E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet me biletat e udhëtimit, nis kontrolli ndaj kompanive



Pas sinjalizimeve të një dite më parë në lidhje me abuzimet në çmimet e biletave të kryera nga agjencitë ajrore dhe ato detare, të bëra nga një investigim i gazetës “Albania”, institucionet shtetërore kanë nisur të lëvizin. Menjëherë dje inspektorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Tregtare, strukturë në Ministrinë e Ekonomisë, kanë nisur kontrollet ndaj kompanive detare që zhvillojnë aktivitetin e tyre në portet detare të Durrësit dhe Vlorës. Nga dita e djeshme agjencitë e udhëtimeve do të vihen në sitë, për të mos lejuar abuzimet me çmimet në kurriz të klientëve, qofshin këta vendas ose të huaj. Dizinformimi apo promovimi i reklamave mbi çmime që nuk përputhen me realitetit, janë kthyer një problem për konsumatorët shqiptarë. Për këtë qëllim, drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Shërbimeve Tregtare, Besjan Pesha tregon në një intervistë për mediat se, ky institucion po ushtron kontrolle të shpeshta në treg, duke intensifikuar në të njëjtën kohë edhe inspektimet mbi sektorët që spekulojnë. Drejtori Pesha thekson se, parashikohet fuqizimi i ligjeve të tjera, që do të përforcojnë aktivitetin e Drejtorisë së Shërbimeve Tregtare. Ai, u bën thirrje të gjitha bizneseve që operojnë në vend, për të shmangur praktikat e pandershme në treg.

Kontrollet
Drejtoria ka penalizuar disa ditë më parë 3 subjekte të njohura në treg për parregullsi në afishimin e çmimeve dhe publicitetin. Drejtori i Politikave Tregtare në këtë ministri, Besjan Pesha, u ka kërkuar konsumatorëve të denoncojnë çdo parregullsi që hasin në treg. "Komisioni ka vendosur dhe gjobitjen e kompanive për të marrë masa për rregullimin e të gjitha çmimeve konform ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. Gjithashtu, komisioni ka shqyrtuar dy publicitete të kompanive ‘Albania Airlines’ dhe jemi duke shqyrtuar dhe kompani të tjera ajrore që janë publikuar në ueb-sitin e kësaj kompanie po edhe në forma të tjera publicitare, të cilat nga përmbajtja e tyre përmbajnë praktika çorientuese për konsumatorin. Kemi një problem shumë të madh me kompanitë ajrore në Shqipëri, sepse çmimet që vendosen zakonisht kur bëhet reklamimi i produktit që ofrojnë. Nuk janë çmime reale të cilat në fund i paguajnë konsumatorët shqiptarë”,- deklaroi dje drejtori i Politikave Tregtare në METE, Pesha. Gjithashtu ai tha se komisioni vendosi që subjekti "Uji i Ftohtë Tepelenë” të marrë masa që nga muaji nëntor i këtij viti dhe në vazhdim të heqë nga etiketa e ujit deklaratën "E miratuar nga Komuniteti Europian", e cila është një deklaratë që nuk ekziston.

Kompanitë ajrore
Kompanitë ajrore kanë një sistem të veçantë për shitjen e biletave. Bëhet fjalë për ndarjen e vendeve në disa kategori. Kjo lidhet ngushtë me çmimin e biletave. Një punonjëse pranë një zyre për shitje biletash tregon mekanizmin e këtij sistemi. Sipas saj, në kategorinë e parë, që njihet si "Red Tickets", vendosen disa vende me çmim të lirë, në kategorinë e dytë "economy" çmimet fillojnë të rriten dhe pjesa tjetër që mbetet përfshihet në kategorinë e biletave "economy flexible", të cilat shiten me çmim maksimal kundrejt kërkesës dhe ofertës. "Ky është një mekanizëm kundrejt të gjitha ligjeve të cilin e aplikojnë kompanitë ajrore. Ajo që nuk dihet ka të bëjë me numrin e vendeve që përfshihen në ‘Red Tickets‘ nga ku edhe nisin çmimet", thotë punonjësja. Rritjen e çmimeve gjatë sezonit të verës ajo e konsideron si të lidhur ngushtë me kërkesën e madhe për bileta nga shqiptarët, gjë që në ekonominë e tregut përdoret maksimalisht nga kompanitë ajrore për të përfituar.

