E Diel, 1 Nëntor 2026

Puglia nuk do e lejojë gazsjellësin TAP: Na dëmton ambientin

Nichi Vendola, drejtuesi i rajonit të Puglia-s, i cili është territori strategjik në kalimin e gazsjellësit TAP, e ka konsideruar si një masakër ndërtimin e këtij projekti në territorin e këtij rajoni.

Kështu sipas një raportimi në Shqip, duke u cituar e përditshmja italiane La Repubblica, bëhet e ditur se Italia mund ta ndalojë kalimin e gazsjellësit TAP në territorin e saj. Një komitet i rajonit të Puglia-s i ka dërguar shkresën përkatëse ministrisë së linjës, duke i bërë të ditur se projekti aktual që do të sjellë gazin nga vendi aziatik  nuk i ka kartat në rregull. Ky mendim i rajonit nuk është ndalues, por përbën një sinjal për qeverinë Monti, e cila ka dhënë dritën jeshile për ndërtimin e gazsjellësit, që duhet të kalojë edhe në Shqipëri.

Sipas këtij komuniteti, dokumentet e këtij projekti janë cilësuar si të dëmshme për ambientin dhe shëndetin publik, madje të konsideruar njësoj të rrezikshme pasi gazsjellësi do të kalojë në plazhet Melendugno, një nga zonat me dendësi më të madhe turistike të zonës së Salentos.

Barrikadat kundërshtuese janë ngritur fillimisht nga qytetarët,  të përfaqësuar nga komiteti No TAP, të shoqëruar me pas edhe nga komuna. Kundërshtime ka pasur edhe nga shoqata apo grupe të ndryshme interesi.

Ekspertë të komunave dhe rajonit të Puglia-s kanë përcaktuar  dokument të mangët teknik nga ana e hartuesve projektin TAP, pasi nuk jepen të dhëna për uljen e presionit të gazit.

Në shënjestër të tyre është vënë kryesisht kabina e uljes së presionit, që duhet të ishte realizuar në Acquarica , një zonë me vlerë të madhe mjedisore.

Drejtuesit e rajonit të Puglia-s janë shprehur se ky rajon ka dhënë shumë në lidhje me diversitetin energjetik dhe se nuk kanë nevojë për një megaimpiant në këtë zonë. Ata kanë theksuar se  qeveria italiane duhet të përçojë interesat e qytetarëve dhe të kërkojë autorizimin e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›