E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si donte ta godiste Nikson, Korenë e Veriut me armë bërthamore

Dokumentet Me një arsenal 20 herë më të fuqishëm se Hiroshima

Kanë kaluar më shumë se 35 vjet që nga koha kur Nikson sundonte në Shtëpinë e Bardhë, por ideja se çfarë dëmi të madh mund t’i kishte shkaktuar ai njeri vendit dhe mbarë njerëzimit ende i bën njerëzit sot të dridhen. Së fundi ka dalë në dritë fakti se metaforikisht, gishti i ish-presidentit ka qenë shumë më pranë nga sa mendohej butonit të valixhes bërthamore. Kjo për sa i takon planeve të tij bërthamore kundër Koresë së Veriut në vitin 1969, në vijim në goditjes së një avioni spiun amerikan. Sipas disa dokumenteve qeveritare që sapo janë publikuar, Nikson u kishte dhënë madje edhe urdhër avionëve bombardues që të ishin në gatishmëri të plotë për një sulm të menjëhershëm pas goditjes dhe rrëzimit të një aeroplani amerikan nga Koreja e Veriut. Në fakt sipas pretendimeve amerikane, avioni i tyre ishte duke fluturuar në hapësirën ndërkombëtare dhe detyra e tij ishte mbledhja e informacioneve sekrete. Dokumentet, të cilat ndodheshin në Arkivin e Sigurimit Kombëtar Amerikan, përshkruajnë se si avioni me emrin e koduar “Freedom Drop”, kishte marrë udhëzime për përdorimin e arsenalit bërthamor që kishte në bord kundër Koresë së Veriut. Në planin e bërë për hedhjen e bombave parashikohej se viktimat në njerëz të shkaktuara nga një veprim i tillë do të ishin minimumi 100 vetë dhe maksimumi disa mijëra. Në korrik të vitit 1969, një dokument nga sekretari amerikan i Mbrojtjes Melvin Laird, për këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Nikson-it, Henry Kissinger, nënvizonte një numër opsionesh bërthamore që mund të ndërmerreshin si kundërpërgjigje ndaj përshkallëzimit të provokimeve nga ana e Koresë së Veriut. Ato përfshinin një plan për kryerjen e një sulmi kundër objektivave ushtarake përmes armëve bërthamore. Bëhet fjalë për një sulm që do të përfshinte 12 objektiva ushtarakë. Një tjetër opsion ishte ai i një sulmi me një sasi jashtëzakonisht të madhe arsenali bërthamor, kjo për të asgjësuar njëherë e përgjithmonë dhe menjëherë forcën kundërpërgjigjëse të Koresë së Veriut. Këto opsione konfirmohen edhe nga një ish-pilot amerikan që deklaroi për një media amerikane se ai ishte një nga pilotët e lajmëruar për të qenë në gatishmëri. Avioni i tij ndodhej në Korenë e Jugut në gatishmëri dhe kur atë e thërriti shefi i tij i madh, e kuptoi se bëhej fjalë për një situatë të rëndësishme. “Shumë shpejt e kuptova se mund të hidhja një bombë atomike, pra bombën B61, një armë 20 herë më e fuqishme se ajo atomike e hedhur në Hiroshima”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›