Rritja e çmimit, në Portin Detar të Durrësit nuk shkarkohen më anije me grurë

Në Portin e Durrësit, çdo javë vijnë anije që sjellin grurë, por këtë javë ato janë më të rralla. Brenda javës, çmimi është rritur me 25 deri 30 për qind. Ndaj tre kontejnerët
e tjerë të Portit janë bosh. E po kështu, edhe magazina nuk ka më sasinë e mëparshme. Rritja e çmimit të grurit po sjell rrit edhe atë të bukës, në të gjitha qytetet e vendit, përfshirë edhe Durrësin. Kjo është rritja e dytë e çmimit të bukës brenda tri viteve. Ky çmim, në Shqipëri lëviz sa herë luhatet çmimi i grurit në tregjet ndërkombëtare.

Kriza dhe pasiguria, emigrantët u venë kyçin bizneseve të tyre në Greqi

Kriza dhe masat e marra nga qeveria greke kanë bërë që shumë biznese të suksesshme të mbyllen. Nga kjo krizë nuk kanë mbetur pa u prekur edhe bizneset e emigrantëve të cilët po përpiqen të shesin produktet e tyre në çmime shumë të lira, me qëllim që të mbyllin biznesin përfundimisht. Një nga dyqanet më të suksesshme me pronar shqiptar në Pagrati të Athinës, vendosi të mbyllet pasi, siç thotë pronari, i cili do të mbetet anonim, ka më shumë se tre muaj që paguan qiranë dhe askush nuk ka blerë gjë. “Do e mbyll krejt dhe do iki, filloj punë në ndërtim. Kisha dëshirë të ikja në Shqipëri por edhe atje nuk kam shpresa. Këtu dyqani në katër muajt e fundit ka të ardhura zero, ndaj mendova të shes këto mobilie që kam këtu, të paguaj qiranë dhe ta mbyll. Greqia për mendimin tim nuk ka të ardhme për emigrantët”,- thotë emigranti shqiptar i cili shpreh shqetësimin e tij për të ardhmen. Një nga rrugët kryesore të qendrës së kryeqytetit grek ku janë mbyllur më shumë biznese, është Stadhiu. Rezultatet e studimeve të fundit nga Instituti i Shërbimit të Tregtisë, tregojnë se në qendër të Athinës, në Nea Ionia, Kifisi, Halandri, Kalithea dhe në Pire, i vihet kyçi një në katër dyqaneve. Sipas një reportazhi të gazetës “Kathimerini”, ndër 3421 dyqane në rrugët e Athinës, janë mbyllur 505 dyqane, d.m.th 14.8%.

Mashtrimi me bukën, fshihen faturat

Çmimi i miellit është rritur në rreth 5900 mijë lekë për kv, por në faturat që fabrikat e miellit lëshojnë për prodhuesit e bukës nuk shënohet çmimi real me të cilin ata e kanë blerë, por më i ulët se aq. Prodhuesit e bukës e pranojnë këtë abuzim të pronarëve të miellit, i cili bëhet në mënyrë që të mos paguhen faturat tatimore reale. Në rast të shkeljes së këtij pakti, pronarët e fabrikave të miellit u bëjnë presion prodhuesve të bukës, duke mos toleruar në mënyrat e pagesave që ata bëjnë për të shlyer miellin. Por ky është vetëm një nga abuzimet që nis me rritjen e çmimit të miellit dhe Autoriteti i Konkurrencës po monitoron subjektet. “Aktualisht furrat janë viktima. Nga furrat po vijnë shqetësime se çmimi po rritet në mënyrë galopante. Prandaj monitorimi i faturave të miellit është një nga prioritetet tona kryesore, sa ka faturuar fabrika e miellit tek prodhuesit e bukës”,- ka deklaruar komisionari, Koço Broka. Por nga ana tjetër prodhuesit e bukës, duke përfituar nga mungesa e funksionimit të strukturave shtetërore, kanë gjetur mënyra të tjera abuzimi në kurriz të konsumatorit. Duke mos përgjithësuar, në shumë furra buke, përveç rritjes së çmimit, abuzohet me peshën, duke i shitur konsumatorit me çmim më të lartë gramaturë më të ulët të bukës. Po kështu, çmimin e bukës e kanë rritur edhe ato furra buke që përdorin një cilësi më të dobët të miellit dhe e shesin atë me çmimin që tregtohet mielli i cilësisë së lartë.

12 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›