Sadiku, ylli i shumëkërkuar

Loret Sadiku konsiderohet njëri prej talentëve më të mëdhenj të futbollit suedez. Futbollisti i IFK Varnamos është bërë objektiv i disa skuadrave të rëndësishme suedeze, por edhe jashtë këtij vendi.
20 vjeçari kërkohet nga kampioni aktual i Suedisë, Helsingborg IF, ku tashmë veç luan futbollisti tjetër kosovar Ardian Gashi. Sadiku javë më parë kishte konfirmuar se ishte duke biseduar me një skuadër të rëndësishme nga liga Allsvenskan, ndërsa tash e ka zbuluar edhe emrin e saj.
“Menaxheri im po bisedon me Helsingborgun. Por, ka edhe klube tjera të interesuar për mua nga liga e parë suedeze, por edhe nga jashtë. Mirëpo, për momentin nuk mund t’ju them më shumë”, deklaroi futbollisti kosovar, i cili mund të luajë në rolin e mbrojtësit dhe të mesfushorit.
Ai e pranon se do të kishte dëshirë që t’i bashkohet kampionit në fuqi, të cilin e konsideron si klub të madh. “Vitin që shkoi, Helsingborgu ka fituar gjithçka, ka një ekip të mirë. Atje luan miku im Joseph Baffo, të cilin shkoj ta vizitoj nganjëherë”, vijoi ai.
Sadiku thotë se, në cilindo klub që do ta vazhdojë karrierën, do ta kërkojë një vend titullari, pasi që nuk dëshiron të ulet në bankinë. Pra, edhe nëse transferohet në Helsingborg, ai synon të luajë sa më shpesh. Ai tregon se ekipi i zemrës për të është Halmstadi, të cilin e kishte përcjellë për herë të parë në stadium direkt.
Natyrisht, edhe Helsingborgu i pëlqen, sa që kohë më parë e kishte postuar një koment për këtë ekip në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook. Sidoqoftë, Sadiku shpreson që shumë shpejt ta njohë emrin e ekipit të tij të ri, pas sukseseve që pati me ekipin IFK Varnamo, në ligën e dytë suedeze.