Fullani kërkon reformën e plotë të pensioneve
Guvernatori Fullani ka kërkuar reformë të plotë të pensioneve dhe thellimin e reformave strukturore gjatë takimit vjetor në konferencën e 5-vjetorit të EFSE-s në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, për të përshëndetur këtë konferencë, Fullani e ka evidentuar si domosdoshmëri ndërmarrjen dhe thellimin e mëtejshëm të reformave strukturore. “Ky objektiv strategjik mbetet një përparësi konstante për secilën prej ekonomive tona. Fokusi i tyre duhet të jetë sa më i gjerë, duke nënkuptuar përshtatjen e mëtejshme të legjislacionit, përmirësimin e infrastrukturës, privatizimin e plotë të aseteve publike, përmirësimin e klimës së biznesit, thellimin dhe zgjerimin e tregut financiar, reformën e plotë në pensione, si dhe një sërë aksionesh të tjera, të cilat për arsye objektive nuk mund t’i përmend të gjitha. Mendoj se objektivi ynë madhor mbetet hyrja e investimeve të huaja direkte. Pa to rajoni do të vazhdojë të mbetet i vogël, i fragmentuar, me potencial të ulët zhvillimi social dhe ekonomik, me eksporte sporadike, me tregje prematurë dhe me kosto të larta, ose e thënë ndryshe me një produktivitet të ulët. Për mua personalisht, çdo investim i huaj do të thotë konvergim i shpejtë me Europën”, – u shpreh guvernatori Fullani. Duke bërë një përmbledhje të zhvillimeve ekonomike dhe kryesisht të sistemit bankar në vend, Fullani tha se Shqipëria është vlerësuar si një nga vendet që nuk përjetoi falimentim bankash apo injektime të kapitalit nga ana e shtetit, përballoi me shumë kurajo krizën e besimit ndaj sistemit bankar dhe ku ndërmjetësimi financiar nuk u ndal për asnjë moment, ekonomia vazhdoi të rritej në terma pozitivë, pavarësisht një ritmi më të ngadaltë dhe pritshmëritë inflacioniste mbetën të ankoruara gjatë gjithë kohës. Përsa i përket sektorit bankar, Fullani vuri në dukje se ky sektor vijoi zgjerimin e veprimtarisë dhe të kreditimit të ekonomisë por me ritme më të ulëta. “Rajoni ka nevojë për një balancë më të mirë të faktorëve që mbështesin rritjen e qëndrueshme ekonomike. Mendoj qe autoritetet publike duhet të vendosin si përparësi rritjen e investimeve dhe zbatimin e politikave stimuluese për zhvillimin e sektorëve konkurrues. Në këtë mënyrë, kapacitetet eksportuese të vendit do të rriteshin, duke krijuar kushte më të mira për përmirësimin e qëndrueshëm të bilancit të jashtëm të ekonomisë sonë”, – tha guvernatori. Në të njëjtën kohë, sipas tij, tregu financiar ka nevojë të zhvillohet për të krijuar alternativa të tjera për kursimin, për financimin dhe për administrimin e rrezikut për subjektet ekonomike, si edhe për të përmirësuar kushtet e këtyre veprimtarive. Sipas tij, është e nevojshme që krahas sektorit bankar, të zhvillohet më shpejtë pjesa e sistemit financiar jobankar për të mundësuar një përfshirje dhe akses më të madh në shërbimet financiare, të subjekteve që nuk mund të përfitojnë sa duhet prej shërbimeve bankare.