E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, gati për Norvegjinë

Valon Berisha ndihet i gatshëm për të debutuar nga minuta e parë me Kombëtaren A të Norvegjisë ndaj Tajlandës. Mesfushori kosovar po e shijon eksperiencën në Tajlandë me ekipin A dhe thotë se do ta japë maksimumin, kur t’i jepet rasti. Ai ndihet krenar me përparimin që pati në karrierë, edhe pse është ende vetëm 18 vjeç.

Valon Berisha është i gatshëm të debutojë për përfaqësuesen e Norvegjisë nga minuta e parë, në ndeshjen miqësore ndaj Tajlandës, e cila do të zhvillohet sot në Bangkok. Mesfushori ofanziv kosovar do ta shfrytëzojë lëndimin e disa lojtarëve për të luajtur nga fillimi për ekipin skandinav.

“Ndihem mirë, por i lodhur. Sot stërvitëm mjaft mirë. Nuk e di nëse do të luaj nga fillimi, por do ta kem rastin, kështu që jam i gatshëm”, ka thënë Berisha për ueb faqen dagbladet.no.

Valoni do t’i mbushë 19 vjet pas tri javësh. Ai kishte debutuar si 15 vjeç me ekipin e parë të IK Egersund, me të cilin kishte zhvilluar 31 ndeshje dhe kishte realizuar 11 gola. Në vitin 2009 ishte transferuar në Viking, ku kishte debutuar në vitin 2010. Ai ndihet mjaft i kënaqur me sezonin që shkoi.

“Shkoi më mirë se që e prisja. Kam debutuar me U-21 e U-23 dhe shkoi gjithçka mirë edhe në nivelin me klub. Dhe në fund u ftova edhe në përfaqësuesen A të Norvegjisë. Në përgjithësi gjithçka po funksionon si duhet”, vazhdoi Berisha.

Berisha kishte debutuar me Norvegjinë në vitin 2008 me ekipin U-15. Me këtë kategori, ai ka zhvilluar katër ndeshje. Më 2009 doli në ekipin U-16, ku zhvilloi 10 takime dhe realizoi dy gola. Në vitin 2010 u përfshi në ekipin U-17 e më pas në U-18, ku zhvilloi 8, përkatësisht 7 ndeshje.

Së fundmi, ai zhvilloi 8 ndeshje me ekipin U-21 e U-23. Kurse të dielën debutoi ndaj Danimarkës, për ta shijuar ndeshjen e parë me ekipin e parë të Norvegjisë., ku u inkuadrua në pjesën e dytë.

“Ditët e para në Tajlandë ishin mjaft të mira. Jam njohur më mirë me njerëzit. Disa lojtarë i njihja nga ekipi U-21. Kjo është hera e parë që largohem aq larg nga shtëpia për një ndeshje futbolli”, shtoi ai.

Futbollisti kosovar tregon se ëndërr e tij në vegjëli ishte të luante në një skuadër nga liga e parë norvegjeze. Pastaj apetitet e tij u shtuan dhe ëndërronte të bëhej lojtar i madh i futbollit. Më ka pëlqyer gjithmonë Barcelona. Është skuadra më e madhe në botë, pa dyshim”, vijoi Berisha i cili mendon se Lionel Messi është futbollisti më i mirë në botë.

Berisha i tregon edhe veçoritë e tij. Ai thotë se është i mirë teknikisht, e ruan mirë topin dhe ka njohuri të mjaftueshme për futbollin, i gatshëm të vrapojë në sulm dhe në mbrojtje.

Berisha zbulon se kur ishte 14 vjeç, kishte shkuar në akademinë e ish futbollistit të njohur norvegjez Ole Gunnar Solskjaer në Kristiansund. Atje thotë se mësoi shumë nga ish futbollisti i Manchester Unitedit. Atje kishte ushtruar me vëllanë e tij të vogël, Vetonin, i cili po ashtu është futbollist i Vikingut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›