Berisha garanton OSBE: “Zgjedhjet e vitit 2013, të lira dhe të ndershme – të vazhdojë dialogu politik”
Në samitin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, kryeministri Berisha ka ftuar organizatën më të madhe që mbron liritë e të drejtat e njeriut që të monitorojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Deklarata: “Në vitin 2009, Edi Rama i cilësoi zgjedhjet moment historik, kur s’fitoi tha se u vodhën”
“OSBE mbështet Shqipërinë për zgjedhjet e vitit 2013”. Kështu u shpreh dje Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha. Zannier deklaroi gjithashtu se është i rëndësishëm vazhdimi i dialogut mes forcave politike në Shqipëri. “OSBE-ja mbështet dialogun politik në Shqipëri si edhe zgjedhjet e ardhshme. Me Kryeministrin Berisha patëm një diskutim vërtet konstruktiv me Kryeministrin Berisha mbi rolin e Shqipërisë në OSBE dhe të OSBE-së në Shqipëri. Vlerësoj pozitiv faktin që ky takim u zhvillua në kontekstin e organizimit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Tiranë, ku do të diskutohen çështje të rëndësishme”, tha Zannier.
Sipas tij, mbeten disa çështje që duhen adresuar, si çështja e shtetit të drejtës dhe një dialog i mëtejshëm politik mes forcave politike në vend.
Për sa i takon çështjes së shtetit të së drejtës, Zannier tha se “jo vetëm për Shqipërinë, por për shumë vende që janë pjesë e OSBE-së, nevojitet të bëhen përpjekje të mëtejshme për reformimin e sektorit të drejtësisë. Lufta kundër korrupsionit mbetet një nga prioritetet e qeverisë tuaj. Por ky është një prioritet global”, theksoi ai.
Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha u shpreh se sheh një bashkëpunim të ardhshëm të suksesshëm të OSBE-së me Shqipërinë.
“Unë jam dëshmitar i një kontributi madhor në mekanizmat më themelore të demokracisë, siç janë ato të zgjedhjeve të përgjithshme e lokale, në liritë e të drejtat e njeriut. Por ekspertiza e kësaj Organizata ka mbuluar shumë fusha të tjera. Ishte një rast për të falënderuar ambasadorin Wollfarth, ekipin e tij, për angazhimin e madh, në përputhje me mandatin që parlamenti shqiptar i ka dhënë dhe shoh me kënaqësi një bashkëpunim të ardhshëm, të suksesshëm, me Organizatën e Praninë e saj këtu. Unë i kërkova Sekretarit të Përgjithshëm që të bëjmë çdo gjë, për të mbështetur Praninë e saj në Tiranë, ODIHR-in dhe Asamblenë Parlamentare, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri të jenë zgjedhje që plotësojnë tërësisht standardet ndërkombëtare të OSBE-së dhe mora siguri të plotë për këtë. Në këtë takim diskutuam për vendosmërinë tonë për një rol më të madh brenda OSBE-së, angazhimin për të dhënë kontributin tonë modest në reformimin e mëtejshëm të kësaj Organizata, e cila mbulon hapësirën më të madhe të kombeve të lira, sot dhe ka një rol, për mendimin tim, jashtëzakonisht të rëndësishëm e pozitiv për të luajtur në konsolidimin e vlerave të demokracisë, lirisë, paqes e stabilitet në hapësirën e saj e në botë”, u shpreh Berisha.
Lidhur me raportin e OSBE-së për zgjedhjet, Berisha theksoi se, “Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Sipas tij, kjo bazohet në një vendosmëri të madhe të qeverisë për të bërë gjithçka që ka në dorë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.
“Njëra anë është procesi dhe ju jeni dëshmitarë që në vitin 2009, Edi Rama deklaroi se këto zgjedhje ishin historike dhe, kur nuk gjeti votat që besonte se do të merrte, ndryshoi qëndrim. Por shqiptarët zhvilluan zgjedhje të lira e të ndershme, që, sipas raporteve, arritën standardet kryesore të OSBE-së. Ndaj edhe unë jam shumë i vendosur të punoj për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm”, deklaroi Berisha.
Për sa i përket çështjes së korrupsionit, Berisha theksoi se, “ky vend ka një reformë shumë të qartë të luftës kundër korrupsionit. Nëse reformat kanë pasur sukses, në themel ka qenë lufta ndaj korrupsionit. Janë penalizuar qindra zyrtarë, nga zëvendësministra deri në punonjës institucionesh”, tha më tej kryeministri Berisha.