Berisha, homazhe në nder të aktores Liza Vorfi

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mesditë homazhe në nderim të aktores së shquar të skenës shqiptare, Liza Vorfi, e cila u nda dje nga jeta.
Duke e vlerësuar atë si një nga personalitetet më të mëdha të artit tonë skenik, Kryeministri Berisha u shpreh “Sot, kombi përcjell në banesën e fundit një prej yjeve më të shkëlqyera të artit tonë skenik, një prej artisteve më të dashura të shqiptarëve, përcjell artisten, gruan, bashkëshorten, njeriun që përfaqësoi më aq dinjitet vlerat më të arrira, virtytet më të mira, talentin më të rrallë.
Liza Vorfi do të mbahet mend në memorien e shqiptarëve si një nga personalitetet më të mëdha të artit skenik dhe që me interpretimet e saj u bë e pavdekshme në këtë art.
Liza Vorfi ishte, gjithashtu, një mbështetëse ndër më të flaktat e ndryshimeve të mëdha demokratike në këtë vend. Çdo shqiptar humbet sot me këtë artiste të madhe një personalitet të shquar. Bota shqiptare humbet një nga përfaqësuesit e saj të ndritur” theksoi Berisha.