. Në rast se ai i shmanget betimit atëhere Sekretariati i Përkohshëm duhet t'i drejtohet KQZ-së për t'i spjeguar me relacion që një grup deputetësh ose një deputet i veçantë nuk pranon të bëjë betimin dhe detyrimisht në këtë rast do të zbatohet Kodi Zgjedhor dhe Kushtetuta e Shqipërisë. Por, nuk besoj se do të arrijë puna deri këtu dhe kam bindjen se shumë shpejt, brenda dhjetorit, opozita do të jetë në parlament", tha deputeti Naço.

 Ai tha gjithashtu se se para se të kërkojmë zbatimin e rregullores dhe Kushtetutës për funksionimin e parlamentit, ne "kemi bërë të gjitha përpjekjet për ta ftuar opozitën që të zërë vendin e saj në parlament, për të cilën është votuar më 28 qershor. Ky është rezultati i zgjedhjeve dhe opozita duhet ta pranojë se vendi i saj në është në Kuvend".

Kushtetuta përcakton një afat 6-mujor të djegies së mandatit të deputetit, kur ky i fundit mungon pa arsye në Kuvend. Kjo procedurë është efektive vetëm në rastet kur deputeti i është nënshtruar verifikimit nga Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Mandateve, si dhe ka bërë  betimin në parlament. Por, në rast se deputeti nuk bën betimin, ai efektivisht nuk është deputet dhe Kuvendi mund të fillojë procedurat për zëvendësimin e radhës, duke iu drejtuar zyrtarisht KQZ-së. 

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›