E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha hap dritën për kompromis me PS: Të hapen kutitë e materialeve zgjedhore

Kuvendi Ruçi: Kemi 10 muaj që presim hetimin. Por më mirë vonë se kurrë

Ndizet drita jeshile e konsensusit mes PD-PS për zgjidhjen e krizës politike. Nga podiumi i Parlamentit, dy përfaqësuesit më të lartë të dy forcave më të mëdha politike në Kuvend, Sali Berisha dhe Gramoz Ruçi, kanë dhënë detajet e para për mënyrën e bashkëpunimit për të kaluar udhëkryqin e zgjidhjes së krizës politike. Kryeministri Sali Berisha ka lexuar në Kuvend mesazhin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke thënë se PE kërkon hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit të materialeve të votimeve dhe amendamentet për zgjedhjet e ardhshme. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, nga ana tjetër përforcon në mënyrë indirekte mesazhin e konsensusit, duke u shprehur se “kemi 12 muaj që kërkojmë komision hetimor, por u desh rezoluta që ju ta jepnit këtë. Humbëm 12 muaj kohë vetëm për një fjalë”. Në këmbim të konsensusit, mazhoranca do të lërë në dorë të opozitës udhëheqjen e komisionit hetimor dhe shumicën. “Rezoluta kërkon që Partia Socialiste të meritojë të gjithë trajtimin e përshtatshëm. çdo ligj që kërkon 3/5, Partia Demokratike është e gatshme t’ua ofrojë ju iniciativën. çdo ligj i thjeshtë, Partia Demokratike është e gatshme të diskutojë për gjerësinë e tyre”, tha Berisha. Në fjalën e tij, Gramoz Ruçi thotë se “më mirë vonë se kurrë”.

Pretendimet e opozitës

Opozita ka marrë dje “Ok” nga mazhoranca për ngritjen e komisionit hetimor, përbërjen e komisionit hetimor me shumicë nga opozita, drejtimin e tij nga opozita, objektin e komisionit hetimor, kohën kur duhet të përfundojë dhe t’u paraprijë ndryshimeve dhe reformës në Kodin Elektoral. Duke interpretuar rezolutën që ka miratuar dje Parlamenti Europian, Ruçi tha se kjo nuk është një rezolutë për liberalizimin e vizave, por është një rezolutë për integrimin europian të Shqipërisë. “është një rezolutë e mohuar sot e pesë vjet për Shqipërinë dhe për shqiptarët. është një rezolutë që për Shqipërinë dhe për shqiptarët është shtyrë dy herë. është një rezolutë që vjen edhe pas Bosnjës. Prandaj opozita shqiptare e përshëndet, se është më mirë vonë se sa kurrë. Por ju që duartrokisni dhe unë që flas duhet t’i bëjmë pyetjen vetes: Pse vendit tonë i është shtyrë dy herë votimi i rezolutës?! Pse për vendin tonë e miratojnë pas Bosnjës”, u shpreh Ruçi. “Mund të themi se sot shqiptarët kanë qenë më të pranishëm se kurrë në Parlamentin Europian, ndaj përshëndes mbështetjen që PE i jep procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe heqjes së vizave afatshkurtra për shqiptarët”, deklaroi Kryeministri. Berisha garantoi europarlamentarët se do të ndërmarrë çdo reformë për të siguruar integrimin e vendit, duke përmbushur kështu edhe kërkesat që i adreson kjo rezolutë qeverisë shqiptare. Ai i bëri thirrje opozitës të nisin menjëherë shqyrtimin e materialeve të votimit, si një detyrim moral të mazhorancës ndaj opozitës dhe gjithashtu edhe si një e drejtë ligjore e çdo deputeti për të parë materialet e votimit. “Rezoluta e PE-së kërkon gjithashtu që opozita të ketë vendin e saj, dhe unë garantoj se do respektoj rolin tuaj në Parlament dhe se çdo ligj me 3/5, mazhoranca është e gatshme t’ia ofrojë iniciativën e propozimit opozitës”, u shpreh Berisha.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›