E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria e gatshme të marrë kryesimin e Presidencës së OSBE-së”

06-10-2012 / Gazeta 55

Kreu i shtetit, Bujar Nishani takon Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier
 
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani takoi dje Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të sesionit të vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për kontributin dhe ndihmën e madhe që OSBE-ja i ka dhënë Shqipërisë përgjatë këtyre viteve në drejtim të demokratizimit të vendit, procesit të zgjedhjeve, përmirësimin e legjislacionit zgjedhor, monitorimin dhe rekomandimet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kreu i Shtetit u shpreh se Shqipëria, falë maturisë dhe aftësisë së institucioneve të saj është e gatshme të marrë Presidencën e OSBE-së në një moment sa më të afërt dhe kur për këtë të ketë konsensus të plotë. Presidenti Nishani nënvizoi se “Shqipëria me tolerancën dhe harmoninë e saj fetare, me respektin që ka treguar për të tjerët të ndryshëm si edhe me politikën e fqinjësisë së mirë ka se çfarë të ofrojë gjatë Presidencës së saj të OSBE-së”. 
Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier vlerësoi transformimin pozitiv të vendit dhe nënvizoi se Shqipëria është një faktor stabiliteti në rajon duke nxitur drejtuesit e vendit të vazhdojnë ta luajnë këtë rol. Zannier u shpreh gjithashtu se Shqipëria me Presidencën e Këshillit të Evropës po demonstron me fakte aftësitë e saj, në drejtimin e institucioneve ndërkombëtare dhe se ai vetë mbetet mbështetës i kërkesës shqiptare për të drejtuar OSBE-në.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›