E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha i bën thirrje opozitës: “Lërini kazinotë e Los Anxhelosit, bëjini pushimet në Jug”



Gjatë turit të tij të pushimeve dhe përurimeve, kryeministri Berisha, i cili ka ndaluar gjatë ditës së djeshme në fshatrat e Jugut, Jalë, Palasë dhe Vuno, i ka bërë thirrje opozitës që t’i lënë pushimet në Makao dhe Los Anxhelos dhe të shkojnë në Jug të Shqipërisë. Gjatë fushatës së tij të përurimeve Berisha i është drejtuar kreut të PDS-së, Paskal Milo, duke e ftuar atë të vizitojë Vunoin, ku sipas kryeministrit, ai ka dajat dhe të tregojë se në 8 vjet qeverisje Milo dhe PS-ja nuk lëvizën dot as 8 gurë në këtë zonë. Më tej, kreu i Ekzekutivit ka bërë premtime për investime të mëtejshme në zonat turistike të vendit në mënyrë që verën e ardhshme të rritet më shumë numri i turistëve. Këto deklarata Berisha i ka bërë ndërsa ka përuruar rrugët që lidhin këto fshatra me detin.
Thirrja
“Ju e ndiqni vetë realitetin si kontraston ai, si nata me ditën, me vajet e kallogjerëve të nihilizmit. Duke ardhur këtu më lindi ideja që rrugën e Palasës, zoti Bollano, ta inaugurosh me zotin Paskal Milo. Zoti Milo të marrë lidershipin e opozitës e ta sjellë në Palasë, të vijë në Vuno e të shohë edhe dajot e tij, se 8 vjet nuk lëvizën as 8 gurë dhe tani, nga mëngjesi deri në darkë mohojnë, mohojnë dhe vetëm mohojnë. Pasi të kthehen nga Makao dhe Los Anxhelosi, pasi i kanë shumë qejf kazinotë, të zbresin në Palasë, edhe pse nuk ka kazino, por ka rrugë shumë të bukura dhe një nga peizazhet më të bukura të Europës”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Sipas tij, tre anëtarë të Byrosë Politike që kanë pasur origjinën nga Jugu i kanë tani nipërit në krye të PS-së, dhe këta nuk kanë asfaltuar asnjë kilometër rrugë në këtë zonë. “Dua të theksoj një moment. Ky fshat ka pasur në të shkuarën tre anëtarë të Byrosë Politike, nipërit e tyre sot qeverisin Partinë Socialiste. Absolutisht nuk i asfaltuan atij një kilometër rrugë dhe e lanë pa ujë 50 vjet. Për pushime vinin, por vinin në luksin e tyre dhe nuk mendonin aspak për bashkëfshatarët e tyre të mrekullueshëm, të cilët meritonin të gjithë infrastrukturën. Kjo është e vërteta. Këtu u ndërtua dhe ky është ndryshimi”, - është shprehur Berisha.
Premtimet
Gjatë fjalës së tij Berisha premtoi se nuk do të jetë e largët dita kur në Shqipëri të vijnë 7 milionë turistë në vit. “Ju garantoj se ne do të kompletojmë në këtë bashki, por dhe në mbarë vendin, një nga infrastrukturat më moderne në rajon dhe do të bëjmë çdo gjë që të jetë sa më e afërt dita kur këtë vend ta vizitojnë jo më pak se 7 milionë turistë në vit; ta bëjmë Shqipërinë vendin më të vizituar, sepse asnjë vend tjetër nuk ofron bukuritë natyrore përrallore siç i ofron Shqipëria”, - është shprehur ai. Berisha gjithashtu bëri të ditur se pjesë e investime të qeverisë janë dhe zonat malore të vendit. “Tani ne jemi përqendruar në bregdet, në Ultësirën bregdetare, por me një vëmendje po qëndrojmë drejt maleve. Ne nuk do t’i braktisim ato kurrë. Sepse në male ne ruajtëm ekzistencën tonë. Bukuritë e tyre janë mahnitëse. Ne po ecim me rrugë, me infrastrukturë në drejtim të të gjitha maleve të vendit, drejt Çajupit, drejt Tomorit, Voskopojës, Prespës, Bjeshkëve të Namuna, Thethit, Bogës, Razmës, Lurës, Kalasë së Dodës, Shishtavecit, Korabit. Ne do ta bëjmë këtë vend që shqiptarët ta shijojnë në çdo kohë dhe çdo stinë dhe që miqtë e tyre nga gjithë bota, gjithashtu ta shijojnë në çdo kohë e në çdo stinë”, - është shprehur kreu i qeverisë. Kryeministri bëri të ditur se investimet e qeverisë në infrastrukturën e këtyre fshatrave kapin vlerën e 300 milionë lekëve. Sipas Berishës, gjatë këtyre 5 viteve, në bregdet është investuar më shumë se 70 vitet e mëparshme të marra së bashku. “Vetëm 4 vite më parë, udhëtimi Vlorë-Sarandë, për shkak të rrugës, ishte një ndër udhëtimet më të mundimshme. Por vetëm dy vite më parë, për banorët e këtyre zonave zbritja në det ishte sërish një udhëtim i mundimshëm. Sot situata është krejtësisht tjetër. Në këto 4-5 vite, në Himarë është investuar dhjetëra herë më shumë sesa të gjitha vitet e tjera të marra së bashku”, - ka bërë të ditur kreu i qeverisë.

