Konferenca Gjyqësore, asnjë draft në qeveri
Një nga institucionet kushtetuese në Shqipëri rrezikon paralizimin dhe kjo si rrjedhojë e mosangazhimit të ekzekutivit, pasi drafti për projektligjin e Konferencës Gjyqësore ende nuk është dërguar në qeveri. Megjithëse kanë kaluar muaj të tërë nga shfuqizimi i ligjit të mëparshëm të Konferencës Gjyqësore, ende Ministria e Drejtësisë nuk ka paraqitur një projekt përfundimtar, i cili do të shkonte më pas në Parlament, për t’u miratuar dhe kështu do t’i hapte rrugë funksionimit normal të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili aktualisht ka pesë anëtarë mangët. Burimet zyrtare nga Ministria e Drejtësisë nuk preferuan ta komentonin këtë situatë në mungesë të ligjit, megjithëse gazeta tentoi të marrë prononcime nga titullarët e kësaj ministrie. Megjithatë, nga radhët e gjyqësorit kanë filluar edhe hamendësimet e para për draftin e Konferencës Gjyqësore. Sipas tyre, opozita aktuale dëshiron që ky problem të zgjidhet pa ligj dhe kështu nuk do të duhet të vuajë presionin e opozitës, e cila “kërcënon” vazhdimisht se nuk do të votojë asnjë ligj të mazhorancës aktuale. Sipas tyre, vonesa në dërgimin e këtij ligji është e pakuptimtë, pasi disa muaj më parë, Ministria e Drejtësisë, ka njohur grupet e interesit me një draft përfundimtar, ku kanë dhënë mendime edhe misionet e huaja të asistencës ligjore që janë në Shqipëri. Përpos këtyre veprimeve, ligji ende vazhdon të mbetet në Drejtorinë e Kodifikimit në ministri, në pritje të dërgimit në qeveri. Një tjetër hamendësim për këtë ligj të rëndësishëm, kryesisht për funksionimin normal të KLD, është se qeveria po i bën “presion” Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, propozimi i të cilëve bëhet me firmën e numrit një të shtetit dhe më pas miratohen në Komisionin e Ligjeve dhe në Parlament.
Mësohet se gjendja aktuale e konferencës lë shumë për të dëshiruar, pasi ligji “Për Konferencën Gjyqësore Kombëtare” është shfuqizuar në dhjetor 2008 nga Gjykata Kushtetuese. Për pasojë, konferenca ka mbetur pa një ligj për organizimin dhe funksionimin e saj dhe rregullorja e miratuar në zbatim të tij prezumohet se ka rënë nga fuqia. Konferenca ka rreth një vit e gjysmë që nuk është mbledhur e nuk ka funksionuar dhe si rrjedhojë nuk po ushtron kompetencën dhe detyrën e saj kushtetuese për zgjedhjen e pesë anëtarëve të KLD-së, nga të cilët dy vende kanë mbetur vakante dhe tre anëtarëve të tjerë u ka mbaruar mandati kushtetues 5-vjeçar. Këta anëtarë janë në kompetencën e zgjedhjes nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, e cila sipas Kushtetutës duhet të plotësojë numrin nëntë të anëtarëve të KLD-së, që duhet të jenë gjyqtarë të të gjitha niveleve. Në takimin e 5 dhjetorit të vitit të kaluar, diskutantët thanë se përgjegjësinë për moszbatimin e Kushtetutës e kanë të gjithë gjyqtarët e të tre niveleve të pushtetit gjyqësor shqiptar, të cilët në tërësinë e tyre përbëjnë Konferencën Gjyqësore Kombëtare. Ndërsa së fundmi është hedhur ideja që gjyqtarët të mblidhen pa u miratuar ligji në Parlament, duke përdorur interpretimin e ligjit.
#