E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, fundjavë me ish-Kryeministrin e Malajzisë



Kryeministri Sali Berisha preferoi ta kalonte fundjavën në qytetin e Krujës, i shoqëruar nga ish-Kryeministri i Malajzisë, Dr.Mahathir Mohamad, një nga ekonomistët dhe politikanët e këtij vendi të zhvilluar ekonomikisht. Kryeministrat shoqëroheshin nga bashkëshortet e tyre dhe së bashku kaluan ditën e diel, duke soditur qytetin e Krujës. Dy politikanët panë nga afër Kalanë e Krujës, por shëtitën edhe në pazarin historik të këtij qyteti, ku folën me tregtarët artizanalë. Menjëherë pas mbërritjes në Krujë, Kryeministri Berisha dhe Dr. Mohamad vizituan Muzeun Historik të Heroit Kombëtar, Gjegj Kastriot Skënderbeut, duke u drejtuar më pas në Muzeun Kombëtar Etnografik, i cili ndodhet në këtë qytet. "Gjatë kësaj vizite Kryeministri Berisha zhvilloi edhe një shëtitje në Pazarin e Vjetër të qytetit të Krujës dhe në dyqanet karakteristike të këtij pazari, ku pati rastin të takohet me shumë tregtarë të prodhimeve artizanale të mjeshtërve krutanë", thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Kryeministri Berisha u interesua nga afër për punën dhe për nevojat e tyre në drejtim të përmirësimit të aktivitetit të tyre, si dhe ndihmën që mund të jepte Qeveria dhe pushteti vendor i qytetit, në lidhje me infrastrukturën e zonës së vjetër, të ndriçimit të zonës së pazarit etj. "Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha kërkoi nga përfaqësuesit e pushtetit vendor që t'u përgjigjeshin kërkesave të qytetarëve krutanë me sa më efikasitet dhe shpejtësi, në mënyrë që vera që po afron të shënojë një numër edhe më të madh me turistë, krahasuar me verën e shkuar", përfundon njoftimi i vizitës së Kryeministrit në Krujë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›