Reagimi
Tahiri: “Berisha të japë shpjegime për pronat e tjetërsuara në Jug të vendit”

Pas akuzave të kryeministrit Berisha nga Jugu i vendit, drejtuar krerëve të opozitës për mungesë investimesh në këtë zonë, ka reaguar dje selia rozë. Nëpërmjet nënkryetarit të Grupit Parlamentar, Saimir Tahiri, Partia Socialiste i kërkon kryeministrit Berisha që t’i sqarojë qytetarët dhe banorët e këtyre zonave për tjetërsimin e pronave të tyre duke filluar nga Orikumi deri në Butrint. Tahiri gjithashtu i përgjigjet kreut të qeverisë se ai e ka gjetur të nisur rrugën e Shqipërisë së Jugut dhe nuk bëri gjë tjetër vetëm se përfundoi punën e nisur nga qeveria e Partisë Socialiste. Sipas Tahirit, qytetarët shqiptarë nuk gënjehen më me inaugurime rrugësh për të tretën ose të katërtën herë, pasi ata janë në dijeni se në çfarë gjendjeje ndodhet ekonomia shqiptare. Ai e akuzoi qeverinë se e ka futur vendin në një krizë të thellë ekonomike dhe se qytetarët po jetojnë në kushte të vështira financiare. Më tej, nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka ironizuar kryeministrin Berisha, i cili pak ditë më parë ka thyer rekordin e radhës në not duke qëndruar në ujë për rreth 127 minuta. Tahiri e përgëzoi Berishën që më në fund, sipas tij, ia doli mbanë të mësojë notin. “Rrugën e bregdetit Sali Berisha e gjeti të nisur dhe e mbaroi. Ndërkohë që njerëzve të Bregut kryeministri i detyrohet shumë shpjegime për pronat që u ka tjetërsuar qeveria e tij, që nga Orikumi deri në Butrint. Shqiptarët nuk gënjehen më në vitin 2010 me inaugurime për herë të tretë e të katërt, ndërkohë që ekonomia e tyre kombëtare e familjare kalon një krizë të thellë. Gjithsesi, ne e përgëzojmë kryeministrin që e mësoi notin! Më mirë vonë, se kurrë!” - është shprehur nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së.
Reagimi i Tahirit erdhi vetëm pak orë pas deklaratës së bërë nga Berisha në fshatrat e Jugut të vendit. Berisha e akuzoi lidershipin e PS-së se gjatë kohës që ata kanë qenë në pushtet nuk kanë lëvizur asnjë gur dhe jo më, sipas Berishës, të bënin investime të mëdha, ashtu sikurse po bën qeveria e tij.

12 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›