E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, hebrenjtë dhe...myslimanët shqiptarë

Një sms e pak viteve më parë me një tekst për Xhihad, që shpërndahej mes besimtarëve myslimanë shqiptarë, në ndihmë të popullit të martirizuar të Palestinës, sot ka pak gjasa të kujtohet. U mbajt e fshehur mes tyre po aq sa edhe qëllimi i pretenduar idealist që su realizua kurrë. Të paktën, vullnetarë nga Shqipëria, nuk u raportuan kurrë në luftën, që zgjat prej dekadash mes pasardhësve të popujve të shenjtë. Ndërsa myslimanët shqiptarë shkëmbenin në fshehtësi mesazhet e tyre, mungoi si gjithnjë reagimi i politikës shqiptare. Të angazhuar në luftën pa sens kundër njëri-tjetrit, kjo as nuk bëri ndonjë përshtypje në mjedisin politik shqiptar. Si gjithnjë, shërbimet inteligjente shqiptare, të rrudhosur për vit e vit më shumë cilësisht dhe materialisht, jo vetëm nuk deklaruan asgjë, por as edhe për vëzhguesit lajmi nuk paraqiti ndonjë interes!!! Jashtë tij, si gjithnjë në aktivitete të ndryshme, hebrejtë u vazhdua të thuhet se janë respektuar, madje se ishin mbrojtur më së shumti nga ata...myslimanët e thjeshtë shqiptarë. Qeveritë post’90 e shfrytëzuan teprueshëm dhe shëmtuar si argument. Megjithatë koha ndryshon. Ashtu si edhe tamtam-et që vazhdojnë të mëtojnë për vendin që vetëm i ka mbrojtur hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë hulli, ditët e fundit, Kryeministri Berisha përfundoi një vizitë të suksesshme sipas burimeve zyrtare dhe medies pranë tij, që e përshkroi me ngjyrat më optimiste të mundshme. Prej thatësirës së stërgjatë të takimeve të tij diplomatike me homologët, lajmi e kaloi përmasën e zakonshme. Ai u afroi gjithçka që mundej hebrejve: lehtësitë e investimit në një vend me mundësi, sipas tij, ideale dhe de jure bëri një qëndrim të prerë dhe gati të ashpër ndaj Palestinës. Kjo e fundit gati e patakt dhe në kohën që Palestina po njihet gjithnjë e më shumë si një realitet. Në një farë llogjike, kjo përzemërsi ndoqi atë që më parë Berisha ka bërë për ata pak dhjetra hebrej në Shqipëri, kur fenë e tyre e bëri zyrtare! Duke u kthyer në këtë njohje, ky gjykim i shumëpritur për Palestinën, u gjykua në të gjitha spektrin e mundshëm. E kanë lidhur me Kosovën, pasi qëndrimi palestinez shpesh ka qenë pro qëndrimeve sllave, por nga ana tjetër dhe një karshillëk disi arrogant ndaj arabëve që hezitojnë për njohjen e Kosovës. Disi hipotetike kjo, kur kujton anëtarësinë e Shqipërisë në fillim vitet’ 90. Anipse, kur vjen puna për problemin e pazgjidhshëm të Lindjes së Mesme, jo vetëm shqiptarët por edhe vende me diplomaci shumë më të konsoliduar ngatërrohen. Madje, në kohën e tij edhe Trumani, arkitekti i kësaj gjendje, do të shkruante në ditarin e tij: “Mendoj se gjëja më e përshtatshme dhe gjëja që kam bërë është ajo që mendoj se është e drejtë dhe pastaj...vafshin në skëterrë”. Më mirë se ai që e ka gatuar disi këtë katrahurë, nuk mund të jetë shprehur askush.
