Berisha, homazhe për 14 vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit. Vëllai: Të rihapen hetimet
Në 14- vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit, i vëllai i tij rrëfen në një intervistë për GSH se fati i Azem Hajdarit ishte parashikuar. Ai tregon lidhjen e fortë që Azemi kishte me klerikun e zonës, Dervish Luzhën, dhe paralajmërimin që i dha ai.
Azemi ishte shumë i qeshur, natyrë bamirëse, ndihmonte shumë njerëzit që kur ishte fëmijë. Një lek po të kishte në xhep, i nxirrte dhe ia jepte atij që ishte në hall. Mbaj mend njëherë që Azemi kishte shkuar me një shokun e vet nga Bajram Curri tek Dervishi. Kur ai i kishte folur i kishte thënë Azemit: Ti mor djalë do fluturosh. Shumë shpejt do të njohë e gjithë bota…?
Rasimi pohon se Azemi ishte befasuar nga këto fjalë dhe vazhdonte të kishte vazhdimisht biseda dhe takime me klerikun, derisa ai kishte ndërruar jetë më 1985.
Foton e tij e mbante gjithmonë me vete dhe besonte marrëzisht tek Zoti. Ndaj në qershor të 91 Azemi vendosi të ndërtojë tyrben e Devishit në fshatin Luzhë vetëm me paratë e tij. Inaugurimi u bë në shkurt të vitit 1992. Në atë ceremoni ishte e pranishme e gjithë Malësia e Gjakovës, ndërkohë që erdhi edhe z.Sali Berisha , politikanë të tjerë të njohur të PD-së, tregon Rasimi.
Sipas tij. ndërtimi i tyrbes ishte një ogur i mbarë, që i parapriu fitores së PD-së më 31 mars, duke e shndërruar fitoren në një festë për mbarë Shqipërinë, e cila ishte e lirë dhe në demokraci.
Rasimi rrëfen dhe çastin kur mësoi se i vëllai i tij ishte vrarë. Ai tregon se në atë kohë po pinte kafe tek Hotel Iliria së bashku me dy miq të tij, kur njërit prej tyre i bie telefoni: Pa e hapur mirë gojën shoku im, kisha një ndjesi shumë të keqe. Po prisja të më fliste sapo mbylli telefonin dhe më tha: Azemin e kanë plagosur. Jo, i thashë, këtë herë duhet ta kenë vrarë pasi dy herë e kanë plagosur. Siç ishim u ngritëm dhe shkuam tek selia e PD-së, ndërkohë që trupin e Azemit e kishin nisur me urgjencë në spital. Kur shkuam atje, Azemi kishte vdekur. Një dhimbje që nuk përshkruhet dot, pohon ai.
Sipas Rasimit, vrasja e Azemit përpara selisë së PD-së ishte një mesazh i qartë edhe për PD-në.
Atë e kishin plagosur disa herë, por zgjedhja para PD-së nuk ishte e rastësishme. Ato ditë Azemin mund ta vrisnin në çdo rrugë. Ai shkonte nëpër mitingje, lëvizte kudo në çdo qytet të Shqipërisë. Madje, ngaqë Fatmira, bashkëshortja e tij ishte shtatzënë, e kishte çuar në Golem dhe një herë në dy ditë shkonte atje për ta parë. Ndaj shumë lehtë mund ta vrisnin rrugës për në Durrës apo rrugës së Ndroqit, por nuk e bënë një gjë të tillë sepse vendi i duhur ishte PD-ja, që si Azemin do të vrisnin edhe PD-në, thotë ai
Rasimi tregon se shtëpia e Azemit është shpallur monument kulture dhe se me të përfunduar rruga e Valbonës, kryeministri Berisha do ta mbajë premtimin e tij për ti vendosur emrin e Azemit. Gjithashtu ai pohon se është dakord se ka ardhur koha që memoriali i tij të rikonstruktohet.
Ai kishte lidhje me çdo shqiptar kudo që ishte. Gëzonte respekti e tij dhe ata duhet ta shohin si të ishte i gjallë dhe në vendin ku e vranë. Në shtëpinë e Azemit ashtu sikurse i la janë bashkë edhe Bibla edhe Kurani, tregon Rasimi.
Ai është i bindur se gjyqi i Azemit do të rihapet për të vënë drejtësinë në vend.
Ndërkohë sot në 14 vjetorin e vrasjes së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, PD ka organizuar një ceremoni përkujtimore në kujtim të liderit të Lëvizjes së Dhjetorit.
Kryeministri Berisha bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule në memorialin e Heroit të Demokracisë, pranë selisë së PD-së.
Berisha tha se Azem Hajdari ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike dhe tribuni i lirisë. Ai hapi për shqiptarët dyert e lirisë dhe dinjitetit. Nderim edhe për Besim Cerën, vëllezër në ideal me Azem Hajdarin, vijoi kryeministri.