Berisha hedh poshtë zërat për mungesë fondesh për rrogat

“Ata që bërtitën “Eureka”, të cilën nuk e gjetën për 6 vite, s’do ta gjejnë as 4 vitet e ardhshme”
Kryeministri Sali Berisha sqaron se nuk bëhet fjalë për mungesë fondesh në pagesat e rrogave, por për mosparaqitje të listë pagesave në kohën e duhur dhe siç tha ai, rroga pa listë pagesën nuk mund të jepet
Në mbledhjen e qeverisë kryeministri Berisha ka hedhur poshtë zërat për mos disbursim të rrogave dhe pensioneve në disa qytete të vendit. Berisha theksoi se nuk ka pasur mungesë fondesh, por vonesë të listë pagesave nga Ministria e Financave. “Këto ditë ka pasur një zhurmë në media lidhur me disbursimin e rrogave, të pensioneve dhe ka pasur prej tyre që bërtitën ‘Eureka’, atë të cilën nuk e gjetën dot për më shumë se 7 vite me radhë dhe që nuk do ta gjejnë dot për 8 vitet e ardhshme kujtuan se ju erdhi ne ekran. E vërteta është se nuk ka pasur dhe nuk ka as edhe një mungesë të asnjë lloj fondi, në mënyrë kategorike. Ka pasur një mosparaqitje të listë-pagesave të zyrave të financave, por rroga pa list-pagesa nuk mund të jepet dhe ky është një ligj themelor. Ato do të bëhen dhe do ti marrin që të gjithë dhe i kanë marrë ose do i marrin pa asnjë lloj vështirësie”, tha Berisha. Kryeministri i cilësoi të papranueshme vonesat në disbursimin e invalidëve, por shtoi se qeveria ka bërë maksimumin për ta. Ai premtoi se qeveria do të ndërmarrë vendime për krijimin e qendrave për rehabilitimin e tyre dhe do të ketë praktika për punësimin e tyre. Ai përmendi politikat e qeverisë në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar duke bërë edhe një analizë krahasuese të fondeve në dispozicion të tyre. “Në vitin 2005 buxheti për aftësinë e kufizuar ishte 6.1 miliardë lekë, aktuali për këtë kategori është 13 miliardë lekë. Nuk është llogaritur këtu rritja e fondit të rimbursimit të ilaçeve, nga e cila janë të parët që përfitojnë, rritje ka qenë 5 miliardë lekë, është 25 miliardë lekë”, tha ai. Sipas Berishës, pagesat e personave me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët ka qenë 6.800 lekë në muaj, është 12.500 lekë, për tetraplegjikët 6800 lekë, sot është 9500 lekë. “Në tërësi shuma që kjo qeveri ka vendosur, ose shpenzon për një para e tetraplegjik është absolutisht 5 herë më e madhe se ajo e 2005”, tha ai.
...