Por më “e çuditshme” nga të gjitha ishte mosreagimi i deritanishëm i myslimanëve shqiptarë, ndaj vizitës së Berishës. Duke marrë parasysh që individë të tyre gati u rreshtuan hapur dhe gati politikisht në zgjedhjet e fundit, tregon se ata më shumë mendojnë për interesa të ngushta sesa për një strategji të mirëmenduar për forcimin e besimit. Të shtosh se edhe zërat e vërtetë intelektualë teologjikë të tyre mungojnë krejtësisht, ose edhe kur shprehen, e kanë të vështirë të artikulojnë, atëherë mos prit një lloj reagimi. Ajo, që thjesht të shkon ndërmend, është sesi mund të justifikojnë tani e tutje ndihmën e madhe në dy dekadat e fundit nga vendet myslimane, përkrahës të çështjes palestineze. Falë harresës kombëtare dhe kjo e ka një zgjidhje. Megjithëse, paçka situatës së tyre shpesh ambigue, ky qëndrim i ri i qeverisë shqiptare nuk besohet se do gëlltitet kaq lehtë. Më shumë akoma, Shqipëria gjendet para një situate të re, e cila do formësohet shpejt. Një gjë duket qartë: ky afrimitet me hebrejtë, duket tejet i nxituar. Pikë së pari në atë që vërtetë Shqipëria afron me resurset e saj dhe që kur e sheh në terren nuk është aq “friendly”, sa e përshkroi kryeministri shqiptar me anglishten e tij folklorike. Kurse e dyta dhe më e rëndësishme mbetet siguria. A ka mundësi Shqipëria të përballojë një mbrojtje të tyre? Këtë pak kush e beson. Kjo valë krimi, apo kjo rrjedhë lëndësh narkotike, ku gjithçka është sofistikuar aq frikshëm, tregon se Shqipëria nuk zgjidh dot problemet e saj dhe jo të merret dhe me sigurimin e tyre. Një e tretë mbetet problemi i njohjeve të mëtejshme të Kosovës në lidhje me vendet arabe, por edhe vetë mosnjohja e Kosovës nga Izraeli. A është llogaritur si duhet fuqia hebraike në balancë me ato të popujve myslimanë? Kjo do pritet të njihet nga reagimi kosovar. E më shumë akoma, për të mos thënë kryesore, është sesi vërtetë do të reagojnë hebrejtë pas kësaj vizite. Gjeografikisht, për çdo lloj arsye, pozicioni i Shqipërisë është grishës për ta, por nga ana tjetër dhe jo aq miqësor sa është thënë. Duke menjanuar ndihmën, që shqiptarët e thjeshtë u kanë rezervuar hebrejve, një gjë të cilën nga historia dimë se ata nuk ua kanë mohuar madje as armiqve më të thekur (kur mbetën si endacakë): pushtuesve serbë në fillim të shekullit të shkuar apo atyre italianëve në Luftën e Dytë Botërorëve, pas kuintave është parë se qeveritarët shqiptarë kanë përfituar paq. Për hir të së vërtetës, një artikull shumë profesional i një historiani shqiptar premtues në mesin e viteve ’90 tregonte sesi zyrtarët e Konsullatave tona në Kroaci dhe Gjermani në vitet ’30 kishin nxjerrë ar të thatë në kurriz të tyre, ashtu si në Kosovë ku hebrejtë s’kishin qenë aq të rehatuar. Mes të tjerëve, në emrat e përfolur në studim, ishte dhe ai i mbretëreshës Geraldinë. Të gjitha këto, hebrenjtë, një popull me kujtesë biblike, duhet t’i di mirë. E ndërsa Z. Berisha dhe qeveritarët mendojnë si të përfitojë prej tyre, kalkulimet ngatërrohen kur mendohet për myslimanët e thjeshtë ata që dikur vërtet i mbrojtën pak qindra fatkeqët hebrenj që ishin në vend. Cilado qoftë arsyeja e afrimit shqiptar të mëtejshëm me Izraelin, duket se në këtë stad, Shqipërisë më shumë i duhet uniteti i saj dhe siguria e brendshme, gjë që ky afrim ia rëndon disi. Është një ekuacion, që sa më shumë e shikon aq më shumë të panjohura ka. Paradoksi është se Shqipëria ka qenë një nga vendet e para që përgatiti martirët e Palestinës, ndërsa tani “çuditërisht” mban një qëndrim, që edhe ajo vetë nuk e justifikon dot në këtë linjë që po merr dita-ditës e ardhmja e shtetit palestinez. Megjithatë Berisha, më shumë sesa kalkulimeve të kujdesshme gjeostrategjike i bindet instiktit të tij, që duhet thënë se deri më tani shpesh se ka lënë në baltë për interesat e tij. A do të funksionojë? Nga ana ekonomike, kjo është vështirë të besohet hë për hë me kushtet që vërtet Shqipëria afron për bisnesin e huaj. Nga ana diplomatike, po ashtu, megjithëse s’është ende aq e lehtë të supozohet, po të shikosh realisht pozitat që sot ka vetë shteti hebre dhe mbrojtësi i tij historik SHBA, që ka filluar të lëshojë dhe kritika ndaj tij. Sa për Izraelin lidhja mund të jetë më shumë diplomatike për të pasur një vend më shumë mik si referencë për politikën shqiptare, sesa ana ekonomike, që na intereson realisht. Duket se gjërat e kanë një llogjikë edhe pse në hije, ndaj mbase jo më kot, ato sms-të e dikurshme parashikonin një Xhihad. Që gjithsesi se pengon Berishën dhe qeverinë shqiptare që të kenë dhe një mundësi të shkurtër frymëmarrje për tu treguar kundërshtarëve të tyre se janë aktivë dhe të mirëpritur tek ata”që bëjnë ligjin në botë”. Gjë, që s’thotë aq shumë për logjikën e myslimanëve dhe gjithë qytetarëve të tjerë shqiptarë, që dikur u bënë vetë strehë e hebrenjve, paratë e të cilëve mbushnin xhepat e zyrtarëve shqiptarë.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›