Matura, notat e Letërsisë pas 15 qershorit
Maturantët do të mund të njihen me notën që kanë marrë në provimin e Letërsisë pas datës 15 qershor, thënë ndryshe, pas zhvillimit të provimit të Matematikës. Në ditën e parë të muajit qershor, rreth 41 mijë maturantë nga i gjithë vendi iu nënshtruan provimit të parë të Maturës, Gjuhë-Letërsi, rezultatet e të cilit, sipas afateve, pritet të dalin para zhvillimit të provimit të Matematikës. Por, ekziston mundësia që shpallja e rezultateve të bëhet pas provimit të Matematikës, në mënyrë që notat e marra, sidomos kur janë negative ose jo ato që priten, të mos demoralizojnë maturantët në provimet e radhës. Kjo do të thotë se, megjithëse rezultatet e provimit të Letërsisë do të jenë gati para datës 15 qershor, notat nuk do të publikohen, vetëm për të mos pasur ndikimin negativ te maturantët në provimin e Matematikës, që cilësohet edhe si më i vështiri prej tyre. Ndërkaq, lidhur me procesin e vlerësimit, Agjencia Kombëtare e Provimeve bën të ditur se deri tani janë korrigjuar vetëm 25% e testeve, ndërkohë që po ecet normalisht me procesin e vlerësimit. Sakaq, përgjigjet për provimin e parë të Maturës, Gjuhë-Letërsi, maturantët do të mund t’i marrin në shkollën ku kanë bërë provimin, në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP), por edhe në websitin e Ministrisë së Arsimit. Alfons Harizaj, përgjegjësi i vlerësimit të maturantëve pranë AKP-së, thotë se korrigjimi i testeve bëhet nga ekspertë dhe në mënyrë të sigurt. Për të vlerësuar tezën e provimit të Gjuhës dhe Letërsisë janë vënë në dispozicion, ndryshe nga vitet e tjera, gjashtë qendra vlerësimi, 2 prej të cilave në Tiranë, ndërsa katër të tjera janë në Korçë, Elbasan, Shkodër dhe Fier. Harizaj sqaron se ka 230 korrigjues për të përfunduar vlerësimin brenda afateve kohore. Por, sipas tij, maturantët duhet të kenë kujdes për përgatitjen përpara provimeve. Në rast se ata nuk arrijnë të marrin notë kaluese në njërin prej 4 provimeve, nuk mund të kenë në dorë diplomën e pjekurisë. Ditën e sotme do të bëhet edhe “ngujimi” i dytë i Maturës, për hartimin e tezave të provimit të Matematikës, për të cilin do të përgatiten 7 teste të ndryshme sipas profilit të gjimnazeve. Specialistët do të izolohen në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Provimeve nga dita e sotme, për të dalë prej aty të mërkurën e javës së ardhshme, pikërisht në datën 15 qershor, ditë në të cilën do të mbahet edhe provimi i Matematikës. Testi për provimin e Matematikës do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat, 13 kërkesa janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 13 pikë dhe 12 kërkesa janë me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. Për trembëdhjetë pyetjet e para që janë me zgjedhje, maturantët duhet të rrethojnë vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë. Kurse pyetjet e tjera kanë kërkesa që janë me zgjidhje dhe arsyetim. Pranë secilës pyetje ka hapësirë për të kryer veprimet e nevojshme. Po ashtu, në fund të testit do të lihet hapësirë për kryerjen e veprimeve në ndihmë të zgjidhjes së pyetjeve.