Berisha harron centralin bërthamor, do të investojmë në energjinë e ujit
Kryeministri Berisha ka premtuar ndërtimin e 444 hidrocentraleve në vend, duke menduar që në të ardhmen tregu shqiptar i energjisë të fokusohet 100% te prodhimi dhe eksportimi i energjisë së rinovueshme. Deklaratën për synimin drejt tregut të plotë të energjisë së ujit, Berisha e bëri gjatë konferencës së 5-vjetorit të EFSE-së në Shqipëri, Fondit të Europësjuglindore për Zhvillim. “Shqipëria është vendi i vetëm në rajon që mund të bëhet 100% prodhues i energjisë së rinovueshme, ujore dhe eksportues i saj dhe kjo përparësi del shumë më tepër në pah pas vendimit që Kancelaria Merkel, mori për mbylljen e centraleve nukleare, të konsumatorit më të madh të energjisë në Europë, vendit të saj. Ky vendim ka një impakt të jashtëzakonshëm në ekuilibra dhe tregun energjetik Europian. Ky vendim ka përcaktuar vitin 2022 dhe kjo në një treg unik energjetik, kërkon që të rendet me vendosmëri të madhe para çdo burimi tjetër energjie, sepse nuk mund të them se ky vendim i Kancelares, nuk do të ketë ndikim në vendimmarrje të tjera, të qeverive të tjera, ndaj një burimi që dihet se ishte burimi më konstant, më i pastër, por me atë që ndodhi në Japoni, secili është i detyruar të nxjerrë leksionin e vet”, - u shpreh Berisha. Në këtë mënyrë, Kryeministri Berisha duket se e ka lënë në sirtar projektin për centralin bërthamor në vend. Ai tha se, Shqipëria ka për të ndërtuar 444 hidrocentrale të mesme dhe të mëdha. Ai vuri në dukje se Shqipëria ka firmosur me sektorin privat ndërtimin e 220 hidrocentraleve. “Investitorët shqiptarë po presin financimet, 36 prej tyre kanë filluar punën qindra të tjera janë të gatshëm dhe po presin të fillojnë dhe janë në pritje, ndaj dhe do të vlerësoja shumë që Fondi Europian i Europës Juglindore të shqyrtonte mundësinë e ndërhyrjes më energjike dhe financimit të hidrocentraleve te vogla dhe të mesme pasi në filozofinë e tij janë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe unë e mbështes plotësisht këtë filozofi dhe këtë qëndrim”, - tha Kryeministri. Në kuadër të zhvillimit të ekonomisë së vendit, kryeministri u shpreh se 2/3 e territorit të vendit kanë potenciale të jashtëzakonshme për zhvillim, por faktikisht presin të gjitha investime. Dhe duke iu referuar turizmit malor, i cili pothuajse nuk ekziston në vend me qëllim inkurajimin e zhvillimit të potencialeve turistike, Berisha u shpreh se me ligjin e ri të turizmit, të gjithë ata që investojnë në zonat turistike malore të vendit për 8 vjet nuk do të paguajnë asnjë taksë. Ai vuri në dukje rolin e rëndësishëm të bankave dhe institucioneve financiare private në drejtim të kredive, orientuar tek investitorët dhe falenderoi Fondin Europian të Europës Juglindore, për veprimtarinë e tyre, e cila për Kryeministrin ndër 5 vite është shndërruar në një histori të suksesi të vërtetë në Shqipëri, në Rajon dhe më gjerë.